‘Mesazhi në gjuhë perse’/ Irani kërkon ndihmën e Putinit për të ndalur protestat

‘Mesazhi në gjuhë perse’/ Irani kërkon ndihmën e Putinit për të ndalur protestat

23:13, 03/12/2022
A+ Aa A-

Udhëheqësi suprem i Republikës Islamike të Irani, Ayatollah Ali Khamenei, i ka kërkuar presidentit rus, Vladimir Putin, ta ndihmojë në përpjekjen për të ndalur protestat e mëdha të popullit iranian, kundër regjimit të tij.

Kështu është bërë me dije nga televizioni “Iran International”, i cili bazën e ka në Londër të Britanisë së Madhe, por i drejtohet lexuesve iranianë në gjuhën perse.

Sipas një raportimi nga kjo media, Irani po i kërkon Moskës ndihmë, kryesisht me pajisje dhe këshilla, për të përballuar fluksin e madh të protestuesve kundër regjimit.

Demonstrat, kanë filluar prej rastit të vdekjes së një vajze 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila u rrah barbarisht nga Policia e Moralit në Iran, nën arsyetimin se nuk e kishte vendosur sipas kodit islamik shaminë.

Më pas, me gjenezë në këtë rast, dhjetëra mijëra qytetarë të indinjuar nga regjimi i Khameneit, vërshuan në Teheran dhe qytete të tjera, me qëllim largimin e Qeverisë dhe regjimit nga detyra, për një shtet më të drejtë me qytetarët dhe më demokratik.

Protestat u mbështetën botërisht nga liderë shtetesh, figura të njohura, por edhe njerëz të thjeshtë, duke inkurajuar popullin iranian të demonstronte në kërkim të lirive themelore të njeriut.

Veçse, me kohën, përleshjet u bënë të ashpra mes protestuesve dhe efektivëve policore, duke shkaktuar qindra viktima.

Mbi 15 mijë persona, janë raportuar të jenë burgosur, në kushtet kur dy qytetarë, kanë marrë edhe dënim me vdekje, për akte vandale kundër regjimit në protesta.

Një kauzë e tillë u parashtrua edhe në futboll, gjatë zhvillimit të kupës së botës në Katar, ku përfaqësuesja iraniane refuzoi të këndonte himnin kombëtar në ndeshjen hapëse, të cilën e zhvilloi kundër Anglisë.

Kjo gjë shkaktoi revoltë të madhe të regjimit të Khameneit, duke raportuar nga media të ndryshme se ka pasur edhe kërcënime ndaj lojtarëve iranianë.

Me eliminimin në kupën e botës kundrejt kundërshtarëve amerikanë, një tjetër çështje u ngrit, ku një qytetar, i cili e festoi eliminimin e Iranit, u vra në Teheran.

Ndaj, duke parë shkallën e gjerë të protestave dhe një përkeqësim të mundshëm të tyre, Khamenei i është edhe Putinit, si një ndihmë shtesë, duke vijuar bashkëpunimin e afërt në këtë front dypalësh, teksa furnizimet për Rusinë me raketa e dronë të prodhimit iranian, raportohet se nuk janë ndalur në asnjë çast.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco