Përballë tensioneve në rritje, objektivi strategjik kryesor i Vladimir Putin është tashmë i qartë: të shpërbëjë NATO-n dhe të ekspozojë dobësitë e aleancës. Me Rusinë që po përjeton pengesa në Ukrainë, kërcënimi i menjëhershëm për anëtarët e NATO-s si Polonia dhe shtetet baltike mund të zbutet disi.
Këtë javë, ndodhinjë nga konfrontimet më të këqija që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, dhjetëra serbë etnikë të armatosur rëndë sulmuan policinë në veri të Kosovës dhe u barrikaduan në një kishë ortodokse; një incident që la të vdekur një polic dhe tre nga sulmuesit.
Liderët e Kosovës, kuptohet, e cilësuan atë si sulm terrorist.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mohoi çdo përfshirje, duke iu ankuar ambasadorit të Rusisë në Serbi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po kryente “spastrim etnik brutal” me mbështetjen e Perëndimit.
Ky përshkallëzim është një ëndërr e realizuar për Moskën. Serbia dhe Rusia i kanë përgatitur serbët për përshkallëzime në Kosovë prej muajsh , duke ndezur tensionet në Ballkan për të larguar Perëndimin nga lufta e tij në Ukrainë.
Ata kanë vërshuar hapësirën e informacionit me propagandë duke përsëritur pretendimin e vjetër se Kosova i përket Serbisë, një artikull propagandistik argumentoi se Britania e Madhe po përgatit një luftë atje.
Siç e di çdo student i historisë së Ballkanit, një retorikë e tillë ka ndezur më parë dhunën etnike në rajon.
Rusia shpejtoi të përfitonte nga incidenti: një zëdhënës rus deklaroi se "presioni shtesë perëndimor" po e çonte "të gjithë rajonin e Ballkanit në një prag të rrezikshëm". Putini e di se nuk ka nevojë të dërgojë forca ushtarake në Ballkan – ai mund të përdorë luftën hibride për të destabilizuar rajonin dhe për të rivendosur Rusinë si të vetmin negociator të besueshëm të konfliktit atje.
Ky plan realizon tre qëllime: të largojë Perëndimin nga Ukraina, të forcojë pozitën rajonale të Moskës dhe t'i japë Putinit levë mbi fuqitë perëndimore nëse ata duan të pengojnë përshkallëzimin e konfliktit në rajon.
Përfiton edhe Serbia. Vuçiq ka qenë duke u përshkallëzuar dhe më pas de-përshkallëzuar në Kosovë duke e pozicionuar veten si shtyllë të stabilitetit dhe duke e përdorur atë si mjet pazaresh me Perëndimin. Qëllimi përfundimtar i Vuçiqit është të ruajë pushtetin dhe kriza e Kosovës e ndihmon atë të largojë vëmendjen nga çështjet e tij politike të brendshme dhe të rrisë mbështetjen për zgjedhjet e ardhshme.
Të premten Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e paprecedentë duke paralajmëruar publikisht për një “dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën”. Sado e rrezikshme të jetë kjo, Vuçiq e di se nuk ka nevojë të dërgojë ushtri. Në vend të kësaj, ai mund të përdorë librin e lojërave të Putinit dhe të dërgojë ushtarë pa shenja për të minuar Kosovën. Ndoshta kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur tashmë.
NATO ka njoftuar se është duke forcuar praninë e trupave të saj në Kosovë – me Ministrinë e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar që transferon komandën e një batalioni të ushtrisë në NATO për të ofruar ndihmë – por ajo duhet të bëjë më shumë, dhe shpejt, për të shuar dhunën dhe për të paralajmëruar Rusinë dhe Serbinë.
Më urgjentisht, ajo duhet të përshpejtojë operacionet e saj të informacionit brenda dhe jashtë vendit. Një krizë tjetër e Kosovës mund të përhapet lehtësisht në Maqedoninë e Veriut, një vend anëtar i NATO-s, dhe do të kishte implikime të mëdha për mbrojtjen evropiane në një kohë kur SHBA-ja është e hutuar nga zgjedhjet e saj të ardhshme.
Ky është një moment i rrezikshëm, por pakkush është duke folur për të.
Tre dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, tensionet etnike në Ballkan nuk janë zhdukur kurrë.
Pavarësisht epërsisë së përgjithshme ushtarake të NATO-s, ajo ka një dorë të dobët në Ballkan dhe Rusia vazhdon ta manovrojë atje. Është koha që NATO të forcojë praninë e saj në rajon dhe t’i tregojë Rusisë vendin./ Nga Ivana Stradner
Burimi: telegraph.co.uk
Përktheu: Syri.net
© SYRI.net