Eklipse dëmtojnë valët e radiove? Një ushtri e transmetuesve amatorë dëshirojnë të zbulojë pse

Eklipse dëmtojnë valët e radiove? Një ushtri e transmetuesve amatorë dëshirojnë të zbulojë pse

21:45, 06/10/2023
A+ Aa A-

Qindra radioamatorë do t'u drejtohen radiovalëve gjatë eklipseve diellorë të tetorit të vitit 2003 dhe të prillit të vitit 2004 në Amerikë. Qëllimi është të ndihmojnë shkencëtarët të zbulojnë ç'u ndodh radiosinjaleve kur hëna bllokon diellin.

Kulla gjigante në oborrin e Tod Bejkerit është pikërisht ajo që nxjerr në pah hobin e tij. Plot me antena, struktura 30 metra është më e gjatë se shumë prej pemëve më të vjetra aty rrotull. Bejkeri, shitës shiritash industrialë transportieri nga Indiana, identifikohet jo vetëm nga emri i tij, por edhe nga emri i tij i radios, një sekuencë e shkurtër shkronjash dhe numrash të cilat ai i përdor për t'u identifikuar në transmetim; W1TOD. Ai është pjesëtar i komunitetit të radioamatorëve.   

"Kam marrë pjesë në çdo gjë", thotë ai, duke iu referuar radiosistemeve të ndryshme, përfshirë edhe radion CB, me të cilën është marrë ndër vite. "Komunikacionet më pëlqenin shumë."

Tan ai merret edhe me shkencën qiellore amatore. Me 14 tetor, ai dhe qindra radioamatorë të tjerë entuziastë do të mbushin radiovalët gjatë eklipsit diellor teksa kalon Amerikat. Do ta bëjnë përsëri në prillin tjetër, kur një eklips i plotë diellor të shfaqet nga Njufaundlendi në Meksikë.

Pse? Eklipset diellore ndikojnë në radiotransmetime dhe Bejkeri po planifikon të marrë pjesë në një eksperiment gjigant që monitorin se si ndikojnë ngjarjet kozmike në radiotransmetime.

Image

Në parcelën e tij 3 ha pranë një autostrade në jug të Indianapolisit, koleksioni i Bejkerit me antena të drejtuara në drejtime të ndryshme e lejon të bëjë transmetime në mbarë SHBA-të dhe më tej. Ai e ka transmetuar zërin e tij në anën tjetër të botës dhe ka bërë biseda me kolegë amatorë në Europë madje edhe në Zelandën e Re, 13,000 km larg.   

Një prej antenave në kopshtin e Bejkerit ka një kënd të veçantë dhe, siç thotë ai, transmeton një radiosinjal të ulët me tokën. Por herët a vonë ai sinjal do të shkojë në drejt hapësirës. "Kur të mbërrijë në jonosferë, do të kërcejë", thotë Bejkeri. 

Ky fenomen e shtrin distancën mbi të cilën radio operatorët mund të komunikojnë. Quhet "efekti i valëve qiellore" dhe pikërisht ashtu është dërguar radiotransmetimi i parë në oqeanin Atlantik në vitin 1901. Kjo do të thotë që lakimi i Tokës është i kapërcyeshëm. Radiotransmetimet mund të bëjnë zigzage lart e poshtë, të kërcejnë nën tokë dhe jonosferë, e cila ndodhet në një lartësi afërsisht 80-650 km. Pra, zëri i një njeriu, i transmetuar në formën e valëve elektromagnetike, prek me kuptimin e mirëfilltë të fjalës qiellin gjatë transmetimeve në distancë që varen nga ky efekt.

"Fakti që mund të kapësh radiosinjale nga ana tjetër e Tokës," thotë Kethrin Miçelli, profesoreshë e radio shkencës në Universitetin e Bathit, "është diçka e mahnitshme. 

Gjëja më e bukur është që efekti i valëve qiellorë nuk është i qëndrueshëm, dhe shkencëtarët nuk e kuptojnë akoma. Jonosfera është e çuditshme. Luhatet, lëviz, zgjerohet dhe tkurret dhe nuk është aspak uniforme. Ndonjëherë është plot me valë, thotë Miçelli, që përhapen gjatë lindjes dhe perëndimit të diellit, si atëherë kur hedh një gur në një pellg.

Prania ose mungesa e diellit është një prej arsyeve pse ndodh kjo. Gjatë ditës, jonosfera trashet sepse drita e diellit godet gazrat atmosferikë, duke i jonizuar për të prodhuar elektrone. Gjatë natës, përplasjet reduktohen dhe shtresa e poshtme e jonosferës zhduket. Hollimi gjatë natës i lejon radiovalët të udhëtojnë më larg, sepse ata arrijnë lartësi më të mëdha para se elektronet t'i godasin e t'i hedhin në drejtim të Tokës. Kjo është arsyeja pse njerëzit kapin radiostacione të largëta në orët e hershme. 

Meqë është e çuditshme, jonosfera kërkon një studim të thelluar. Eklipsi të jep një mundësi të përsosur për të mbledhur bashkë shumë njerëz dhe që të kuptojmë çfarë ndodh kur ajo ka luhatje, si edhe gjatë orëve të ditës. Plus, eklipset nuk janë njëlloj gjatë natës për sa i përket aktivitetit të jonizimit. Hija që hedh hëna është e veçantë, një pikë që udhëton shpejt mbi sipërfaqen e Tokës. Gjatë një eklipsi, jonosferës mund t'i ndodhin gjëra të papritura, gjë që shkencëtarët e shohin me interes.

Këtu hyn në lojë komuniteti i radioamatorëve, pjesëtarët e të cilit janë pjesë e një kolektivi shkencor qytetarësh me emrin HamSCI. Me afrimin e dy eklipseve amerikanë, qindra vullnetarë do të fillojnë të transmetojnë me qëllim që përvojat e tyre t'i ndajnë me shkencëtarët. Bejkeri është mes vullnetarëve. "Ata duan të dëgjojnë se si sinjalet shkojnë e vijnë," shpjegon ai. "Në asnjë rast tjetër nuk të jepet mundësia për të fikur diellin dhe për ta ndezur sërish." 

Eksperimentin e drejton Nathaniel Friselli, një fizikan hapësire dhe inxhinier elektrik në Universitetin e Skrantonit në Pensilvani, themelues i HamSCI-së. Përmes Zoom-it, ai shpjegon pse ka kaq shumë për të mësuar për jonosferën. Ai më tregon një ilustrim. "E shikon sa e lëmuar është kjo jonosfera? Në realitet, jonosfera nuk është aq e lëmuar," thotë ai. Sipërfaqja nuk është uniforme dhe shkencëtarët nuk janë ende të zotët për t'i parashikuar.

Gjatë eklipseve të ardhshme, Friselli do të mbledhë të dhëna nga operatorë individualë radiosh amatore, vullnetarë që planifikojnë të përdorin pajisje tejet sensitive transmetimi gjatë ngjarjeve, dhe të baza të dhënash online që gjurmojnë radioaktivitetin publik. Është një eksperiment që nuk do të ishte i mundur të bëhej me instrumente standarde akademike, theksin ai. Eksperimentet e ardhshme janë të ngjashme me ato që janë bërë gjatë një eklipsi diellor mbi SHBA në vitin 2017. Bejkeri ka marrë pjesë edhe në ato. Madje ka prerë artikullin e gazetës vendase me foton e tij.

Të kuptuarit e jonosferës është i rëndësishëm sepse, gjatë operacioneve ushtarake ose të katastrofave, për shembull, radio-komunikimet mund të bëjnë diferencën mes jetës e vdekjes. Është shumë e rëndësishme që operatorët e radios të dinë të konfirgurojnë transmetimin e tyre për një transmetime të suksesshëm. Edhe variacionet jonosferike kanë ndonjëherë ndikim te satelitët, thotë Ruth Bamfordi e RAL SPACE, me bazë në Rutherford Appleton Laboratory.

Për shembull, shpërthimet diellore e zgjerojnë jonosferën, gjë që rrit sforcimin e satelitëve që rrotullohen rreth Tokës dhe duhet të ngrihen në një lartësi më të madhe, përndryshe rrëzohen.

Bamfordi i lëvdon vullnetarët. Ajo rekrutoi ndihmës të ngjashëm një vitin 1999, gjatë një eklipsi të rrallë diellor në Britaninë e Madhe. Tjetri do të jetë në vitin 2090. Në vitin 1999, vullnetarët gjurmuan variacionet në forcën e sinjalit gjatë eklipsit dhe në shumë raste u regjistrua në ngritje e fortë, duke zbuluar se si radiotransmetimet mund të udhëtojnë më larg se zakonisht gjatë ditës. Bamfordi dhe kolegët e saj u kërkuan pjesëtarëve të publikut të sintonizonin radiot e tyre amatore në një frekuencë që përdorej nga një transmetues spanjoll.

Normalisht, ky stacion nuk do të dëgjohej në radiot amatore gjatë ditës, por qindra njerëz në Britani thanë se e kanë dëgjuar transmetimin të forcohej e të dobësohej me ardhjen dhe largimin e eklipsit. Duke qenë se nuk e kuptojmë mirë jonosferën, mund të ketë surpriza të tjera gjatë eklipseve të ardhshme, thotë ajo.

"Radioja amatore është një mjet shumë i mirë për këtë gjë," thotë Mishelë Tompsoni, shefe ekzekutive e Open Research Institute, një OJF, që merret me kërkimin dhe zhvillimin e kërkimeve për radiot. Radiooperatorët që bëjnë transmetime gjatë eklipseve do të veprojnë si një lloj "marrësi gjigant", thotë ajo. Me përmirësimin e pajisjeve të radiove, çdo herë që kryhet një eksperiment i tillë, ka më shumë mundësi për zbulime për variacionet që ndodhin në jonosferë.

Image

Sa për Bejkerin, ai po pret me padurim të lexojë rezultatet e eklipseve të ardhshme. Të dhënat mund të përmirësojnë aftësinë e tij për të bërë transmetime të suksesshme në kohë të caktuara, thotë ai. Bejkerit i pëlqen t'i vendosë vetes sfida si transmetimet e largëta që përdorin sinjale me fuqi të ulët. Ose të hedhë një antenë portative në një pemë e të transmetojë nga vendet panoramike.

Atraksioni është pjesërisht pasiguria se asaj që do të ndodhë. Është një ndjesi e veçantë kur ndez radion, bën sinjalin të shkojë në jonosferë dhe praktikisht t'u shkojë të panjohurve në distanca të mëdha, dhe kjo nuk mund të krahasohet me dërgimin e një mesazhi një prej kontakteve të tua me një aplikacion telefoni inteligjent. "Është komunikim i paprogramuar, rastësor dhe oportunist," thotë Tompsoni. Ajo ka zënë miq gjatë transmetimeve të saj. Kjo madje e ka bërë të paraqesë kërkimet e saj në një konferencë në Japoni.

Është një analogji me daljen në oqean në një varkë, shpjegon ajo. Duhet të kuptosh e t'i kushtosh vëmendje forcave të natyrës, motit, madje edhe turbulencave të atmosferës, për të arritur në destinacion.

"Është një aventurë çdo ditë," thotë ajo. "Nuk e di asnjëherë se me kë do të flasësh."/ BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco