Kush ka të drejtë o ma?

Kush ka të drejtë o ma?

17:16, 10/10/2023
A+ Aa A-

Nga Sonila Meço

‘Theo më sugjeroi Baladën në G minor të Chopin. Duhet ta dëgjoj dhe të gjej partiturat. Diçka nga filmi ‘Pianisti’ përmendi, por nuk jam e sigurt’, -erdhi gjithë vrull Amaris si pas çdo bisede për muzikën.

Ia hapa në Youtube, skenën nga kryevepra e Polanskit dhe Brody-t, ‘The Pianist’, një çast kur me duart e ngrira nga acari, frika dhe uria, Szpilman, një pianist polako-hebre, i mbijetuar i Holokaustit luan pas kërkesës së një oficeri gjerman, që zbuloi prezencën e tij në rrënojat e një shtëpie në Varshavën e bombarduar. Jeta e tij do të varej nga ai çast, nga virtuoziteti i tij mbi një piano në rrënoja karshi pasionit të armikut për muzikën klasike.

Amaris duroi vetëm minutën e parë të atyre 300 sekondave të mrekullisë së Chopin dhe me një kërkesë të prerë tha: ‘Dua të shoh filmin!’.

Rezistova gjatë, sepse për këdo njeh e ka parë filmin është një dozë drame, dhimbjeje, makabriteti e vuajtjeje, që edhe për të rriturit e sprovuar është mbidozë emocionale. Filmi me regji të Roman Polanskit, nën interpretimin e Adrien Brody-t është bazuar mbi librin autobiografik të Władysław Szpilman, pianist dhe kompozitor polako-hebre, që rreket t’i mbijetojë shkatërrimit të getos së Varshavës në Luftën e Dytë Botërore. Një betejë e rëndë plot tragjedi, ku në luftën për mbijetesë ndaj tmerrit nazist, si në një përpjekje elementare tipike kafshërore, autorët e filmit dëshmojnë njerëzoren në gjithë ndërlikimin e saj.

Paradoksi njerëzor bën kërdinë në rrëfimin autobiografik. Në po të njëjtin film të shqyejnë shpirtin britmat e një nëne, që mbyt fëmijën hebre me duart e saj për mos t’ja torturuar nazistët dhe disa minuta më vonë një oficer nazist, që përlotet dhe i shpëton jetën një hebreu virtuoz, sepse dashuron pianon dhe muzikën. Kërleshje e instiktit kafshëror me ndjeshmërinë njerëzore, ku arsyeja përpëlitet si e marrë të gjejë pak paqe në 150 minuta të llahtarshme.

Dhe paqja vjen për herë të parë me një frymëmarrje të thellë çlirimi pas shumë e shumë minutash ankthi, mu tek Balada në G Minor e Chopin, nga duart e pianistit. Mu desh të flas e shpjegoj gjatë filmit, sepse kurrë më parë ime bijë nuk kish parë me aq brutalitet krimet e nazizmit ndaj hebrejve. Dhe pyetja e përsëritur, e pa shterueshme, që i vinte si me komandë në çdo minutë të pafundme e frymëmpakëse filmi qe: ‘pse kjo urrejtje kaq e madhe?’

U desh të kalonte përmes kafshërisë e barbarisë së pashpirt të atyre ngjarjeve reale, që të mbërrinte tek pjesa e sugjeruar nga Theo.

Oh ç’mrekulli tingujsh! E dëgjoi si e uritur, si e etur, e mahnitur, u përlot, i rrihte zemra aq sa ia dëgjoja rrahjet më fort se baladën…priti me durim fundin, gezoi për triumfin e së mirës dhe mbijetesën e artistit, pavarësisht se me familjen të shfarosur në kampet e përqendrimit.

Unë po e rishihja për herë të tretë këtë film. Dy herët e para pa u bërë nënë. Mu duk si film i ri, sepse edhe konteksti i jetës në një botë gjithnjë e më të acaruar ka ndryshuar bash. Aty për aty mendova sa shpejt harron njerëzimi. Dhe se si e kultivon për të zezën e vet në një formë indoktrinimi kujtesën. Sepse harrojmë dhimbjen e ushqejmë hakmarrjen.

Më kish shpëtuar pa e ngulur në kujtesë thënia, që Henryk, vëllai i Wladyslaw citon nga ‘Tregtari i Venedikut’ të Shakespeare-t teksa kërkonin shpagimin ndaj sulmeve e urrejtjes së disa njerëzve mbi mishin dhe gjakun e njerëzve të tjerë:

‘Nëse na shponi, a nuk na rrjedh gjak? Nëse na gudulisni, prisni mos qeshim? Nëse na helmoni, a nuk vdesim? Dhe nëse na bëni padrejtësi, prisni mos hakmerremi?’.

Nga ta dija se pak javë më vonë në këto ndjesira të rënda do më duhej t’i shpjegoja sime bije edhe lajmet e pashmangshme, videot virale me vrasjet, torturat dhe krimet pas sulmit të Hamas-it mbi një festival arti në Izrael pranë kufirit me Gazën dhe kundër-reagimit izraelit.

‘Kush ka të drejtë o ma?’, pyet Amaris. E mua më duhet t’i shpjegoj, që kurrë mos e kërkojë të vërtetën e të drejtën në vetëm pak minuta, në ca tituj portalesh a video virale. As Polanski nuk e mëtoi në 2 orë e 30 minuta histori reale, rrëfyer në vetë të parë nga dëshmitar okular i një lufte të tmerrshme 6 vjeçare, ndërsa konflikti izraelito-palestinez është ku e ku më i gjatë. Edhe pse ngjashmëritë në disa detaje janë të frikshme, geto Varshave, geto Gaze…vrasje e përdhunime, pengje e tortura…

Por përtej kësaj, në ngjarje të pakrahasueshme rrethanash, kohe, protagonistësh ngecja në urrejtje të llahtarshme e njerëzimit mbetet e vetmja konstante. Që kurrë nuk e justifikon dot një luftë si të drejtë a të gabuar. Dhe kurrë s’mund të shterojë përgjigjet në pyetjen e pashmangshme ‘kush ka të drejtë, o ma?’

Urrejtja nuk është fatkeqësi natyrore, dhuna e përmasave të tilla nuk është instikt, por një vepër e përllogaritur dhe qepur mirë edhe në ndërgjegje. Të paktën të mençurohemi në reagime në rrjete se po na tronditet shpirti dhe fëmijët nga zgjedhja kaq e lehtë e dhunës si shkak e përgjigje.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco