Arrestohen ish-ushtarë gjermanë, dyshohen për plane terroriste në një shtet të huaj

Arrestohen ish-ushtarë gjermanë, dyshohen për plane terroriste në një shtet të huaj

13:03, 20/10/2021
A+ Aa A-

Dy ish ushtarë gjermanë janë arrestuar nën dyshimin se janë përpjekur që të formojnë një forcë mercenare terroriste për të luftuar në luftën civile të Jemenit, thanë prokurorët gjermanë.

Arend-Adolf G. Dhe Achim A. përballen me akuza për terrorizëm pas bastisjeve të policisë në jug të Gjermanisë të mërkurën, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Dyshohet se këta dy ish-ushtarë e kishin planifikuar rekrutimin e 150 burrave për një ushtri private të përbërë nga ish-policë dhe ish-ushtarë.

Ata donin që shërbimet t’ia ofronin qeverisë së Arabisë Saudite për misionet e paligjshme në Jemen, thanë prokurorët.

Sipas prokurorëve, ish-ushtarët e akuzuar donin që Arabia Saudite t’ua financonte operacionet private në Jemen. Të dyshuarit u munduan që t’i kontaktojnë agjencitë e qeverisë së Arabisë Saudite, por nuk morën përgjigje dhe përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme.

Prokurorët pretendojnë se Arend-Adolf G. Dhe Achim A. kishin vendosur që të formojnë një forcë mercenare nën komandën e tyre ekskluzive në fillim të këtij viti. Sipas prokurorëve, dy të akuzuarit planifikonin që secilit anëtar të grupit t’i jepnin rrogë prej rreth 40.000 eurosh në muaj.

Arend-Adolf G. Dyshohet se tashmë është përpjekur që të rekrutojë të paktën shtatë persona, transmeton Gazeta Express.

Revista gjermane “Spiegel”, e cila e para raportoi për arrestimet, tha se forca mercenare ishte e planifikuar për të sulmuar dhe kapur zona që janë nën kontrollin e rebelëve Houthi në Jemen.

Prokurorët gjithashtu dyshojnë se burrat e akuzuar donin që ta reklamonin shërbimin e tyre ushtarak për t’u angazhuar në konflikte tjera.

Duke cituar burime, revista “Spiegel” tha se një informatë nga Shërbimi Ushtarak i Kundërzbulimit (MAD) bëri që hetuesit t’u bien në gjurmë dy burrave të dyshuar.

Njëri nga të akuzuarit u arrestua në Mynih dhe tjetri në distriktin jugperëndimor, Breisgau-Hochschwarzwald. Banesat e tyre në Bavari dhe Baden-Wurttemberg janë bastisur.

Të dy të arrestuarit pritet që të dalin në gjykatë të mërkurën në një seancë për caktimin e paraburgimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco