Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Reportazhi i BBC/ Si reagoi Rusia pas rrëzimit të avionit të Prigozhin

Reportazhi i BBC/ Si reagoi Rusia pas rrëzimit të avionit të Prigozhin

11:35, 24/08/2023
A+ Aa A-

Nga Will Vernon, BBC

Rusia është një vend plot surpriza.

Njerëzit këtu u tronditën këtë verë, pasi dronët sulmuan qendrën e Moskës në disa raste, duke shkaktuar shpërthime dhe dëme në ndërtesa.

Më pas rubla ruse pësoi një rënie të papritur- duke e kthyer shkurtimisht kursin e dollarit në mbi 100 rubla.

Shtojini kësaj edhe një mision të dështuar në Hënë: Sonda ruse Luna-25 fillimisht humbi në hapësirë, më pas u shkatërrua kur u përplas me sipërfaqen e Hënës javën e kaluar.

Por sot, ndërsa u publikua lajmi se avioni i Yevgeny Prigozhin kishte rënë nga qieli, duke u përplasur në një top zjarri në rajonin Tver të Rusisë, shumica e njerëzve nuk ishin aspak të tronditur. Në fakt, shumica e rusëve ndoshta ishin të befasuar se pse kjo nuk kishte ndodhur më herët.

Prej javësh në Rusi po qarkullonin spekulime rreth asaj se çfarë fati e priste Yevgeny Prigozhin. Pikërisht dy muaj më parë, bosi i Wagner filloi rebelimin e tij të shkurtër.

Mercenarët e tij pushtuan një qytet të madh rus dhe madje marshuan drejt Moskës. Pasi rebelimi u ndërpre, shumë menduan se ditët e Prigozhin ishin të numëruara. Në fund të fundit, rebelimi ishte një poshtërim domethënës për Kremlinin dhe presidenti Putin nuk është lloji i njeriut që fal dhe harron.

Rreth një orë pas rrëzimit, Agjencia Federale Ruse e Aviacionit lëshoi një deklaroi ku konfirmoi se emri i Yevgeny Prigozhin ishte në manifestin e pasagjerëve. Kjo është diçka jashtëzakonisht e shpejtë, pasi kjo agjenci është shumë më e ngadaltë për të reaguar për incidente të tilla. Kjo ngriti vetullat këtu.

Televizioni shtetëror rus po e mban raportimin për incidentin në minimum, duke cituar zyrtarë qeveritarë pa koment. Në buletinin kryesor të lajmeve të mbrëmjes, Kanali 1, i kontrolluar nga Kremlini, i kushtoi lajmit vetëm 30 sekonda.

Është një fakt i njohur në Rusi që kanalet televizive shtetërore shpesh presin derisa të marrin udhëzime zyrtare në lidhje me tonin e raportimit.

Sa i përket vetë grupit Wagner, kanalet në Telegram të lidhura me mercenarët, kanë pohuar se ‘Prigozhin u vra nga tradhtarët e Rusisë’. Në selinë e Wagner në Shën Petersburg, është ngritur një faltore e improvizuar. Imazhet në mediat ruse tregojnë njerëz që po sjellin lule dhe po ndezin qirinj në Qendrën Wagner.

Tani vëmendja po kthehet tek ajo që ndodhi në bordin e fluturimit. Sipas medieve ruse, hetuesit po shqyrtojnë një sërë shkaqesh të mundshme, duke përfshirë ‘veprimet e jashtme’.

Duke komentuar incidentin, analistja politike Tatiana Stanovaya tha se shkaku i rrëzimit të avionit nuk është i rëndësishëm- më domethënës është mesazhi që i dërgohet çdo rebeli tjetër të mundshëm. “Të gjithë do ta shohin këtë si një akt hakmarrjeje dhe ndëshkimi. Nga këndvështrimi i Putinit, vdekja e Prigozhin duhet të shërbejë si një mësim”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco