Analiza e ‘The Economist’: Mësimet nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit

Analiza e ‘The Economist’: Mësimet nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit

20:53, 09/10/2023
A+ Aa A-

The Economist

Është e vështirë të shihet përtej tronditjes nga sulmi gjakatar i Hamasit ndaj Izraelit. Kjo për shkak se përfshiu mijëra raketa dhe luftëtarë që sulmonin jugun e vendit nga toka, deti dhe ajri. Dhe për shkak se ishte krejtësisht e paparashikuar, pavarësisht përmasave të saj, duke i shkaktuar një goditje poshtëruese shërbimeve të lavdëruara të inteligjencës izraelite. Por mbi të gjitha, për shkak të vrasjes së qindra njerëzve të pafajshëm dhe marrjes së shumë pengjeve nga Hamasi. Ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po mendojnë se si të përgjigjen, vëmendja e botës do të tërhiqet nga gjendja e tyre e dëshpëruar.

Është shumë herët për të ditur se si do të zhvillohen ngjarjet në javët në vazhdim. Kryeministri i Izraelit është zotuar se do të kërkojë një ‘çmim të madh’ dhe ka të drejtë: Hamasi duhet të paguajë për mizoritë e tij, të cilat përfshijnë masakrimin e dhjetëra të rinjve izraelitë në një festë në natyrë në jug. Por përgjigjja e Izraelit vjen me rreziqe të mëdha. Dërgimi i forcave tokësore të IDF në Gaza mund t’i tërheqë ata në luftime të përgjakshme urbane- dhe të rrezikojë gjithashtu pengjet. Sa më shumë të zgjasin luftimet, aq më e madhe është mundësia që dhuna të përhapet në Bregun Perëndimor ose në Liban. Vdekja e shumë civilëve në Gaza, veçanërisht nëse shihet si e pakujdesshme, do të dëmtonte pozitën e Izraelit në botë, si dhe do të ishte thellësisht e gabuar në vetvete.

Megjithatë, nuk është shumë herët për të qenë të qartë se ky sulm shënon fundin e një besimi dhjetëvjeçar në Izrael se aspiratat palestineze për sovranitet mund të lihen pafundësisht mënjanë, ndërsa pjesa tjetër e Lindjes së Mesme do të vazhdojë përpara. Çfarëdo që të dalë nga ky konflikt, një gjë do të jetë, një kërkim i ri për përgjigje për pyetjen se si izraelitët dhe palestinezë mund të jetojnë në paqe.

Politika e zotit Netanyahu për të mënjanuar palestinezët varej nga tri përllogaritje, secila prej të cilave është hedhur në erë nga sulmi i Hamasit. E para është se, edhe nëse çështja palestineze do të lihej në harresë, izraelitët mund të mbeten të sigurt. Si rezultat i viktimave të tmerrshme të Intifadës së dytë, e cila përfundoi në vitin 2005, Izraeli e mbylli popullsinë palestineze prapa mureve të sigurisë. Inteligjenca superiore dhe fuqia dërrmuese e armatimit, duke përfshirë sistemin anti-raketë të Kupolës së Hekurt, nënkuptonin se kërcënimi i armatosur nga luftëtarët palestinezë ishte i menaxhueshëm.

Ky nocion duket se është thyer. Një arsye pse shërbimet e inteligjencës mund të jenë shpërqendruar nga Gaza është se Bregu Perëndimor është zhytur në rrëmujë nga synimet ekspansioniste të së djathtës ekstreme të Izraelit. Në Libanin jugor, Hezbollahu ka një arsenal të frikshëm, shumica e të cilit furnizohet nga Irani. Pa dyshim, Izraeli do të jetë në gjendje të rivendosë dominimin e tij ushtarak mbi palestinezët. Por edhe nëse ushtarët dhe spiunët e tij besojnë se kjo siguron mbrojtjen e qytetarëve izraelitë, vetë votuesit nuk kanë gjasa të arrijnë në përfundimin se kthimi në status-quo është mjaftueshëm i mirë.

Supozimi i dytë ishte se ekzistenca e Hamasit e ndihmon Izraelin të merret me Fatahun, partinë palestineze që drejton Bregun Perëndimor. Supozohej se politika ‘përça dhe sundo’ i mbante palestinezët të dobët dhe se ndikimi i fraksioneve radikale do të minonte besueshmërinë e të moderuarve si partnerë për paqen- të gjitha këto i përshtateshin mirë zotit Netanyahu.

Me këto sulme, ky nocion gjithashtu ka dalë nga rruga. Një arsye për Hamasin për të goditur ishte se ‘përça dhe sundo’ ka krijuar kushtet në të cilat Fatahu është bërë dekadent dhe jashtë realitetit; lideri i saj, Mahmud Abbas është i sëmurë. Me këtë sulm, Hamasi po pretendon të jetë zëri i vërtetë i rezistencës palestineze. Rivaliteti ndër palestinezë supozohej se do mbronte izraelitët, por ka përfunduar duke i bërë ata shënjestra.

Supozimi i tretë ishte se Izraeli mund të forconte pozitën e tij në Lindjen e Mesme duke ndjekur diplomacinë rajonale, edhe pse i lë palestinezët të acarohen. Kjo pikëpamje u mbështet nga nënshkrimi i Marrëveshjeve të Abrahamit mes Bahreinit, Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin 2020- dhe shtimi i Marokut dhe Sudanit më vonë. Deri në këtë fundjavë, dukej sikur edhe Arabia Saudite do u bashkohej. Përfundimisht, ende mundet, por Hamasi ka treguar se edhe palestinezët kanë të drejtën e fjalës.

Operacioni i ardhshëm kundër Hamasit vetëm sa do të shtojë ndjenjën se ka ardhur koha për një qasje të re. Pas gjakderdhjes së ditës së shtunë, Izraeli nuk mund ta shkatërrojë Hamasin vetëm që ai të mbetet në pushtet në Gaza sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

Megjithatë, nuk ka asnjë alternativë të thjeshtë. IDF nuk dëshiron të pushtojë Gazën- kjo është arsyeja pse enklava është vetëqeverisur. Ideja e një force ndërkombëtare paqeruajtëse është gjithashtu e vështirë të imagjinohet: asnjë vend nuk dëshiron të marrë përsipër përgjegjësinë. E megjithatë, nëse IDF do të shkatërronte Hamasin në Gaza dhe më pas do të kthehej në shtëpi, kush e di se cilat forca shkatërruese mund të mbushnin vakuumin që do mbetej pas.

Askush nuk duhet të nënvlerësojë vështirësitë që na presin. Intifada e dytë i ktheu të rinjtë izraelitë kundër bisedimeve me palestinezët. Ky zemërim me siguri do të krijojë një brez të ri izraelitësh që nuk mund të imagjinojnë se si fraksionet palestineze mund të jenë partnerë për paqen. Në të njëjtën kohë, koalicioni i krahut të djathtë të Izraelit është fokusuar në aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor. Do t’i dyfishojë këto përpjekje.

Pavarësisht kësaj, izraelitët kokëfortë do të duhet të përballen me faktin se ata duhet të fillojnë edhe një herë të merren me çështjen izraelite. Aparati i sigurisë i Izraelit ka nevojë për një palë tjetër për të punuar, nëse dëshiron të ketë ndonjë ndikim mbi territoret palestineze. Kjo do të thotë se ka nevojë për një bashkëbisedues palestinez.

Ajo që do të vijë më pas, do të varet shumë nga kush është në pushtet në Jerusalem. Për momentin, Izraeli është duke u bashkuar, por së shpejti do t’i nënshtrohet një llogarie të hidhur që mund të çojë në një koalicion të ri, apo edhe një kryeministër të ri. Nëse izraelitët do të jenë të sigurt, kushdo që është në krye do të duhet të ndalojë së menduari për palestinezët si një problem që mund të fshihet, dhe të fillojë të mendojë për ta si një popull që duhet të angazhohet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco