Intervistë ndryshe me Ylli Manjanin

Intervistë ndryshe me Ylli Manjanin

18:25, 09/07/2023
A+ Aa A-

Ylli Manjani, personazh i njohur publik, politikan, jurist, përkrahës i kauzave publike, vjen në një intervistë ndryshe dhënë për kryeredaktorin e portalit më të madh informativ në Shqipëri, Syri.net.

Në këtë intervistë jo-klasike, Manjani ka treguar jetën e tij të përditshme, pasionet, shijet muzikore, aktivitetin profesional dhe sigurisht nuk mungon edhe pyetja politike e përgjigjja ‘sade’ e tij. Ashtu siç Manjani di dhe shprehet se, shpeshherë ka marrë edhe kosto për shkak të të qenit i drejtpërdrejtë.

I tillë është Manjani edhe ndaj reagimeve të lloj-llojshme në rrjetet sociale, ai shprehet se i lexon, por mërzitet nga komentet negative në rrjet, nuk shtiret të bëjë moskokëçarësin siç ndodh shpesh me personazhet e jetës publike.

Më poshtë intervista e plotë ekskluzive me Ylli Manjanin.
 

- Mirëdita zoti Manjani.

-Njat'jeta!
 
-E diskutuam që kjo do ishte një bisedë ndryshe dhe relaksuese, pasi intervista të tilla me shkrim, sidomos për ju që flisni çdo javë në TV, po bëhen gjithnjë e më të rralla. Dhe ju e nisët që në përshëndetje të tillë.

Si ka filluar vera për ju?

-Po ç'të them. Në radhë të parë me shëndet të mirë. Kur i kalon 50-at shëndeti vihet i pari në radhë.
Të tjerat rutinë. Ditët e javës në punë, në zyrë e në gjykatë, weekendeve në Palasë. Shkojmë verë e dimër atje. Te "oligarkët" domethënë.
 
-Nuk të jep përshtypjen as për moshën, as që frekuenton vendet që frekuentojnë oligarkët.  
Pra, ju po thoni që fundjavat i kaloni te oligarkët?

-Po kështu flitet në zhargon. Po banove në një kompleks të integruar banimi quhesh "kulak", "oligark"  futja kot dmth.
Në fillim më vinte inat, por tani jam mësuar madje më pëlqen. Si më dinë qofsha, e them shpesh me vete.
 
-Keni patur punë?

-Vallai punë ka plot, po jo aq lekë sa ka punë. Kjo puna jonë lidhet shumë me gjykatat dhe kur ata nuk funksionojnë puna vështirësohet. Njerëzit kërkojnë zgjidhjen e problemit dhe jo strategji ligjore apo memo me shkrim. Por zgjidhjet i ka në dorë gjykata e cila është e mbingarkuar ose e komanduar. Kështu që ne harxhojmë shumë kohë kot. Ka ardhë një pikë që më duket vetja sikur bëj nuska, duke u thënë vizitorëve të shumë në zyrën time modeste "shih mbase merreni vesh se gjykata vonon pak"... Po mirë të themi, punojmë dhe faturojmë shërbimet e përmuajshme e jetojmë.


 Image

-Jeni aktiv në jetën publike e në rrjetet sociale, komenton jo vetëm për politikë por edhe disa herë për çështje të artit, etikës dhe estetikës. Çfarë aktiviteti kulturor apo artistik keni ndjekur këto kohë?

-Më pëlqen shumë muzika. Dëgjoj thuajse çdo gjë. Por më shumë më pëlqen muzika që ka brenda melodi. Melodia mbahet mend edhe kur tekstin nuk e di.
Përshembull, Kostandin Argiros është këngëtar grek dhe tekstet e tij nuk i di e si kuptoj, por melodinë ia mbaj mend dhe më pëlqen. Këto ditë vajtëm në Berlin dhe pamë P!NK, një këngëtare e papame me super zë e super performancë artistike.
Preferoj t’i shoh koncertet jashtë shtetit, sepse atje nuk shoh Erion Velinë apo Ed Ramën duke bërë selfie me këngëtarët.
Në këtë kontekst, Dua Lipën e kam pas shumë për zemër, qysh kur u shfaq në selfie me këta langaraqët kam heqë dorë së dëgjuari asetin e saj. Nuk e di a është mirë apo jo, po nuk e duroj dot politizimin deri në këtë pikë.

 -Po pse P!NK dhe jo Aurela Gaçe?

-Hahahahahha. Po që ngjajnë!
Aurelën e dëgjoj me shumë qejf se është prej atyre këngëtareve që thua "lum ne që e kemi".  I dëgjoj Aurelës veçanërisht interpretimet e muzikës popullore e qytetare, ashtu siç dëgjoj Fatmira Breçanin apo Valbona Memën. Dhe të mos harroj edhe Eranda Libohovën, Selami Kolonjën e ndonjë tjetër. Në youtube dëgjoj shpesh muzikë të luajtur nga spektakli "Këngë Moj" . Ej, e kanë qarë muzikën qytetare ata çunat e bandit. Të paparë! Por P!NK, U2, ColdPlay, Mark Konfler etj kanë vendin e vet dhe duhen parë në vendin e tyre.

Image
 
-Shije interesante muzikore. Të kalojmë sërish te hallet e mëdha. Po në SPAK keni çështje që ndiqni?

-Kam, sigurisht. Kam marrë nganjë çështje për secilën gjykatë që ta shoh vetë me sytë e mi katrahurën. Nuk dua të flas për çështjet që ndjek, për arsye etike, por opinionet që jap publikisht për drejtësinë bazohen më së shumti nga obserbimet që bëj ditë për ditë në gjykata.
 
-Jeni vërtetë kritik i ashpër me drejtësinë, përse?

-Besoj nga frika. Ka shumë komentues që ushqehen nga portalet politike që shkruajnë se "Manjani kritikon drejtësinë se ka frikë se do e arrestojnë". Qesharakë apo jo? Se kur njeriu ka hall, nuk flet por ashtu urtë e butë gjen zgjidhjen. Por trutharët nxjerrin kësi monstruozitete. Njësoj funksionon edhe kur kritikoj ambasadën e Amerikës apo edhe vetë Amerikën. "Do ta arrestojë Amerika"- thonë hajvanët.
Por sidoqoftë, të kthehem tek pyetja juaj, dmth përse të mos e kritikojmë?
Drejtësia është shërbim publik dhe publiku duhet të dijë si jepet ky shërbim. Kush më shumë sesa unë e kolegët e mi duhet ta kritikojnë këtë shërbim?!
 
-Megjithmend, pse gjithë ajo ashpërsi në kritikë ndaj Yuri Kim dhe Amerikës?

-Sepse nuk jam Amerikan, por Shqiptar. Amerikanët vetë e kritikojnë shtetin e politikën e tyre, pse ne nuk u dashka ta kritikojmë për aq sa ata hyjnë në punët tona?! Ç'punë ka Amerika fjala vjen se kush është kryetar i një partie në këtë vend dhe kë duhet të njohë gjykata jonë e kë jo?! Etj etj...se s’dua të sjell në vëmendje të gjithë pisllëqet që gatuhen, por absolutisht askush nuk ka imunitet nga kritika. Të gjithë janë të kritikueshëm, amerikanët të parët!
Kështu që asnjë ndrojtje nuk kam për të ushtruar të drejtën e kritikës në vendin tim dhe për punët e vendit tim. As një ambasador nuk ka rëndësi më të madh sesa vendi im. Ky është parim që e kam patur gjithmonë. Edhe non-gratat janë më të rëndësishëm sesa ambasadorët. Sepse ata janë shqiptarët e mi, ambasadorët jo.

Image

Nga protesta kundër Open Balkan

 

-A rregullohet sistemi i drejtësisë?

-Po. Duke e bërë nga fillimi. Ky që kemi është gjenetikisht i sëmurë.
 
-A ju shqetësojnë komentet negative në rrjetet sociale, ose ngado ardhshin?

-Të të them jo, të gënjej. Duhet të jesh monstër të mos shqetësohesh kur dikush të shan, fyen apo shpif për ty. Ia kam marrë disi dorën, por sidoqoftë ende iu kushtoj kohë veçanërisht shpifjeve. Futem heraherës në debat kur shoh se si artikulohen të pavërteta për mua. Në fakt pas futjes dhe sqarimeve që jap, duket se ka edhe tërheqje.
Njerëzit mbajnë mend emrat e kryetarëve të partive me të cilët kam punuar dhe jo çfarë kam menduar apo mendoj unë, për fat të keq. Pakkush e di fjala vjen që s'kam qenë kurrë deputet. Ose pakkush merret me kritikat që i kam bërë pushtetit nga brenda, ku edhe humba punën për shkak të tyre. Sigurisht që nuk ndjehem mirë që nuk më citojnë për sa kam thënë, por të identifikojë me shprehjet e ndyra "këlysh i këtij, apo zagar i atij..". Kjo është fyerje dhe shpifje që më bën të ndjehem keq, aq sa them "për interesin e këtij far publiku, rrezikova karrierën time?"
Më besoni e mendoj shpesh këtë gjë dhe më vjen shumë keq për veten. Ka momente që bëhem dhe arrogant me njerëz të thjeshtë pikërisht kur jam në këtë mendim. Sigurisht që nuk është gjë e mirë.

-Unë e di që ju debatoni shpesh me moderatorët që ju ftojnë nëpër studio televizive për veshjen. Pse e keni inat xhaketën dhe këmishën?

 -Krasta më çmendi që më ka bërë me detyrim xhaketën, po të jetë për mua nuk e vesh kurrë. Xhaketa dhe këmisha janë shtrëngim dhe nuk ndihmojnë lirinë.
Nuk jam kundër veshjes së bukur, por në radhë të parë për mua është me rëndësi komforti. Një rrobë që të sikletos të heq lirinë.  E ke dëgjuar atë shprehjen "zihet me rrobat e trupit?" Ja, kjo është arësyeja pse këmisha domethënë jaka që të shtrëngon fytin dhe xhaketa trupin nuk më pëlqejnë. I vesh kur vërtetë duhet për të respektuar mixhlisin, por me qejf nuk i kam.

T-shirt është shum praktik. Pulovrat e pambukut dhe pantallonat e lehta dhe elastike janë yll bote. Komfort i madh. Xhupat e lehtë dhe të ngrohtë janë shumë herë më të mirë se palltot e rënda që të lodhin kur i mban në trup për t’u ngrehur kot.
Pastaj ne jeni në klimë të ngrohtë dhe veshjet duhet të jenë proporcionale. Pantallonat e shkurtra janë domosdoshmëri. Nuk e di pse këtu ende quhet turp të vishesh me të shkurtra?!

Image

-Së fundi, një fotografi të situatës politike.
 
-Kemi një superpushtet që ka ardhur si rezultat i ç'balancimit politik në vend. Ç'balancimi u projektua në ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, dhe që u vu në zbatim nga pelivanllëqet Rama-Basha të 2017-ës e në vijim. Pa u vendosur balanca politike në vend, ku njerëzit të fillojnë të mendojnë që pushteti ndryshohet, nuk kemi gjë në terezi.
Ndaj me urgjencë vendi ka nevojë sa më shpejt për të themeluar opozitën politike si qëndresë e sotme dhe alternativë e nesërme.

-Si bëhet kjo?

-Ka plot rrugë, kryesorja është ideja. Edne nuk po shoh ide të tilla, për fat të keq.
Por duhet të kuptojmë që pushteti nuk është si zullumi që këputet kur trashet. Pushteti ndryshohet vetëm me aktivitet politik, garë idesh, konkurrencë dhe ndershmëri përfaqësimi.

-Thashë e fundit për pyetjen e mëparshme, por e fundit është pyetje për një personazh që unë e shoh shpesh në rrjetet sociale. Kush është Runi?

-Runi është 'njeriu' më i mirë i familjes. Nuk e besoj as vetë se ku kam arritur kur i them këto fjalë. Nuk kam dashur kurrë kafshë në shtëpi, por Eva (bashkëshortja) me theu këtë embargo. Aktualisht kemi Mikin, Spartën (dy macet) dhe Runin. Runi u lind në Sarandë dhe ne e kemi adoptuar që para 3 vitesh e gjysëm. Është e papame. Rri me ne dhe me çdo njeri tjetër. Vetëm se ska gojë të thotë ato që mendon.
Kjo më ka bërë, jo pak sensitiv për kafshët me thënë të drejtën. Ndjek me vemendje çdo lajm dhe përpjekje që bëjnë Shoqata "Ndihma e Kafshëve në Shqipëri”. Janë ekipet më të përkushtuara që njoh sot për kafashët dhe përpiqem të ndihmoj sa mundem. Ndaj dhe në postimet e mia në Facebook gjenden edhe ftesa për adaptime kafshësh. Dhe ju shihni kaq shpesh Runi-n.

Image

-Z. Manjani faleminderit për këtë bisedë të këndshme dhe ndryshe!

-Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco