Të barabartë para ligjit por edhe përpara shërbimit shëndetësor...

Të barabartë para ligjit por edhe përpara shërbimit shëndetësor...

16:30, 03/08/2023
A+ Aa A-

Dr.Engjëllushe Zenelaj
 
Libri nuk gjykohet nga kopertina, ndaj dhe kush lexon vazhdimisht e di këtë parim, e po i njëjtë është edhe me lajmet apo artikujt pasi edhe "lajmi nuk duhet të gjykohet nga titulli, ndaj duhet ti lexosh përmbajtjen me kujdes dhe ta kuptosh mirë. Pikërisht këtu bëhet diferenca, kush lexon librin e di që titulli nuk përcakton esencën ndaj edhe nuk gabon as me lajmet dhe as me artikujt në rrjete sociale. Libri të mëson të jesh i vetëpërmbajtur por edhe të mësosh dije në përgjithësi....

Personalisht nuk më çudisin të paditurit, të paformuarit mjaftueshëm, të mllefosurit e rrjeteve sociale, apo ata patronazhistët rrogëtar të secilitdo kah politik qofshin etj., por kur syri më lexon qëndrime nga njerëz që shpenzojnë kohë mbi libra reagoj aq sa mundem, sepse më duket sikur hera herës tregojnë mungesë respekti së paku për librat që lexojnë duke kamufluar të vërtetën.
Kushdo që merr përsipër që të shprehet publikisht dhe nga rast i veçant ta kthej në nivel më të gjerë duhet të mendohet mirë dhe të përgatitet për mendime dhe qëndrime të ndryshme. Rasti është rast dhe nuk përbën fenomen, ashtu sikurse fenomeni nuk e përjashton rastin.

Por në secilin qëndrim që doni të mbani fakti është që sistemi i shëndetsisë në Shqipëri ka shumë difekte...edhe difektet nuk qëndrojnë vetëm tek mjekët që duan të ikin, por më së shumti tek cilësia dhe standarti i shërbimeve e cila është detyrë e politikëbërësve. Dalë ngadalë, në këtë oklokracinë mbytëse prej 30 viteve ku po lundrojmë si një det pa fund, po ia arrijmë edhe ditës që "nëse nuk ke para' nuk e shpëton dot kokën"...E trishtë por realitet(zv.ministrja, aktori, pedagogu, etj., raste të mëparshme).
Por këto s'mund ti kuptoj dikush që nëse së paku për një herë të vetme nuk është gjendur i pafuqishëm financiarisht në dyert e spitaleve, jo për shkak të mjekëve por për shkak të mungesës së protokolleve mjekësore dhe teknologjive, (më kujtohen familjarë të mi, profesori im që shiti shtëpinë të kuronte djalin e tij, etj.)

Orvatjen dhe telendisjen,  zemrën që të çahet dysh brenda kraharorit që përjetojnë familjarët e atyre që  kanë pacientë nëpër spitale s'mund ta kuptoj dikush që i ka marrë ose siguruar më se lehtshëm  arritjet kryesore në jetë (shtëpi, shkollë makinë, punë)...
Është e lehtë të lexosh libra edhe të flasësh me regjistrin e tretë gjuhësor(duke pretenduar se do na hutosh nga esenca e asaj çfarë ke thënë të cilën sado që përpiqesh ta rregullosh nuk mundesh sepse s'ke lirinë për të thënë të vërtetën) por unë besoj se në vend të tërheqjes së vëmendjes me komente mbi komente do të ishte më efiçiente të paraqisni një kritikëz sado të vogël për mungesën e shërbimeve në spitalet tona publike dhe pse jo, edhe mendimin apo sugjerimin tuaj se si mund të bëhet më mirë( ndoshta, specializim për mjekët tanë jashtë për shërbimet që kemi mangësi, sjelljen e disa mjekëve të sukseshëm që të trajnojnë mjekët tanë, si për shembull besoj e dini që shefi i pavionit të nerokirurgjisë në QSU Maryland USA, është shqiptar, madje e kemi të thjeshtë se ai di shqip, mund të komunikojë shkëlqyeshëm me mjekët tanë, gjetjen e resurseve financiare për plotësimin e nevojave për pajisje spitalore të cilat na mungojnë, sidomos ato më akute, rishqyrtim të skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore,  etj etj...).

Sot ishte dikush i njohur në nevojë dhe po ia del mbanë,  ndërkohë që shumë të tjerë anonim vuajnë në heshtje dhe grinden me veten, veçse mos harroni se të gjithë herët a vonë përplasen në derën e spitalit...e kam përshtypjen se kur ta ndjeni në lëkurën tuaj do të jetë vonë; andaj nuk ka vlerë nëse thjesht harxhoni "shkronjat e ekranit" për tu gjendur në skenë teksa shumë të tjerë vuajnë. Jeta është e shtrenjtë për cilindo, dhe jeta e çdo qënie njerëzore në rruzullin tokësor ka vlerë të njëjtë(së paku kaq e kemi kuptuar nga liritë dhe të drejtat themelore të njeriut) sepse "Të gjithë jemi të barabartë para ligjit por po kështu duhet të jemi edhe para doktorit/spitalit/ sistemit shëndetësor"...
 
Andaj kushdo që lexon dhe studjon sado pak të kontribuojë në çdo formë apo mënyrë për gjetjen  e zgjidhjeve më të mira për përmirësimin e të mirave publike të përbashkëta, dhe kjo nuk arrihet me replika pas replikë me njëri tjetrin. Pasja e një profili publik/mediatik duhet përdorur për të rritur nivelin për kërkesën e llogarisë drejtuesve e politikbërësve, vendimarrësve, etj., me qëllimin e vetëm për të përmirësuar shërbimet dhe rritur aksesin e qytetarëve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco