Rusia sulmon rrjetin elektrik të Ukrainës dhe fiton terren në lindje

Rusia sulmon rrjetin elektrik të Ukrainës dhe fiton terren në lindje

12:20, 11/02/2023
A+ Aa A-

Forcat ruse kanë bombarduar objektet e energjisë elektrike në të gjithë Ukrainën pasi zyrtarët thanë se një ofensivë e re ruse ishte duke u zhvilluar në lindje.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se 61 nga 71 raketat ruse ishin rrëzuar të premten. Por ministri i Energjisë, German Galushchenko tha se Rusia kishte goditur objektet e energjisë elektrike në gjashtë rajone me raketa dhe drone, duke shkaktuar ndërprerje në pjesën më të madhe të Ukrainës.

Rusia ka sulmuar në mënyrë të përsëritur infrastrukturën civile larg vijave të frontit, duke lënë miliona ukrainas pa energji, ngrohje apo ujë për ditë të tëra në mes të dimrit.

Sulmi i së premtes erdhi pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përfundoi një turne me aleatët evropianë, ku ai u prit me entuziazëm , por nuk siguroi asnjë premtim publik për avionët luftarakë që po kërkonte.

“Londër, Paris, Bruksel – kudo që kam folur këto ditët e fundit se si të forcojmë ushtarët tanë. Ka mirëkuptime shumë të rëndësishme dhe kemi marrë sinjale të mira”, tha Zelenskyy në fjalimin e tij të natës me video.

“Kjo ka të bëjë me raketat dhe tanket me rreze të gjatë veprimi dhe nivelin tjetër të bashkëpunimit tonë – avionët luftarakë”.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha se 10 raketa ruse ishin rrëzuar mbi kryeqytetin ukrainas pasi sirenat u ndezën gjatë orës së pikut të mëngjesit dhe civilët e lodhur u strehuan.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal tha se Ukraina ishte pa 44 për qind të prodhimit bërthamor dhe 75 për qind të kapacitetit të energjisë termike.

“Ky është një shënjestrim i qëllimshëm i infrastrukturës që i mban gjallë ukrainasit në dimër”, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Rusia ka mohuar të ketë shënjestruar civilët dhe tha se objektet që ajo sulmoi mbështesin përpjekjet e Kievit për luftë.

Ukraina është duke u përgatitur për një ofensivë të re ruse , duke besuar se presidenti Vladimir Putin dëshiron të shpallë një sukses në fushëbetejë përpara përvjetorit të pushtimit të 24 shkurtit. Guvernatorët ukrainas në rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje thanë se ajo shtytje kishte filluar.

Putini do të mbajë fjalimin e tij vjetor të vonuar në parlament më 21 shkurt. Kjo ishte data e vitit të kaluar kur ai njohu si të pavarura pjesët e Donetskut dhe Luhanskut që kontrolloheshin nga separatistët e mbështetur nga Rusia, një prelud për pushtimin.

Kapja e plotë e këtyre provincave, ndër katër që Rusia më pas pretendoi se i kishte aneksuar, do ta lejonte Putinin të pohonte se një nga prioritetet e tij kryesore ishte arritur.

Gjithashtu para përvjetorit të pushtimit, Presidenti i SHBA Joe Biden do të vizitojë Poloninë, e cila është fqinjë me Ukrainën, nga 20 deri më 22 shkurt dhe do të flasë për Ukrainën si dhe do të takohet me aleatët, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten.

Forcat ruse fokusohen në Donbas

Forcat tokësore ruse po përqendroheshin në lindjen industriale të Ukrainës, veçanërisht në provincat Luhansk dhe Donetsk që përbëjnë rajonin industrial të Donbasit ku luftimet e fundit kanë qenë më intensive, tha ushtria ukrainase. Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase atje që nga viti 2014.

Kievi ka thënë se forcat ruse po shtyjnë në pika kyçe në disa fronte në rajonin e Donbasit, megjithëse progresi rus thuhet se është i ngadaltë.

Në rajonin e Donetskut, zyrtarët lokalë ukrainas raportuan se ushtria ruse vendosi trupa shtesë dhe nisi operacione sulmuese.

"Ka një përshkallëzim të përditshëm dhe sulmet ruse po bëhen aktive në të gjithë rajonin," tha guvernatori Pavlo Kyrylenko.

Në provincën Luhansk, ushtria ruse po përpiqet të godasë mbrojtjen e Ukrainës, sipas guvernatorit rajonal Serhiy Haidai.

“Situata po përkeqësohet, armiku vazhdimisht sulmon; rusët po sjellin një sasi të madhe pajisjesh të rënda dhe avionësh”, tha Haidai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco