Po ne, mësuesit...?!

Po ne, mësuesit...?!

17:20, 10/10/2023
A+ Aa A-

Nga Irma Marku

Ditë e hënë!

Mëngjes dhe diell. Mora këmbët, duke kërkuar gjithë entuziazmin zbehur në këtë dekadë agonie, për të shkuar në shkollë. E gjerba kafenë me shpejtēsi. Duhet të kisha mësim orën e parë.

Mirë mëngjesi! - U them hareshëm nxënësve.

Ata më buzëqeshën me kokat ulur.

 Epo, përgjumshëm- mendova - fundjava i ka këto.

U mundova gjatë t'i përfshija në diskutim, por e kotë. Diç nuk shkonte dhe kjo qēndronte varur në tavanin gjysmë të ndriçuar të klasës.

- Na qenkan djegur neonët - u thashë, me shpoti.

Supe të mbledhura e portrete të zhgënjyera. Asnjë romuz, a koment...Hiç!

Befas, dera trokiti dhe u dha kumti për daljen me qetësi tē nxēnësve, pasi mbaheshin zgjedhjet për president të shkollës.

Sa mirë-  mendova e qetësuar. - kjo do ti gjallërojë.

Fëmijët u kthyen shpejtë, edhe mē të heshtur nga ç'dolën.

More, ç'ka sot me ju?!- i pyeta e shqetësuar.

- I bëmë votat të pavlefshme zysh!- ma priti një nga më skrupulozët e klasës.

- Nuk i meritojnë votat tona- ma ktheu një tjetër me zërin që i dridhej.

U trondita...

 Kjo nuk është gjë e mirë. Ju duhet ta shprehni preferencën tuaj me votë - u thashë me gjysmë zëri. -  gjithsesi, vazhdojmë mësimin!

- Kush të len ktu me pas preferenca o zysh - u dëgjua një zë i dorëzuar andej nga fundi.

Tentova ti përfshij në detyra ato minuta të mbetura dhe u largova nga klasa me një lëmsh që po më mbyste.

Në korridor dëgjova biseda të revoltuara. -  Fitonte Laerti, ndaj e përjashtuan... Kjo nuk durohet.

Lēmshi mu bē i thiktë.

E njëjta situatë edhe në oborr.

Ç' po ndodhte pra me ta?

- Na kanë poshtëruar zysh!

- Nuk kan pranu Drejtoresha dhe komisioni i zyshave Laertin. Kan përzgjedh tre vitparista, që nuk kan pik lidhje me ne. As njofin shkollën, as ia kan haberin ça osht Ismaili!

-Dhe pse? - se Laerti osht i djatht. Veç kët "t' met" ka Larti o zysh

Rrebeshi i revoltës mu përplas në fytyrë e unē ndjehesha e pamundur që tii qetësoj, a këshilloj.

Ç'tu thosha???? Se drejtuesit e shkollës na trajtojnë ne stafin sikur ata!?  Që çfarëdo zgjedhjeje bēhet me piketim emrash paraprakë nga drejtuesit dhe kulmohet me teatrin e votimit me vota tē fabrikuara? Se përzgjidhen shpinulurit, për të përmbushur qejfet dhe inatet e shefave? Se nëse situata u del nga kontrolli e votohet jashtë orientimit fillojnë kërcënimet e gjithfarshme, përndjekjet, skenaret, linçimet.

E rendë... Këto gulçe jemi mësuar ti përtypim.

Unë jam mësuese. Duhet ta nxis mendimin kritik tek nxënësi. Ta çliroj nga komplekset. Ta bëj që të gjenerojë ide. Ta...

Mundohem, por ja. Si ti ndihmoja nxënësit e mi?!

- Përse nuk e kërkoni me një shkresë institucionale?- i pyeta.

-Po ça thu m'zysh!. Ne kena komentu edhe tek faqa zyrtare e Ismailit, ene na i kan fshi komentet. Kan shkrujt gjithë ata nxënës.

- Censurē, kuptoj. Po Laerti?

- Laerti e boni si burrat zysh. Kur Drejtoresha u munu ta ulte kërkoi shpërnguljen. Iku n'Sami. Ça do merrej me kto që persekutojn nxonsit eee!

Pas kësaj u informova dhe mora vesh që, në garën për president të shkollës kandidonin 6 nxënës, ndër ta edhe dy nxënës tē vitit të dytë, siç e përmban edhe statuti i qeverisë së nxënësve. Njëri ishte përjashtuar me pretekstin se "nuk e lejonin zyshat italiane" dhe tjetri se kishte qëndruar "ftohtë" e nuk u ishte servilosur komisionereve.

Pas kërkesës së djalit për të arsyetuar seriozisht përjashtimin nga gara, arroganca e drejtueses i kishte urdhëruar që t'i kërkonte falje të gjithë mësuesve dhe pastaj mund ta rifuste në garë.

Falje? Por për çfarë? Dhe nëse kishte bërë shkelje, po Drejtoresha çfarë po shkelte. Dinjitetin e një 17-vjeçari? Po u tregonte të tjerëve se shkolla është pronë e saj dhe ajo bënte ç'të donte me jetët e tyre? Apo po u lektonte nxënësve se në këtë vend duhet ta përdorësh shtyllën kurrizore veç për të kaluar rrugën???

Po ne, mësuesit...

Në një shtet gangsterësh, të paaftësh, injorantësh dhe amoralësh ne, mësuesit jemi shtylla e turpit ku fshikullohen fëmijët tanë, për të mbushur urinë perverse të shefave të vegjël, dështakë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco