Pakt kombëtar për funksionet publike të kërcënuara nga shpopullimi

Pakt kombëtar për funksionet publike të kërcënuara nga shpopullimi

12:22, 16/08/2023
A+ Aa A-

Nga Andi Mustafaj

Më 20 Korrik, Parlamenti shqiptar miratoi projektligjin “Për trajtimin e studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”.

Ky projektligj është sjellë nga Qeveria përpara Parlamentit nëpërmjet një procedure të përshpejtuar dhe synon të vendosë një sistem të ri të ndjekjes së studimeve në degën e mjekësisë dhe në ushtrimin e viteve të para të profesionit si mjek në Shqipëri.

Nëpërmjet këtij projektligji, studentët e mjekësisë do të kenë mundësi:

-Të nënshkruajnë një marrëveshje me shtetin, ku sipas vitit të studimit në të cilin ata gjenden, angazhohen të punojnë 2 deri në 5 vite pas mbarimit të studimeve në sistemin shëndetësor shqiptar. Në këmbim, shteti u mban atyre diplomën për aq vite dhe u ofron tarifën e studimit falas, përparësi në punësim në përfundim të shkollimit dhe lehtësira për banesat sociale.

-Të mos e nënshkruajnë këtë marrëveshje dhe të jenë të lirë në projektet e tyre profesionale. Një zgjedhje e tillë sjell si pasojë pagesën e një tarife të lartë studimi (e cila do vendoset nga Universiteti) dhe mungesën e trajtimit të barabartë në punësim (përtej meritave të arritura gjatë shkollimit).

Sipas qeverisë, ky projektligji ka për synim të luftojë kundër ikjes së mjekëve jashtë shtetit, veçanërisht mjekëve të rinj.

  • Mbi formën/procedurën:

Ligji i miratuar është i një cilësie shumë të dobët dhe tregon një përgatitje dhe një nivel të ulët të administratës publike shqiptare, veçanërisht asaj që ka një detyrë madhore si konceptimin dhe hartimin e akteve ligjore.

Dokumentet shoqëruese të projektligjit nuk përmbajnë asnjë studim krahasues. Problematikat që lidhen me politikat për të tërhequr dhe mbajtur mjekët në zona të caktuara gjeografike gjejnë zgjidhje të ngjashme në të gjitha shtetet e botës, qofshin këto shtete të varfra apo të pasura. Problematika të ngjashme janë edhe ato ku nëpunësit e lartë të shtetit arsimuar në publik shkojnë drejt privatit pa kryer një numër të caktuar vitesh pune në administratë.

Për shembull, në Francë, mjafton një kërkim i shpejtë në internet për të parë se ka studime të shumta që lidhen me mungesën e mjekëve në zona rurale që quhet “Désert médicaux” (shkretëtirë mjekësore). 

Në vende të tjera si Gjermania, mungesa e mjekëve lidhet me vjetërsimin e popullsisë, kurse në SHBA, mungesa e mjekëve lidhet më shumë me ndarjen në komunitete, ku minoritetet kanë një akses në numër dhe cilësi shumë të vogël mjekësh.

Më keq, në pjesën ku administrata duhet të justifikojë opsionet e studiuara, figuron një pjesë “Status quo” (e pakuptimtë në konceptin e një reforme) dhe një pjesë “jo rregullator”, ku administrata mjaftohet duke thënë që vetëm ligji mund të rregullojë problematikat e konstatuara. Pra, asnjë opsion nuk është studiuar me të vërtetë.

Ky projektligj ndryshon rrënjësisht funksionimin e studimeve të mjekësisë me pasoja të parashikuara dhe ndoshta të paparashikueshme. Si pasojë, duhej shoqëruar patjetër me një studim impakti apo me konsultime të gjera publike. Sipas vetë relacionit bashkëlidhur projektligjit, asnjë konsultim publik nuk është bërë në përgatitjen e kësaj reforme, duke vendosur kështu një standard të keq të funksionimit të administratës, e cila shkëputet nga populli duke hartuar reforma ndryshuese mbyllur në zyrë.

  • Mbi themelin/përmbajtjen:

Arsyetimi në vetvete tregon një dashakeqësi të Qeverisë, ku disa herë dhe në vende të ndryshme të relacionit dhe dokumenteve të tjera shoqëruese, Qeveria mbështetet tek kriza e Covid për të justifikuar këtë reformë. Është e vështirë të kuptohet se cila është lidhja midis luftës ndaj Covid (e cila prezantohet si një sukses i qeverisë) dhe këtij projektligji.

Qeveria në fakt gjen argumente për të mos trajtuar realitetin e vendit tonë, që është plaga e madhe e shpopullimit. Nuk e trajton këtë çështje sepse vet shpopullimi është një simptomë e një sëmundje më të madhe që është shkatërrimi metodik i shtetit shqiptar dhe rolit të tij në krijimin e një perspektive dhe mirëqenie në Shqipëri, të cilat janë në të vërtetë arsyet më të forta dhe ndoshta të vetme që mund të luftojnë kundër ikjes së trurit në përgjithësi dhe mjekëve në veçanti.

Duke mos qenë të aftë ose duke mos pasur dëshirën të luftojnë arsyet e vërteta të ikjes së mjekëve në përfundim të studimeve të tyre ose mbas disa vitesh ushtrimi të profesionit, Qeveria tenton të godasë një kategori të cilën mund ta konsiderojmë me më pak forcë në hapësirën publike: studentët.

Ky projektligj godet gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë studentët që vijnë nga familje me më pak kushte financiare, të cilët do të jenë më të shtyrë se të tjerët për të pranuar këtë marrëveshje tërësisht të çekuilibruar. Reforma krijon dy kategori studentësh duke mos marrë parasysh pasojat e mundshme dhe thyerjen që mund të sjell midis tyre.

Nëpërmjet punësimit me prioritet, reforma e qeverisë harron kriterin e vetëm që duhet të drejtojë arsimin e lartë në përgjithësi dhe mjekësinë në veçanti, për shkak të rolit që luan në jetën e njerëzve, duke mos punësuar studentët në bazë të aftësive dhe arritjeve të tyre, por mbi firmosjen e një marrëveshje në moshë të re.

Sipas vetë të dhënave të qeverisë parashtruar në relacionin e projektligjit, vlerësohet se 2 nga 10 mjek të përgatitur në Shqipëri ikin jashtë shtetit. Kjo shifër nuk saktëson se sa ikin brenda 5 viteve të para të aktivitetit, pra mund të mendohet logjikisht që shifra reale e mjekëve që ikin brenda 5 viteve është më e ulët se 2 në 10.

Kjo shifër ka rëndësinë e vet sepse tregon në radhë të parë që administrata nuk ka njohuri të qartë të situatës që kërkon të luftojë dhe sjell një projektligj ekstrem për një problem që mund të zgjidhet dhe duhet të zgjidhet ndryshe.

Një element i fundit që vlen të theksohet është se qeveria në mënyrë të vazhdueshme zhvillon një ligjërim publik populist, ku kërkon të tërheqë mbështetjen e opinionit duke komunikuar mbi temën: “është normale që shteti mos të paguajë trajnimin e njerëzve që ikin”. Në pamje të parë, kjo retorikë ngjit sepse prek çështje ku njerëzit ndihen të braktisur, siç është ajo e shëndetit, dhe krijohet një qark ku viktima (qytetarët) fajësojnë një viktimë tjetër (mjekët e rinj) dhe sheh si shpëtues autorit e krimit (shteti i cili ka shkaktuar shpopullimin).

Që kjo retorikë të luftohet, duhet kujtuar se nëse një arsyetim i tillë vlen për mjekët, atëherë duhet të vlejë për të gjithë trajnimet në arsimin e lartë publik. Shqipëria nuk ka pse të paguajë trajnimin në marketing të një personi që ikin jashtë, të një inxhinieri, etj. Në të kundërt, shteti ka për detyrë të kuptojë arsyet e thella të shpopullimit dhe të prezantojë një strategji gjithëpërfshirëse dhe të fortë për të rindërtuar një sistem vlerash dhe shprese në Shqipëri.

  • Propozim:

Të gjitha studimet tregojnë pasojat e kufizuara të politikave publike, të bazuar ekskluzivisht mbi ndihmat financiare si mjet për mbajtjen e mjekëve në një vend. Argumenti financiar, edhe pse i rëndësishëm, është i pamjaftueshëm ndaj faktit se edhe shtetet e zhvilluara kanë probleme të ngjashme me Shqipërinë. Ky është një fakt të cilit duhet t'i mëshohet me forcë. Një politikë e bazuar ekskluzivisht mbi ndihmën financiare është një politikë pa vizion dhe që mohon realitetin e konstatuar gjithkund.

Projekti i Partisë Demokratike duhet të tregojë një bazë filozofike më të fortë dhe të shëndoshë. Çështja e studentëve të mjekësisë duhet të jetë baza e një reflektimi më të gjerë ku të trajtohen të gjitha funksionet publike në situata të ngjashme. Për këtë Partia Demokratike duhet të propozojë “Paktin kombëtar për funksionet publike jetësore të kërcënuara nga shpopullimi”. Ky Pakt duhet të bazohet në tre shtylla në çdo rast: Respekt – Perspektiv – Impakt

Që sistemi të ndryshojë, studentët e mjekësisë dhe mjekët e rinj duhet të ndihen të respektuar dhe jo më të përbuzur nga shteti sepse ata luajnë një rol jetik në shoqëri, ata duhet të kenë një perspektivë të qartë dhe pozitive të zhvillimit të jetës së tyre personale dhe profesionale në Shqipëri dhe duhet të ndjejnë se impakti i tyre është thelbësor, ose që të përkthehet në impakt në jetën e përditshme.

Respekt: Studentët që ndjekin studimet në fushat e përcaktuara duhet të konsiderohen pjesë e administratës publike sa më herët, konkretisht, gjatë periudhës së studimeve të tyre (gjatë vitit të dytë ose të tretë). Në këtë mënyrë, rritet ndërgjegjja dhe ndjenja e përkatësisë në administratë.

Studentët që ndjekin studimet në këtë kuadër duhet të përjashtohen nga tarifat studentore dhe t'u krijohen të gjitha kushtet që të mendojnë jetën e tyre në Shqipëri.

Ky sistem mundëson gjithashtu që të mendohet një sistem më i butë në rast dalje herët nga administrata, duke u bazuar në sistemin francez. Një nëpunës i lartë i administratës ( referuar shembullit Francez), trajnuar në atë që quhet më përpara “EcoleNationaled'Administration” dhe që quhet sot quhet  INSP (Institut National du Service Public), duhet të paguajë një kosto nëse dëshiron të punojë jashtë administratës pa kaluar 10 vjet nga diplomimi në këtë shkollë (në këtë kuptim lufta që mos të ikin nëpunësit e lartë të shtetit trajnuar nga arsimi publik në privat është një betejë e ngjashme me atë të mbajtjes së mjekëve në Shqipëri)[1].

Detyra dhe përgjegjësi, vetëm kështu mund të ndërtohet një shtet i fortë, jo siç dëshiron ta bëjë Rilindja me dhunë dhe detyrime.

Në këto funksione jetike për vendin, duhet gjithashtu që administrata të identifikojë që në gjimnaz studentët e shquar në zona rurale ose në qytete të vogla, e të inkurajohen drejt studimeve në degët e ndryshme të  mjekësisë. Studimet në SHBA tregojnë që mjekët që vijnë nga minoritete kanë probabilitet më të madh të kthehen të punojnë për komunitetet e tyre.

Perspektiv: perspektiva krijohet duke i ngarkuar Ministrisë së Arsimit, por edhe Ministrisë së Jashtme, një rol proaktiv në sigurimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe trajnimeve praktike të vazhdueshme të mjekëve të rinj, të cilët, fatkeqësisht, shumë shpesh, kur diplomohen nga nje universitet me infrastrukturë të vjetërsuar (teknologjia, mjetet didaktike etj.),pas kryerjes se praktikave në spitalet shqiptare (të cilat kanë gjithashtu mungesë te theksuar te teknologjisë së fundit), shkëpusin pak nga pak fillin me trajnimin e vazhdueshëm.

Qeveria shqiptare duhet te ketë si qëllim formimin e një akademie mjekësore nga diaspora. Të sigurojë prezencën e profesorëve të jashtëm nga diaspora shqiptare (që mbajnë grada shkencore e kanë publikime nëpër revista prestigjioze shkencore) që të ofrojnë përvojën e tyre në periudhat e specializimit nëpërmjet:zhvillimit të programeve universitare në Universitetin e Mjekësisë dhe ndihmesës si korrelator në publikimin e punimeve shkencore të studentëve gjatë specializimit.

Shteti duhet gjithashtu që t'i përgjigjet një problematike thelbësore, në mënyrë që një mjek të shohë jetën e tij/saj në Shqipëri, dhe kjo është siguria e tij/saj. Pakti kombëtar duhet të garantojë një siguri më të fortë për mjekët, të cilët kërcënohen shpesh gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Diçka inovuese që mund të mendohet është pajisja me aparatura të veçanta të tipit “bip”, të lidhura drejtpërdrejtë me policinë, ku shkrepja nga mjeku të sjell ndërhyrjen e shpejtë të forcave të rendit.

Impakt: qeveria dhe shteti duhet të jenë gjithmonë promotorë të simboleve dhe rrymave pozitive në shoqëri për të ndërtuar lidhje të forta midis individëve. Mjekët, që në kohën e studimeve të tyre duhet të ndjejnë rolin e fortë në një shoqëri si e jona.

Për këtë, ata duhet të jenë qendra e një fushate vjetore dhe kombëtare bazuar në dy shtylla kryesore:

Trajnimi masiv për dhënien e ndihmës së parë, që është aktualisht diçka tërësisht e nënvlerësuar në Shqipëri. Studentët e mjekësisë mund të krijojnë në kuadër të studimeve të tyre ura bashkëpunimi me organizatat rinore, nëpunës të bashkive etj. Në këtë mënyrë, në vendin tonë krijohet mundësi trajnimi që mund të shërbejnë në të ardhmen për të përgatitur personel të aftë, që mund të mendohen ndërmjetëse për ndihmat e para e ardhur në ndihmë mjekëve të mbingarkuar. “Emergencyparamedic”[2].

Për këtë mund të krijohen edhe marrëdhënie me personelin ushtarak të cilët shpeshnë zonat ku gjenden kazernat e tyre mund të luajnë një rol të rëndësishëm në popullsi. Mund të mendohet që forca zjarrfikëse të bëhet pjesë e ushtrisë dhe të trajnohet për këtë fushë së bashku në bashkëpunim ose drejtpërdrejtë nga studentët e mjekësisë.

Krijimi i “Delegacioneve mjekësore” ku grupe te vogla studentësh në cikël të avancuar, së bashku me një nga profesorët me përvojë, të shkojnë në zona të largëta me akses shumë të vogël në mjekësi dhe të bëjnë konsulta e t’u japin ndihmë banorëve për të forcuar impaktin që ata kanë në shoqëri që në momentin që janë akoma studentë.

Disa propozime të tjera mund të jenë:

  • Lehtësimi i barrës fiskale për mjekët dhe familjet e tyre për të përmirësuar situatën financiare.
  • Incentivimi për hapjen e studiove personale private vitet e para të ushtrimit të profesionit.
  • Përshtatja në Shqipëri e Legjislacionit(articolo 16, comma 1, D.Lgs 147/2015 e më pas rishikuar dhe dedikuar për tërheqjen e trurit në 2022) të aplikuar në Itali i cili u përdor nga Qeveria italiane për të inkurajuar kthimin e qytetarëve që vendosin të kthehen në vendin e tyre e që ju mundëson lehtësimin e blerjes së shtëpisë së parë përmes zvogëlimit të taksave indirekte të nevojshme për blerjen.
  • Stimujt për edukimin shëndetësor dhe rekrutim, d.m.th., grante, hua, bursa, programe të ripagimit/faljes së kredisë shtetërore ose programe bursash, programe për ripagimin e kredisë së fakultetit, përfitime tatimore dhe të tjera.
  • Kurrikula me orientim rural për të rritur numrin e të diplomuarve në shëndetësi të përgatitur për praktikën rurale.
  • Mundësitë e trajnimit klinik rural, duke përfshirë programet e qëndrimit.
  • Shërbimet e teleshëndetësisë nëpër linjat shtetërore.
  • Llojet e reja ose alternative të ofruesve që praktikojnë në zonat rurale.
  • Bursat dhe programet e ripagimit të huave për të përfunduar trajnimin e profesioneve të kujdesit shëndetësor, të ofruara nga Komiteti apo Ministria e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar për studentët që pranojnë të kryejnë një angazhim shërbimi në zonat e mungesës së profesionistëve shëndetësorë.
 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco