Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Asociacion apo Kosova në KE

A po e përkeqëson SPAK-u drejtësinë penale në Shqipëri?

A po e përkeqëson SPAK-u drejtësinë penale në Shqipëri?

17:38, 01/07/2023
A+ Aa A-

Nga Andi Mustafaj- Ted Kopliku

Në të kundërt nga veprimet parandaluese që shteti ndërmerr nëpërmjet veprimtarisë së tij administrative, drejtësia penale është një veprim rregullues. Është një veprim që vjen gjithmonë mbas dështimit teorik të shtetit në përmbushjen e detyrës kryesore që qytetarët i kanë ngarkuar në kontratën sociale dhe për të cilën i kanë besuar monopolin e forcës legjitime : mbrojtja e tyre (fizike, materiale apo psikologjike).

 Në mënyrë të përmbledhur dhe të thjeshtëzuar mund të themi se në një shoqëri, drejtësia penale ka tre role kryesore.

1. rregullimi ose shpërblimi i dëmit pësuar nga viktima e një vepre penale,

2. izolimi dhe ndëshkimi i autorit për të pamundësuar përsëritjen e veprave penale

3. dekurajimi e shoqërisë për përsëritjen e veprës penale.

 Duke parë rendësin e këtyre roleve lind natyrshëm pyetja : A po e përmirëson apo po e përkeqëson SPAK-u, si organ qendror i sistemit të ri të vendosur nga Rilindja, drejtësinë penale në Shqipëri?

 Tundimi është i madh për masën e qytetarëve shqiptarë që ti përgjigjen në mënyrë pozitive kësaj pyetje. Të mbytur nga propaganda e gjithanshme e regjimit ata janë të shtyrë të marrin të mirëqenë se arrestimi i personave si Saimir Tahiri, Lefter Koka apo Alqi Bllako është treguesi se reforma e drejtësisë është një sukses.

Pa a kuptuar, ata bien në fakt butësisht në një kurth. Me këto arrestime të përzgjedhura, regjimi tenton të ngrejë narrativen e një drejtësie funksionale (më në fund), e cila nuk mund të kundërshtohet pikërisht se “po ha njerëzit me pushtet”. Në të vërtet, këto arrestime janë veçse kapitulli i radhës i politikës spektakël, pa përmbajtje e qeverisë e cila në fakt dhe në mënyrë kundër intuitave e përkeqëson sistemin.

 1. Dëmi për viktimën as nuk rregullohet dhe as nuk shpërblehet. Në rastin e akteve të korrupsionit nga persona me përgjegjësi publike viktima është shoqëria për shkak se të ardhurat që shteti ka mbledhur nëpërmjet taksave nuk kanë shkuar për qëllimin e tyre në dobi të qytetarëve. Në rastin e arrestimeve dhe dënimeve të personave të lartpërmendur, në asnjë rast, shoqërisë nuk ju kthyen të ardhurat e humbura dhe pra dëmi nuk u rregullua. Për shembull, incineratori imagjinar vazhdon të paguhet dhe pasojat afatgjata të kanabizimit vazhdojnë të ndihen.

 2. Pamundësia e përsëritje së veprës penale nuk realizohet nga drejtësia penale për shkak se në shumicën dërmuese të rasteve autorët kanë qenë jashtë sistemit drejtues politik në momentin kur janë hetuar, arrestuar apo dënuar. Në këtë kuptim drejtësia penale ka ardhur gjithmonë shumë vonë.

3. Lloji dhe masa e ndëshkimit përfundimtar (shpërdorim detyre me pak vite heqje lirie) dërgojnë një mesazh dobësie të sistemit tek personat që e lexojnë vërtet atë. Në këtë mënyrë jo vetëm që drejtësia penale nuk dekurajon njerëzit që të kryejnë vepra penale të ngjashme por në të kundërt, ndikon në ndryshimin e natyrës së veprimtarisë kriminale duke e ngushtuar më shumë rreth personit që tërheq fijet e perit dhe që është Kryeministri i vendit.

Atëherë, për çfarë shërben kjo drejtësi, nëse nuk kryen asnjë nga rolet të cilat i janë ngarkuar? Të dhënat tregojnë që me këtë drejtësi jemi në finalizimin e konsolidimit të një regjimi autoritarë, ku drejtësia është kërbaçi në duart e tiranit. Pas marrjes së pushtetit ekonomik duke i ndarë pasuritë e vendit vetëm në disa njerëz të afërt, pas marrjes së pushtetit politik duke copëtuar opozitën dhe duke blerë e shantazhuar çdo faktor kombëtarë e ndërkombëtar, Kryeministrit i mbetet vetëm të shtrëngojë kërbaçin SPAK për të neutralizuar çdo mundësi për kundërvënie. Brenda dhe jashtë radhëve të regjimit.

 Nga njëra anë krijimi i iluzionit që drejtësia po funksionon në një popull me kulturë të pakët politike (më së shumti shoqëri e spektaklit), nga ana tjetër forcimi i lidhjeve mafioze dhe klienteliste (kujdes se të lëshoj tek Drejtësia e re) e bën vendin tone të humbasë edhe fasadën që i kishte mbetur si demokraci hibride. Drejtësi popullore, drejtësi selektive.

 

Skandali Felaj është materializimi i këtij funksionimi të drejtësisë, e cila në vend që të ishte nevoja që çdo shtet ka t’i imponojë arsyen politikës, është kthyer në agjenci përmbarimi e një grupi të vogël njerëzish, ku finaliteti është noterizimi, shkallë pas shkalle i vendimeve arbitrare të një njeriu. Nga një drejtësi e frymëzuar nga racionaliteti juridik, Edi Rama e ka kthyer në një sistem jupiterian që ushqehet nga narrativa populiste e ndëshkueshmërisë, e realizuar siç e do zakoni prej 10 vitesh, me regji dhe me spektakël.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco