Çështja e Kosovës: Historia, kriza aktuale dhe sfida drejt Bashkimit Europian

Çështja e Kosovës: Historia, kriza aktuale dhe sfida drejt Bashkimit Europian

16:07, 28/06/2023
A+ Aa A-

Nga Klea Duçka & Neada Stana 

Për ta kuptuar më mirë çështjen e Kosovës duhet të kuptohet historia që nga gjeneza. Le të fillojmë duke bërë një përmbledhje të shkurtër të historikut të Kosovës dhe pretendimeve territoriale të Serbisë. Ajo e ka konsideruar gjithmonë Kosovën (Dardaninë) si “tokë serbe“. Zanafilla e këtyre pretendimeve daton që në mesjetë dhe lidhet kryesisht me Betejën e Fushë-Kosovës, më 15 qershor 1389, më e madhja e organizuar ndonjëherë në Ballkan kundër Perandorisë Osmane, në të cilën prijësit dhe feudalët e Ballkanit formuan një koalicion ushtarak ndërballkanik për të ndaluar përparimin osman në territoret e tyre. Përgjatë shekujve,Serbia ka vazhduar të ngrejë pretendime të pabaza dhe të këmbëngulë në hartimin e politikave nacionaliste dhe ekspansioniste, të cilat u materializuan për herë të parë në vitin 1844, në një draft politik sekret të Principatës së Serbisë, të hartuar nga Ilija Grashanin, e që njihet me emrin Nacertania, ose Plani për krijimin e Serbisë së Madhe. Sipas këtij projekti, Serbia do të aneksonte jo vetëm Kosovën, por edhe territore të tjera shqiptare deri në detin Adriatik.Në 1912 pas shpalljes se Pavarësisë ku “Fuqitë e Mëdha” copëtuan territorin e Shqipërisë, Serbia arriti të përvetësonte territorin e Kosovës. Në atë kohë në Serbi ishte në fuqi ende kushtetuta e vitit 1903. Neni 4 i kësaj kushtetute thotë qartazi se asnjë ndryshim kufijsh të Serbisë nuk mund të jetë i vlefshëm nëqoftëse nuk e ka marrë pëlqimin e Kuvendit të madh Kombëtar e jo të “Kuvendit të zakonshëm”, ose parlamentit, por të një kuvendi shumë më të gjerë që mblidhej për të shqyrtuar enkas cështjet kushtetuese. Nje kuvend i tille nuk u mbajt kurrë për të diskutuar apo ratifikuar zgjerimin e kufijve të Serbisë, për të përfshirë në të Kosovën e Maqedoninë. E vërteta është se Kosova nuk është inkorporuar legalisht në Serbi as në bazë të standarteve e ligjit ndërkombëtar.

Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në kohën kur i gjithë kontinenti evropian po kalon nëpër një situatë të ndjeshme. I njëjti Bashkim Europian që për shkak të mos reagimit dhe mos dhënies së rëndesisë së duhur në vitet ‘90 të situatës në Kosovë situata degradoi deri ne genocid, që coi në ndërhyrjen e Natos dhe vdekjen e mijëra personave. Po ky Bashkim Europian që akoma 5 shtete anëtare nuk e njohin ende  Pavarësise e Kosovës.

Bashkimi Europian dhe Kryeministri i Shqipërisë duket sikur e kanë memorjen e shkurtër, duket sikur kanë harruar sa persona të pafajshëm kanë vdekur gjatë luftës në Kosovë. Sipas statistikave të publikuara nga Prof.Jusuf Osmani në dy librat e tij të titulluar “Krimet e Serbisë në Kosovë”, nga rreth 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile, numërohen rreth 13.500 të vrarë. Rreth 1600 persona vazhdojnë të rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa rreth 20.000 gra të moshave të ndryshme janë bërë pre e dhunës seksuale nga paramilitarët serbë.

Për sa i përket rolit të Bashkimit Europian në çështjen e Kosovës ne vitet 90’, mund të thuhet se BE-ja nuk i ka dhënë rëndësinë e duhur, duke luajtur me taktikën e pasivitetit dhe mosndërhyrjes. Në atë kohë, BE-ja ishte, sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm belg të asaj kohe, zotit Eyskens, ishte një "Gjigant ekonomik, një xhuxh politik dhe një krim ushtarak". Dhe sot mund mund të themi të njëjtën gjë, jo vetëm që nuk po i jep rëndësinë e duhur çështjes së Kosovës por po e përkeqsojnë atë me deklaratat e vazhdueshme dhe me qëndrimin e hapur pro serb.

Ajo që e vështirëson edhe më tepër situatën për Kosovën, është antishqiptarizmi i Tiranës zyrtare dhe marrja e nismave që synojnë të kufizojnë dhe cënojnë sovranitetin e shtetit dhe institucioneve kosovare.

Në tetor 2019, pas një takimi në Novi Sad të Serbisë midis kryeministrave Rama, Vucic e Zaev u hodh ideja për krijimin e një “Open Balkans” ose “Ballkani të Hapur”, i cili parashikonte lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve duke mundësuar keshtu krijimin e një “Mini Schengen” për vendet e Ballkanit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kundërshtoi me forcë krijimin e kësaj nismë duke cilësuar se kryeministri i Shqipërisë po bënte “një gabim të rendë”. Me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit, Ballkani i Hapur mori mbështetjen e plotë të SHBA-së, Rusisë, BE-së dhe Komisionit Evropian duke e lënë Kosovën të vetme në qëndrimin e saj kundër një projekti absurd bashkëpunimi rajonal. Duke përdorur një gjuhë tejet provokuese dhe bullizuese, larg atij që pritet të jetë qëndrimi i një kryeministri të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama i bëri thirrje Kosovës ti bashkohet nismës duke deklaruar: nëse BE-ja është një Jugosllavi e Madhe, kjo nismë do të ishte një Jugosllavi e vogël.

Nga ana tjetër Kosova nuk ka pranuar të jetë e pranishme në asnjë nga samitet apo “tallavatë“ e shitura si shfaqje artistike të Ramës për liderët e huaj në Tiranë në kuadër të një farse që shkel me të dyja këmbët mbi dinjitetin dhe plagët ende të freskëta te shqiptarëve të Kosovës.

Nisma serbomadhe dhe antishqiptare e Ballkanit të Hapur, iniciatorët e së cilës janë Edi Rama dhe Aleksandër Vucic parashtron idenë e integrimit rajonal si të vetmen rrugë për integrimin e plotë dhe të shpejtë të vendeve të rajonit në BE. Kjo nënkupton midis të tjerash, që ekonomitë e këtyre vendeve do të jenë deri në një farë mase të varura nga njëra- tjetra. Republika e Serbisë është në këtë mes fituese, pasi statistikat tregojnë se ekonomia e Kosovës varet më shumë nga ajo e Serbisë se sa anasjelltas. Krahasuar me shtetet e tjera të CEFTA-s të cilave Kosova u eksporton mallra dhe sherbime, sipas shifrave, del se rreth 9.1% e mallrave kosovare shiten në Serbi, ndërkohë që vetëm 2.9% e mallrave të kësaj të fundit eksportohen drejt Kosovës. Një shtet si Kosova nuk mund te jetë kurrë tërësisht i pavarur nese nuk arrin edhe pavarësinë ekonomike nga Serbia, ndërsa nisma e Open Balkan bëhet pengesa kryesore për arritjen e kësaj, duke i dhënë avantazh të madh Serbisë me aprovimin dhe mbështetjen e plotë të Shqiperisë dhe ndërkombëtarëve.

Ideja e integrimit rajonal për Kosovën merr përmasa edhe më absurde duke marrë parasysh faktin se qeveria shqiptare ndërmerr këtë lloj iniciative, ndërkohë që konfliktet politike Kosovë-Serbi mbeten ende të pazgjidhura, gjë që con herë pas here në tensionim të situatës politike, e cila së fundmi ka precipituar në veri të Kosovës, popullsia serbe e së cilës është tërësisht e instrumentalizuar nga Beogradi me qëllim kërcënimin dhe shantazhimin e autoriteteve kosovare.

Kërkohet të ruhet qetësia nga qeveria e Kosovës kur në territorin e Kosovës janë sulmuar nga bandat serbe edhe ushtarët e KFOR-it. Si do të reagonte BE nëqoftëse këto sulme do të bëheshin në Kroaci që është shtet anëtar i BE, do të mbahej vallë i njëjti qëndrim?! Si shtet sovran dhe i pavarur, shteti i Kosovës ka të drejtën legjitime dhe kushtetuese të shtrijë juridiksionin e instuticioneve të tij nëpër të gjithë territorin, duke përfshirë komunat me shumicë serbe. Një e drejtë e garantuar me kushtetutë nuk ka nevojë te marrë pëlqimin e askujt jashtë kufijve të një shteti te pavarur, ajo thjesht zbatohet pa u vënë në diskutim.

Për më shumë se një javë Serbia i kanë mbajtur në paraburgim tre policët e Kosovës të cilat forcat serbe i kanë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës, të cilët janë burgosur pa të drejtë. Tashmë pas lirimit të tyre, Serbia përgëzohet sikur të ketë kryer një akt heroik, dhe jo ti kërkohen shpjegime apo të sanksionohet sepse kreu një veprim të paligjshëm duke arrestuar dhe burgosur dy policë brenda territorit të Kosovës.

Përpara lirimit të policëve në një postim në Twitter, zoti Rama shkroi se “sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa”, vuri në dukje zoti Rama duke shtuar se “kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”.  Edi Rama flet per rikthim akulli me Serbinë, akull që nuk ështe shkrirë kurrë nga ana e shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë, sepse nuk janë harruar krimet që ka bërë Serbia kundër tyre dhe kanë mjaftueshëm dinjitet sa për të respektuar dhimbjen që akoma përjetohet në Kosovë.

Qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, sado tronditës dhe i papranueshëm, nuk habit aspak dhe është madje tejet i pritshëm për sa i takon linjës politike të ndjekur nga qeveria e tij dhe historikisht nga e majta shqiptare për këtë cështje. Në një retrospektivë të shkurtër historike, mjafton të rikujtojmë se Partia Komuniste shqiptare, pararendësja e Partisë Socialiste, u themelua me ndihmën e delegatëve jugosllavë serbë Miladin Popovic dhe Dushan Mugosha. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në atë që njihet si Konferenca e Mukjes të mbajtur më 2 gusht 1943, me pjesëmarrjen e patriotëve dhe nacionalistëve shqiptarë të përfaqësuar nga Balli Kombëtar dhe delegatëve të Partisë Komuniste shqiptare, u hodh nga ana e Ballit Kombëtar ideja për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqiperinë. Këto kërkesa u konsideruan kundërrevolucionare nga delegatët jugosllavë Svetozar Vukmanovic dhe Miladin Popovic dhe për rrjedhim nuk u pranuan nga Partia Komuniste shqiptare, e cila në përfundim të luftës dhe pas ardhjes në pushtet, e la tërësisht në harresë çështjen e Kosovës si dhe burgosi, përndoqi, internoi dhe dënoi me pushkatim shumicën dërrmuese të patriotëve dhe nacionalistëve shqiptarë.

Urrejtja ndaj identitetit dhe interesave kombëtare nuk është thjesht linjë ideologjike, por edhe patologji që karakterizon të majtën, sidomos atë radikale, kudo në botë e në Shqipëri e majta është trashëgimtare e doktrinës vdekjeprurëse tëInternacionales komuniste.Duke i qëndruar besnike kësaj linje, qeveria shqiptare nën maskën e pretendimeve për “përmirësimin e marrëdhënieve dhe integrimin rajonal“,  apo të “shkrirjes së akujve“ sic preferon të shprehet kryeministri në rrjetet sociale, nuk i ka kërkuar kurrë qeverisë serbe të njohë maskrat e kryera në Kosovë (duke shmangur madje edhe perdorimin e fjalës “genocid“) apo tu kerkojë zyrtarisht ndjesë e të dëmshpërblejë familjet e viktimave.

Fshehur pas maskës së një diplomacie hipokrite, me indiferentizmin dhe pashpirtësinë që e tregon çdo ditë edhe ndaj qytetarëve të saj, qeveria shqiptare zgjedh edhe në këto momente të historisë të sillet si një Iskariot që për një grusht argjend (përfitime ekonomike) shet interesat e kombit dhe përdhos vuajtjet e tij.

Departamenti Brain Gain i PD/ Nga Klea Duçka & Neada Stana 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco