Si e shkuara jonë do të bërtasë përjetë dobësitë psikologjike e intelektuale!

Si e shkuara jonë do të bërtasë përjetë dobësitë psikologjike e intelektuale!

11:43, 11/08/2023
A+ Aa A-

Nga Dr. Pranvera Shehaj

Frymëzuar nga libri “Midis Krimeve dhe Mirazheve” (Besnik Mustafaj, 2022)

Si tepër vonë e lindur për ta jetuar ardhjen e demokracisë në Shqipëri, e cila, sic e quan autori të cilit i referohem përgjatë shkrimit – mbeti Mirazh - kam kërkuar ta zëvendësoj me stimulimin e imagjinatës përmes rrëfimeve të kthyera në histori libri të protagonistëve të atyre fillim-viteve 90’. Për rastësi, apo ndoshta edhe për zgjedhje, ngjarjet e atyre viteve i kisha imagjinuar përmes këndvështrimit të studentëve, të cilët sot janë gazetarë, publicistë a shkrimtarë që rrëfejnë bukur të vërtetën e protagonizmit të të rinjve universitarë në atë ngjarje shpresëndjellëse për një popull që lirinë e kishte groposur ose në burgje, ose masivisht në dashurinë për partinë. E sigurisht, perspektiva entuziaste, - ajo e studentëve që hodhën përtokë bustin etalon të kalbësirës shpirtërore që vec një përbindësh di ta manifestojë, si të besonin vërtet se rrëzimi i bustit do të mbyllte hesapet me të shkuarën e do të shlyente mëkatet që bindshëm besoj se janë llogari e tjetër bote, - më kishte lënë gjithmonë një shije zilie për faktin se ai brez pati fatin të përjetonte ndjesitë e të qenurit hero. Kjo zili u shua, u kthye në ndjesi asnjëanëse, gati shpërfillëse, ndërsa lexoja të fundit fjali të pasthënies së Dardan Mustafaj në librin e ish-politikanit e shkrimtarit, Besnik Mustafaj: “Im atë kishte të drejtë: liria e sotme, edhe pse e kërcënuar dhe nën hijen e një mirazhi, sigurisht që është më mirë sesa ai regjim pasi, përkundër brezave të mëparshëm, brezi im gëzon ende mundësinë që, pa rrezikuar kokën, të shkruajë historinë e tij në shërbim të Shqipërisë, për t’i dhënë asaj të ardhmen sipas aspiratave të tij” (Besnik Mustafaj, 2022. Midis Krimeve dhe Mirazheve. Onufri, fq. 311). Në mendjen time këto fjalë prodhuan një déjà vu, atë të aftësisë që përgjithësisht kanë intelektualët: të mbjellin shpresa edhe aty ku masa nuk i sheh, të përdorin largpamësinë për të gjetur rreze drite edhe aty ku errësira sundon, ashtu sikurse dinë të shuajnë gëzimin kur masa rrëmbehet në boshësinë e propagandës. Në përfundim të këtij libri, pyeta veten se a duhej ta kisha vërtet zili atë brez të rinjsh? A ia kishin dalë të na falnin ne brezave të ardhshëm një vend të paktën jo diktatorial, apo symbyllurazi ishin marrosur pas urisë për gjithcka nuk kishin patur, e në fakt kishin dështuar duke besuar utopinë e ndërrimit të sistemit? Këto pyetje ishin fillesa e një analize që shpesh e kisha menduar, por asnjëherë strukturuar e hedhur në letër.

Së pari: Shqiptarët nuk kërkuan kurrë llogari.

Revolucionet e kadifejta, apo demokratike sic quhen në gjuhën pozitiviste politike, edhe pse për përkufizim njihen për aktet revolucionare me mjete demokratike, më së shumti njihen ato edhe për pandryshueshmërinë e klasës politike aktive. Shembulli klasik i ardhjes së “demokracisë” në Shqipëri. Është për t’u habitur se si në atë vrull të paepur të ndërrimit të sistemit, të pashqetësuar vazhduan në rrotat e pushtetit disa ish-ministra të regjimit, sekretarë partie, ish-anëtarë të byrosë politike, e deri pasardhës të denjë të liderëve të regjimit. Me përjashtim të liderëve të studentëve dhe protagonistëve kryesorë që i dhanë formë politike ideve të tyre duke krijuar Partinë Demokratike, të tjerët u qëndruan krah studentëve e rinisë përmes strehimit në partinë që ndryshoi emër, nga komunistë, në gjuhën post 90’, ata ishin socialistët, po njëlloj si demokratët, përkrahës të lirisë, demokracisë, e “Shqipërisë si gjithë Evropa”. Socialistët mbetën imunë nga e shkuara përsa kohë të pashqetësuar nga shqiptarët, të cilët duket se helmin e pështjelluar në vite e përqëndruan më së shumti në akte që do bënin zhurmën qetësuese për dhimbjen e tyre, si hedhja e bustit e parullat anti-Nexhmije, e anti-Ramiz. Si shpjegohet që si rrallë në historinë botërore, përgjegjës të drejtpërdrejtë ose jo të masakrave njerëzore të diktaturës më të egër në Evropë, kamuflohen kaq lehtësisht për më shumë se 30 vite në politikën shqiptare? E aq më shumë e shtroj këtë pyetje vetëm një ditë pas 10 gushtit, ditë kur Shqipëria drejtohet nga pasardhësi i një prej tre firmëtarëve të varjes së poetit Havzi Nela 35 vite më parë (10 gusht 1988).

E pse jo? Mos është mëkat të drejtosh një popull që helmin e derdh në ankesë, por kurrsesi në hakmarrje?! Së paku drejtuesit të shtetit demokratik shqiptar do të duhej që si me gomë të fshinte të shkuarën a të lante duart me një kërkim falje për gjakun që trashëgon. Po përse do të duhej ta bënte, kur shqiptarët e dinë se ai dhe socialistët e ndërruan lëkurën qysh kur ndërruan emrin e partisë?! Tani, më thoni ju, cili shtet a popull bën paqe dhe i beson veten sërish bashkëpunëtorëve të bustit famëkeq që rrëzuan? Cili popull beson se liria do t’i vinte nga të njëjtët Leviathanë që e cuan në vëllavrasje. Asnjë popull, vec atij që vëllavrasjen e quan cmim për t’u paguar në këmbim të adhurimit të kryetarit.

Së dyti, e njohim mirë aksiomën: “Kërko më shumë nga ai që mund të të japë më shumë”.

E kisha menduar teksa dëgjoja se si analistët gjithë dije e pathos, i vërsuleshin e i vërsulen të djathtës, e vecanërisht Partisë Demokratike, me këshillat që marrin tone urdhëruese: - reformohu, hapu, mbyllu, bëj zgjedhje, nuk je mjaftueshëm demokratike, lejo të rinjtë të aktivizohen, - e të tjera e të tjera këshilla miqësore e të ndjera të kësisojta. Për t’u keqardhur se si nuk mundën, nuk ditën e nuk deshën të këshillojnë ish-komunistët e krahut tashmë rozë. Qysh prej kur kam aftësi të kuptoj se c’bëhet përreth, mbaj mend se ajo parti është drejtuar nga një ish-anëtar i regjimit, e tashmë nga një pasardhës i një firmëtari ekzekutimesh. E më thoni ju, për këtë e deshën lirinë shqiptarët? Të kenë mes tyre revolucionarë që grricin si miza zhurmuese aty ku e dinë se nuk helmohen e blegërijnë aty ku tremben? M’u kujtua ky aktualitet sepse këtë presion të dhunshëm, shqiptarët e kanë ushtruar ndaj së djathtës qysh në fillimet e kësaj partie. Prej kur Partia Demokratike mori pushtetin, ashtu si aq qartë përshkruhet në librin të cilit i referohem, ajo duhej të importonte në vend gjithë c’nuk kishin ngrënë e përtypur shqiptarët për 50 vite. Në kohë rekord duhej t’i nxirrte nga mjerimi, t’i mbathte, t’i vendoste të jetonin në kushte njerëzore, t’i lidhte me botën, e nëse guxonte të mos ishte e suksesshme aq sa e kishin pritur shqiptarët, ky popull e kërcënonte se do të hidhej në krahët e kundërshtarëve, të ish-komunistëve, atyre pra, socialistëve, të cilit të paktën deri në 1996, bënin një opozitë agresive.

Së treti: Shqiptarët e deshën lirinë më së shumti për materie.

“Shqipëria si gjithë Evropa“, u përkthye në Shqipëri pjesërisht dhe shumë sipërfaqësisht vetëm në materie. “Një guaskë bosh“ thuhet në libër, një guaskë që në pamje të parë të jep idenë e një vendi që adhuron perëndimoren do shtoja unë. E për fat të keq, në këndvështrimin tim, këtë e manifeston aq vulgarisht vetëm në materie. Ajo që populli ynë vuan më së shumti nga e kaluara e errët diktatoriale, e që shpreh masivisht kur diskuton mbi të shkuarën, është mjerimi, varfëria. Rrallë, nëse ke fatin të lexosh a të takosh e të flasësh me intelektualë të asaj kohe, ata nuk i referohen aspak mjerimit apo varfërisë. Dhimbja e parë që ata shprehin është mungesa e lirisë dhe vrasja e të drejtave parësore njerëzore, ashtu sikurse analfabetizmi apo mohimi i arsimimit. Për rrjedhojë, përkundrejt diktaturës, kam përshtypjen se në këtë mirazh demokracie shqiptarët deshën që të ngopin urinë e mjerimit dhe u zhytën si në paranojë në materie. Biznese me dhe pa vend, beton që përpin natyrën, makina luksi që xhirojnë e parkohen nëpër rrugët me gropa që ende lagen me zorrë pasditeve nga gratë, hotel e rezort privé që në pjesën e pasme e ka të ngritur malin me plehra. Kështu u modernizuan shqiptarët, morën cfarë iu mungonte e agresivisht cfarë deshën. Nën gogësimat e materies, lexojnë shpërfillës se si vendi i tyre i pleqëruar tashmë nga prindërit që mbajnë fort banesat dykatëshe, vazhdon të klasifikohet ndërkombëtarisht si një shtet ku 65% e popullsisë jeton në kufijtë e varfërisë absolute, edhe pse makutëria e bizneseve që bëjnë masivisht money - laundering tall hapur pagat e profesorëve e mjekëve, ku korrupsioni është kancer që vegjeton,1 ku krimi merr jetë njerëzish cdo ditë e ku skandalet korruptive në nivel shtëtëror janë rutinë jetësore. Nëse shqiptarët e deshën lirinë për materie që kthehet në kriter klasifikimi se kush është më i shkathëti, ia dolën, edhe pse pjesërisht.

Së katërti: Varësia ndaj përcmimit dhe frika e të qenurit i pavarur përplasen me arrogancën.

Nëse do zbresim nga parimet idealiste e do pranojmë të metat e justifikuara të qenieve njerëzore, është e kuptueshme se një popull i varfër është i prirur të nënshtrohet. Kjo është e kuptueshme. Gjithsesi, kjo nuk i jep përgjigje një paradoksi karakterial në Shqipëri: jemi një shoqëri që kacafytet lehtësisht e pakursyer mes vetit, ndërsa ngërdheshet kur lideri intimidon gra, tall e vë në sedër zotërinj që varfëria i ka lënë inferiorë intelektualisht e fizikisht. Kllouni që mes turmës gjen dordolecin dhe argalis turmën, ka qenë ndër të fundit skena të fushatave zgjedhore. Po dëshira dhe përfshirja e zellshme në spiunazh në administratë, spitale e shkolla, a justifikohet vallë me frikën e varfërinë e shqiptarëve? A mos kemi të bëjmë me patologji karakteriale e pamundësia për ta parë në sy të vërtetën na con në justifikime boshe?

Së pesti: Mirazhi i demokracisë i ka bazat tek mjerimi intelektual dhe kulturor i shqiptarëve.

“The secret of freedom lies in educating people, whereas the secret of tyranny is in keeping them ignorant” (Maximilien de Robespierre). Sekreti i lirisë është edukimi i njerëzve, ndërsa sekreti i tiranisë është mbajtja e tyre në injorancë. E duam arsimimin ne shqiptarët? Librin, e duam? Të pyetur nga barometri i Euronews Albania (një studim për të cilin nuk di detaje metodologjike, e për rrjedhojë mund t’i referohem sigurisht me rezerva), gjatë vitit 2022, 74.8% e shqiptarëve nuk kishin lexuar asnjë libër, dhe vetëm 2.3% e tyre kishin lexuar më shumë se 5 libra. E frikshme apo jo? Ndoshta, por jo e papritur. Një pyetje studimore që do të më ndihmonte të kuptoja dëshirën e shqiptarëve për t’u arsimuar do të ishte për shembull një studim i detajuar mbi arsyet e emigrimit, ose për shembull cilat janë arsyet që shqiptarët i drejtohën më së shumti bankave për kredi-marrje. A thua vallë, do të dilte prioritet arsimimi më i mire e do të na thoshte se atë liri të shumëkërkuar shqiptarët e gëzuan më së shumti në arsimim? Statistikat doja t’i bashkangjisja si argument objektiv. Ndërkohë, subjektivisht mund të them se fatmirësisht jam rritur me detyrimin se librin duhej ta doja, derisa, sigurisht si të tjerë, mësova ta doja me vullnet të lirë e madje pa e kuptuar. Fatkeqësisht, në të njëjtën kohë, u rrita duke dëgjuar shpesh një shprehje “E c’të presësh nga njeriu që nuk ka lexuar një libër në jetën e tij”, e kur hidhja sytë përreth e më gjerë, mjerisht, ishin shumë. Prej kur e mbaj mend atë shprehje, rrallë zhgënjehem, ndaj nuk zhgënjehem edhe kur mendoj për Shqipërinë time.

Si përfundim, argumentat sipërfaqësisht të diskutuar më sipër, shto këtu edhe mungesën e konformizmit, nuk më lejojnë të bie dakord me mbylljen e “Midis Krimeve dhe Mirazheve”. Sigurisht, kjo është fuqia dhe merita e vetë librit, të ngrejë në mendjen time pyetjen: A mundet liria nën hijen e një mirazhi të shkruajë një histori të denjë për t’u kujtuar?

E për t’iu rikthyer titullit të këtij artikulli, mos harroni, e shkuara nuk është vetëm 30 vite më parë, e shkuara është koncept kohor aktual po aq sa e tashmja. E shkuar ishte edhe dje. Nesër, edhe e sotmja do të jetë e shkuar. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco