Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në rrugën Shkodër-Velipojë, disa të plagosur

Rritja e tensioneve mes Polonisë dhe Bjellorusisë, zbulohet lëvizja e Lukashenkos! Ja urdhri që ka dhënë

Rritja e tensioneve mes Polonisë dhe Bjellorusisë, zbulohet lëvizja e Lukashenkos! Ja urdhri që ka dhënë

22:44, 11/08/2023
A+ Aa A-

Lideri i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenko, ka thënë të premten se e ka urdhëruar kryeministrin e vendit ta kontaktojë Poloninë, dhe se është i gatshëm për bisedime për shkak të rritjes së tensioneve kufitare mes anëtares së NATO-s dhe aleates së Rusisë.

Javën e kaluar, Polonia tha se dy helikopterë bjellorusë e shkelën hapësirën e saj ajrore dhe e arrestoi një burrë bjellorus, nën dyshimin se ishte pjesë e “zinxhirit të spiunazhit rus”.

Marrëdhëniet mes Minskut dhe Varshavës, të ngrira prej disa vitesh, u përshkallëzuan qëkur Lukashenko e lejoi Moskën ta përdorë territorin bjellorus për ta sulmuar Ukrainën.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë kur Minsku u bë bazë e re e luftëtarëve të grupit mercenar nga Rusia, Wagner. Polonia e quajti këtë kërcënim dhe si pasojë e përforcoi mbrojtjen kufitare.

“Ne duhet të flasim me polakët. E kam urdhëruar kryeministrin t’i kontaktojë ata”, tha Lukashenko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Belta.

“Ne jemi fqinj dhe fqinjët nuk mund t’i zgjidhesh”, tha lideri bjellorus.

Këto deklarata të pazakonta të tij vijnë vetëm një ditë pasi Varshava njoftoi se do t’i dërgojë edhe 10 mijë trupa në kufi me Bjellorusinë.

“Ata kanë zgjedhje parlamentare më 15 tetor, natyrisht se ata kanë nevojë ta përshkallëzojnë situatën… për të treguar se e kanë armatosur siç duhet [Poloninë]”, theksoi Lukashenko.

Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë, Pawel Jablonski, tha se nëse lideri bjellorus “vërtet dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet me Poloninë, atëherë mund ta bëjë këtë në mënyrë shumë të thjeshtë”.

Ai i bëri thirrje Lukashenkos të mos “e sulmojë më kufirin tonë, t’i lirojë më shumë se një mijë të burgosur politikë dhe [gazetarin polako-bjellorus] Andrzej Poczobut, ta ndalojë këtë fushatë të urrejtjes, këtë luftë hibride kundër Polonisë”.

Polonia ka paralajmëruar për provokime që përfshijnë grupin Wagner, të cilin Lukashenko po e strehon pas kryengritjes së tyre të dështuar në Rusi në qershor.

Gjatë një vizite në Shën Petersburg muajin e kaluar, Lukashenko, i ulur pranë presidentit rus Vladimir Putin, bëri shaka se luftëtarët e Wagner-it po kërkojnë “të shkojnë në Perëndim, po kërkojnë leje… për të shkuar në një udhëtim në Varshavë, në Rzeszov”.

Mijëra bjellorusë kanë shkuar në Poloni pasi kanë ikur nga atdheu i vet qëkur Lukashenko e mori pushtetin në vitin 1994./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco