Lajmi i fundit

ODEON/ Flautistja Ledina Çobani në 'Odeon': Duhet ‘rizgjuar’ shkolla për talentet

Vodhi të dhënat e 33 mijë personave/ Burg për hakerin famëkeq më të kërkuar në Europë

Vodhi të dhënat e 33 mijë personave/ Burg për hakerin famëkeq më të kërkuar në Europë

20:35, 05/05/2024
A+ Aa A-

Një haker famëkeq, i konsideruar si një nga kriminelët më të kërkuar në Europë është burgosur për shantazhimin e 33 mijë pacientëve të cilëve u kishte vjedhur të dhënat e terapisë së tyre. Burgimi i finlandezit Julius Kivimäki i jep fund një beteje 11-vjeçare që filloi kur ai u bë i njohur si pjesë e një rrjeti bandash hakerash që në moshën 13-vjeçare.

BBC ka sjellë rastin e Tiina-s e cila u informua nga një e-mail nga një dërgues anonim i cili e njoftonte se i kishte emrin, numrin e sigurimeve shoqërore dhe detaje të tjera të jetës private. “Në fillim u habita nga sa i sjellshëm ishte dhe sa i këndshëm ishte toni” – kujton ajo. Dy vjet të dhëna të plota të marra nga terapisti i saj gjatë dhjetëra seancave intime ishin tani në duart e këtij shantazhuesi të panjohur. Nëse ajo nuk paguante një shpërblim brenda 24 orëve, të gjitha do të publikoheshin në internet.

“Ishte një ndjenjë mbytëse. Isha ulur me rrobën time të saunës duke u ndjerë sikur dikush kishte pushtuar botën time private dhe po përpiqej të fitonte para me traumën e jetës sime” – thotë ajo që shpejt e kuptoi se nuk ishte vetëm. Gjithsej 33 mijë pacientëve të tjerë të terapisë iu vodhën të dhënat e tyre, mijëra u shantazhuan në atë që është numri më i madh i viktimave në një çështje penale në Finlandë.

Baza e të dhënave e vjedhur nga qendra e psikoterapisë Vastaamo përmbante sekretet më të thella të një pjese të madhe të shoqërisë duke përfshirë edhe fëmijë. Biseda të ndjeshme mbi tema, nga marrëdhëniet jashtëmartesore deri te rrëfimet e krimeve, ishin tani një mjet shantazhi. Mikko Hyppönen, nga firma finlandeze e sigurisë kibernetike WithSecure, e cila hulumtoi rastin thotë se ngjarja shkaktoi një valë tronditëse në vend dhe përfshiu buletinet e lajmeve për ditë të tëra. E gjithë kjo po ndodhte në vitin 2020 gjatë karantinës së pandemisë dhe rasti mahniti botën e sigurisë kibernetike.

Vjedhja e të dhënave pati menjëherë një ndikim shkatërrues. Avokatja Jenni Raiskio që përfaqëson 2600 nga viktimat tha se ishte kontaktuar nga të afërmit e atyre që i kishin dhënë fund jetës pasi të dhënat u publikuan në internet. Shantazhuesi, i njohur me nofkën “ransom_man” u kërkonte viktimave që t’i paguanin 200 euro brenda 24 orëve, përndryshe ai do të publikonte informacionin e tyre. Nëse nuk e respektonin atë afat, ai e rriste gjobën në 500 €.

Rreth 20 persona paguan para se ta kuptonin se ishte tashmë tepër vonë. Informacioni i tyre ishte publikuar që një ditë më parë kur “ransom_man” ngarkoi aksidentalisht të gjithë bazën e të dhënave të tij në një forum në darknet. Gjithçka është ende atje edhe sot. U desh pak kohë të kuptohej se autori ishte finlandez.

Kivimäki, i cili i kishte vënë vetes nofkën “Zeekill” kishte qenë mjaft i kujdesshëm. Si adoleshent, ai kishte për qëllim hakerimin, zhvatjen dhe mburrjen para të tjerëve si ai. Në moshën 17-vjeçare ai u arrestua në vitin 2014 dhe më pas u shpall fajtor për mbi 50 mijë raste hakerimi. Çuditërisht nuk u burgos. Dënimi i tij me 2 vite burg u konvertua. Pas arrestimit dhe para dënimit të tij, ai kreu një nga sulmet më të guximshme të çdo bande hakerash adoleshente.

Në ditën e Krishtlindjeve, Playstation Network dhe Xbox Live u shkatërruan nga një sulm kibernetik. Dhjetëra miliona lojtarë nuk ishin në gjendje të shkarkonin lojëra ose të luanin me miqtë e tyre në internet. Kivimäki mori vëmendjen e mediave botërore dhe madje doli në një intervistë televizive në Sky News ku nuk tregoi asnjë pendim për sulmin.

Policisë finlandeze iu deshën gati 2 vjet për të mbledhur prova për të lëshuar një “Njoftim të Kuq” të Interpolit për të duke e bërë një nga kriminelët më të kërkuar në Europë. Por askush nuk e dinte se ku ishte 25-vjeçari.

Ai u gjurmua rastësisht shkurtin e kaluar kur policia e Parisit shkoi në banesën e tij pasi mori një telefonatë të rreme për shqetësim në familje. Ata zbuluan se Kivimäki kishte jetuar me dokumente identiteti të falsifikuara me një emër të rremë. Ai u ekstradua me shpejtësi në Finlandë, ku policia filloi përgatitjet për një nga gjyqet e futura në historinë e vendit. Në gjyq ai e shpalli veten të pafajshëm, por provat kundër tij ishin të shumta.

Lidhja e llogarisë bankare të Kivimäki me serverin e përdorur për shkarkimin e të dhënave të vjedhura ishte vendimtare. Oficerët e tij përdorën gjithashtu teknika të reja të mjekësisë ligjore për të nxjerrë gjurmën e gishtit të Kivimäki nga një foto anonime që ai postoi me një pseudonim në internet. Policia dorëzoi prova se gjurma e gishtit nga kjo foto ishte e Kivimäki.

Në fund gjyqtarët dhanë vendimin e tyre duke e shpallur atë fajtor për të gjitha akuzat. Ai u dënua me 6 vjet e 3 muaj burg nga maksimumi 7 vjet, por ka të ngjarë të vuajë vetëm gjysmën për shkak të kohës së kryer tashmë dhe sistemit finlandez të drejtësisë. Për viktimat si Tiina, ky nuk është një dënim i merituar./ lapsi.al/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco