Çelaj: Mirë se vini në Republikën e Kanabistanit

Çelaj: Mirë se vini në Republikën e Kanabistanit

13:40, 21/07/2023
A+ Aa A-

Nga Isuf Çelaj/

Fjala në seancën e djeshme parlamentare datë 20 korrik 2023, për projekt-ligjin për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore e prodhim industrial!

”Mirë se vini në Republikën e Kanabistanit”

E nderuar zonja kryetare

Të nderuar zonja dhe zotërinj deputet

Të nderuar qytetarë!

Qeveria sjell sot për miratim ligjin e kanabisit, një projekt të vjetër të saj, që tani synon ta vërë në jetë, duke e kthyer Shqipërinë në “Republikën e Kanabistanit”.

Jo se nuk e ka bërë deri më tani në mënyrë informale. Por tashmë kërkon ta zyrtarizojë dhe të mundësojë eksportin e marijuanës kriminale, që ka mbytur sot tregjet e Europës dhe botës.

Më lejoni të nderuar t’ua argumentoj një përfundim të tillë, aspak të ndikuar politikisht, por me shqetësimin e një qytetari dhe të një prindi, që miratimi i një ligji të tillë do t’i shkatërronte të ardhmen e fëmijëve tanë pasi përdorimi i saj është kthyer në fenomen shqetësues në shkolla dhe mosha e fillimit të përdorimit ka pësuar ulje të moshës nga 12 në 10 vjeç dhe Shqipërinë tonë të përbashkët.

Së pari, a ka bërë qeveria një studim se cilat janë përfitimet e vendit nga legalizimi i kanabisit?

Përfitime ekonomike dhe shëndetësore?!

Ligji që qeveria sjell sot në seancë nuk ka një faturë financiare sesa do të përfitohet nga legalizimi i kësaj industrie, që na ka damkosur në sytë e botës. Sot kërkojmë ta legalizojmë këtë pjesë të ekonomisë kriminale, pa asnjë studim, pa asnjë shifër, pa asnjë të dhënë për përfitimin, pasi kostot i dimë të gjithë se cilat janë dhe sa të rënda janë.

Na e kanë bërë qartazi të ditur ndërkombëtarët dhe Bashkimi Europian, që e kanë kundërshtuar ashpër këtë ligj, së bashku me atë të amnistisë fiskale.

Qëndrime përballë të cilave qeveria ka mbyllur veshët, pasi i intereson Republika e Kanabistanit.

Sa para do të qarkullojë tregu i kanabisit mjekësor kur të legalizohet? As këtë qeveria nuk e thotë. Por nuk është më shumë se 10 milion euro në vit. Shumë e papërfillshme për një nismë të tillë që ngre kaq shumë risqe dhe ka kaq shumë kosto. Më lejoni t’iu sjell një shembull.

Vendi më i madh i prodhimit të kanabisit mjekësor sot në botë është Maroku, që prodhon 40 mijë ton në vit, ka të punësuar 1.5 milionë persona dhe siguron 10% të GDP-së së vet, kur GDP-ja e Marokut për frymë është sa gjysma e GDP-së sonë. E imagjinoni Shqipërinë sesa do të qarkullojë?

Sipas të dhënave, tregu i marijuanës për arsye mjekësore në të gjithë Europën është vetëm 400 milionë euro. Tregu i domateve në Europë është 12 miliardë euro. Ne nuk kemi pasur sukses të cajmë tregun tek domatet, sa janë shanset që të kemi tek marijuana?

Shqipëria pritet të prodhojë jo më shumë se 100 litra vaj kanabisi në vit dhe të qarkullojë jo më shumë se 10 milionë euro. Por ky ligj nuk bëhet për kaq para, pasi për këtë shumë thuajse të papërfillshme për buxhetin dhe ekonominë, nuk bëhen ligjen të tilla, kaq shumë të kontestueshme edhe ndërkombëtarisht. Hilja është në tjetër vend.

Cilat janë motivet e vërteta që qëndrojnë pas këtij drafti? Kush fiton dhe kush humbet nga ky eksperiment që qeveria po bën në ekonomi?

E vërteta është se synohet të legalizohet marijuana kriminale dhe të fuqizohen ata pak njerëzve që kontrollojnë aktualisht këtë veprimtari.

Në Maqedoninë e Veriut një nismë e tillë dështoi me sukses të plotë dhe një ndër asryet kryesore ishte përfshirja në këtë biznes e krimit, e prodhimit dhe eksportit të sasive të kanabisit shumë më të mëdha sesa parashikonte ligji.

Si do të bëhet kontrolli në Shqipëri?

Sa do të monitorohet zbatimi i këtij ligji? Kush do ta bëjë?

Administrata jonë nuk arrin as të zbulojë informalitetin në turizëm, kur dihen sa turistë hyjnë dhe sa njësi akomodimi kemi.

Legalizimi i kanabisit do të ketë edhe një tjetër pasojë të rëndë. Ai do të nxisë përdorimin e marijuanës dhe drogave të tjera, kryesisht nga të rinjtë, do të rrisë krimin dhe do t’i bëjë institucionet shtetërore më tolerante ndaj veprave të konsumit të lëndëve narkotike.

Qeveria po vë në lojë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të vendit, për interesa të ngushta dhe okulte, përkundrejt asnjë përfitimi ekonomik.

Unë iu bëj thirrje kolegë që të mos e votoni këtë ligj, pasi pasojat do të jenë të rënda për të gjithë.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco