Pushimet kthehen në tragjedi në Amalfi, skafi përplaset me velierën, humb jetën presidentja e shtëpisë botuese Bloomsbury USA

Pushimet kthehen në tragjedi në Amalfi, skafi përplaset me velierën, humb jetën presidentja e shtëpisë botuese Bloomsbury USA

12:28, 05/08/2023
A+ Aa A-

Adrienne Vaughan së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët kishin shkuar me pushime në Itali. Skafi me të cilin ato udhëtonin u përplas me një varkë me vela dhe fatkeqësisht Adrienne humbi jetën.

45-vjeçarja amerikane Adrienne Vaughan, presidente e Bloomsbury USA, degës amerikane të Bloomsbury Publishing, shtëpisë botuese britanike që botoi romanet Harry Potter, humbi jetën në mënyrë kaq të padrejtë dhe kaq të pakuptimtë.

Gruaja ndodhej në një skaf i cili u përplas dhunshëm me varkën me vela. Bashkë me të, bashkëshorti i saj Majk, i cili mbeti i plagosur lehtë, vajza e saj 12-vjeçare dhe djali i saj 8-vjeçar. Fëmijët nuk janë lënduar, por kanë parë nënën e tyre të vrarë para syve dhe janë në gjendje shoku.

Drejtuesi i skafit ishte nën ndikimin e kokainës

Shoferi i skafit, një 30-vjeçar nga Campania, sipas asaj që shkruan ‘Ansa’, ka rezultuar pozitiv në testet toksikologjike. Ai dyshohet se po drejtonte varkën – të cilën familja amerikane e kishte marrë me qira nga një kompani në Massa Lubrense – nën ndikimin e kokainës.

Nga imazhet e regjistruara nga pasagjerët e Tortuga – të cilat janë bërë virale – është e mundur të shikojmë prapa në momentet menjëherë pas tragjedisë, muzika në varkë befas ulet, kërcimi dhe e qeshura ndalojnë dhe dëshpërimi fillon.

“Oh, Zoti im,” thërrasin pasagjerët, duke parë nga ana e varkës teksa shohin skafin e dëmtuar nga përplasja. Një fatkeqësi që prishi martesën e një çifti të huaj që kishin zgjedhur të festonin në Tortuga dhe mbi të gjitha i ktheu në tragjedi pushimet e familjes amerikane në Itali. Pas vizitës në Romë, familja fatkeqe kishte vendosur të qëndronte në Amalfi.

Dje pasdite vendosën të bënin një udhëtim në det. Nga provat fillestare bëhet me dije se skafi po udhëtonte me shpejtësi të madhe në momentin që u përplas me skafin tjetër. Prokuroria e Salernos ka nisur një hetim të cilin ia ka caktuar Autoritetit Portual, i cili ka mbledhur shumë prova.

Ajo që mund të thuhet është se përplasja mes skafit dhe velierës 45 metra ka qenë jashtëzakonisht e fortë.

Tony Gallo, kapiteni i Tortuga, tha për Fanpage.it: “Rreth 500 metra larg bregut, një varkë që vinte nga drejtimi i kundërt papritur ndryshoi kursin me shpejtësi të madhe, na preu rrugën dhe më pas u përplas me mjetin tonë lundrues. Në momentin e përplasjes, varka ime kishte fikur motorët. Tjetri, siç shihet edhe nga videot e dorëzuara në gjykatë, edhe pas përplasjes e kishte ende helikën të ndezur”.

Vaughan, e cila ishte kryetare e Bloomsbury Publishing për rreth dy vjet dhe një drejtuese e njohur në botën botuese, përfundoi në ujë pranë helikave, me lëndime të thella dhe të rënda. Ajo u shpëtua fillimisht nga dy mjekë në bordin e varkës me vela dhe më pas u dërgua në Amalfi me një skaf që kalonte, por nuk ia doli.

Burri i saj Majk pati dëmtime në një shpatull dhe disa lëndime për të cilat u trajtua, së bashku me dy fëmijët e tyre (të cilët mbijetuan) në spitalin në Ravello. Drejtuesi i skafit ka pësuar një dëmtim të legenit dhe thyerje të brinjëve. Drejtuesi i skafit lundrues ndodhet i shtruar në urgjencën e spitalit të Salernos, ku si zakonisht iu nënshtrua analizave toksikologjike të cilat rezultuan pozitive. Tashmë priten vendimet e organeve të drejtësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco