Kërkimi për të zhdukurin nën rrënoja në Paris ndërlikohet nga ndërtesa e paqëndrueshme

Kërkimi për të zhdukurin nën rrënoja në Paris ndërlikohet nga ndërtesa e paqëndrueshme

21:16, 23/06/2023
A+ Aa A-

Paris - Ekipet e shpëtimit të Parisit po përpiqen të arrijnë te një person që dyshohet se është bllokuar në një ndërtesë në Bregun e Majtë që u shemb pjesërisht në fillim të kësaj jave në një shpërthim të fuqishëm, tha prokurori i qytetit të premten, duke përmendur një operacion kompleks dhe të rrezikshëm pastrimi të rrënojave.

Katër persona mbeten të shtruar në spital në gjendje të rëndë pas shpërthimit të së mërkurës dhe të paktën 54 të tjerë pësuan lëndime më të lehta ose tronditje psikologjike, tha në një deklaratë prokurorja Laure Beccuau.

Një person është shpallur i zhdukur, por kërkimi “është i ndërlikuar nga rreziku i vazhdueshëm që ndërtesa fqinje mund të shembet dhe nga vështirësia për të pastruar blloqe të mëdha guri”, tha ajo.

Ndërtesat në zonë u evakuuan pas shpërthimit, i cili ndezi një zjarr që u desh disa orë për t'u shuar dhe lëshoi tym mbi monumentet e Parisit, duke i lënë njerëzit  të tronditur.

Hetuesit po studiojnë nëse një rrjedhje gazi mund të ketë shkaktuar shpërthimin, ndër shkaqet e tjera të mundshme. Beccuau tha se dëshmitarët kishin ndier erë gazi.

Hetimi do të përcaktojë nëse shpërthimi ishte rezultat i shkeljes së rregullave të sigurisë, tha prokurori. Ekspertët shkencorë nuk mund të kërkojnë në atë vend derisa të sigurohet plotësisht.

Shpërthimi pranë spitalit ushtarak historik Val de Grace në lagjen e 5-të të Parisit shkatërroi fasadën e një ndërtese ku ndodhej një akademi private e dizajnit dhe arteve.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco