Minimumi jetik duhet të bëhet pjesë kryesore e sistemit kombëtar të mbrojtjes shoqërore

Minimumi jetik duhet të bëhet pjesë kryesore e sistemit kombëtar të mbrojtjes shoqërore

15:17, 28/06/2023
A+ Aa A-

Nga Jonathan Pano/

Sot, takova një çift pensionistësh. Përfaqësues të denjë të komunitetit prej 686.923 personash. Pensioni i burrit ishte 15.000 lekë të reja. Kaq ishte dhe i gruas. Ky është pensioni që konsiderohet mbi mesatar në sistemin e pensioneve. Burri dhe gruaja nga pensionet kishin të ardhura mujore 30.000 lekë të reja. Kanë punuar 45 vite secili dhe jetojnë me këto të ardhura. Pensionistë të tjerë ata i konsiderojnë me fat, pasi ka çifte pensionistësh që nga sistemi përfitojnë më pak se gjysma e të ardhurave të tyre. Por historia vijon!

Gruaja më tregoi që i shoqi ishte diabetik dhe të dy përshkak të sëmundjeve blinin ilaçe të cilat nuk i mbulonte sistemi shëndetësor. Fatura mujore e ilaçeve ishte sa e gjithë shuma mujore e pensioneve të tyre.

Përfundimi, 0 mbështetje për të jetuar, ushqyer, paguar faturat e tjera ujë+drita e ndonjë shpenzim që sjell rasti.

- Nuk po kërkojmë lëmoshë, ishte fjala e tyre në fund të bisedës, por dinjitet.

- Na ktheni dinjitetin e rrëmbyer vijoi burri, i cili me zërin që i dridhej përpiqej të shprehte revoltën e tij.

Sapo u largova prej tyre, takova një shok që voton majtas. I fola për dramën e pensionistëve, çështje mbijetese për një pjesë të madhe të nënave dhe baballarëve në shoqërinë tonë. - Për më tepër, është çështje e dinjitetit njerëzor, i them.

Përgjigja e tij më la pa fjalë.

- Kemi shtet të varfër, më thotë. Kërkon faturë financiare.

Doja të largohesha me shpejtësi prej këtij njeriu që s’i bënte aspak përshtypje lufta e të pamundurve për mbijetesë. Doja t’i fshihja zemërimim tim të çastit, krijuar prej zero respektit të tij për nënat dhe baballarët tanë pensionistë. S’doja të qëndroja pranë tij asnjë çast të vetëm, pasi ndihesha punë sekondash ishte shpërthimi i zemërimit tim i cili mund të prishte gjithçka mes nesh nga ai moment përgjithnjë.

Ndala hapin, i buzëqesha dhe i them;

- Eureka, e kam unë zgjidhjen. Fatura për rritjen e pensioneve është e thjeshtë! Çështje korrupsioni dhe dinjiteti. Dy pika keni për të zgjidhur në ekuacionin pa të panjohura. Zgjidhni korrupsionin dhe ktheni dinjitetin nënave dhe banallarëve.

- Po po, më thotë. E zgjidhe me populizëm problemin e pensioneve.

- E ke gabim, i them! Lexoni numrat dhe është e thjeshtë. Kontrolli i Lartë i Shtetit, vitin e fundit publikoi 1.1 miliardë euro dëm financiar për një vit të shkaktuar nga korrupsioni në institucionet e shtetit. Ja ku e keni faturën financiare për rritjen e pensioneve.

Ulni korrupsionin dhe filloni rritjen e pensioneve të nënave dhe baballarëve, përpara se të rrisni pagat e deputetëve.

Kjo histori e sotme nuk është reality show, për këtë arsye e të tjera më të rëndësishme, nuk shet në opinionin publik, e as merr vëmendjen e duhur nga qeveria.

Por, kjo histori është jeta reale e gati 700 mijë njerëzve në Shqipëri, të cilëve jeta u është kthyer në mundim sepse meritat s’ia llogarit askush.

Pensionistët në Holandë, Turqi dhe Kroaci marrin më shumë se 100% të pagës së punës kur dalin në pension. Në të vërtetë, pensionistët holandezë dhe turq marrin përkatësisht 101% dhe 102%, por kroatët marrin 129% të pagës së punës kur dalin në pension.

Kjo është sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila analizoi të dhënat nga 35 vendet anëtare të saj dhe një numër vendesh të tjera.

Pensioni mesatar në Itali është rreth 1600 euro në muaj, ne Gjermani 1361 euro, Spanjë 1370 euro, Francë 1327 euro. E pa dashur te krahasohemi me vendet e Europes Perëndimore, shuma e pensionit mesatar në Mal të Zi është më e larta nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Pensioni mesatar në Mal të Zi për muajin tetor është 359 euro, ç’ka është më shumë se 2 herë më i lartë se pensioni mesatar në Shqipëri.

Rrisni pensionet dhe keni kthyer dinjitetin, kujdesin, vëmendjen, nderimim e munguar tek baballarët dhe nënat Shqiptare. Ky veprim nuk është vetëm human, por ka gjithashtu rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit. Pensionistët, si konsumatorë të rëndësishëm, kontribuojnë në rritjen e kërkesës dhe stimulojnë tregun dhe sektorin ekonomik. Rritja e pensioneve ndihmon në rritjen e fuqisë blerëse, krijimin e vendeve të reja pune dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Ky veprim është investim në të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.

Gjithashtu, minimumi jetik duhet të bëhet pjesë kryesore e sistemit kombëtar të mbrojtjes shoqërore dhe shëndetësore, duke reflektuar nevojat e individeve dhe familjeve jo vetem për ushqim, por edhe për aktivitete të tjera të zhvillimit njerëzor. Trajtimi i minimumit jetik nuk duhet parë si një barrë për ekonominë dhe buxhetin e Shtetit apo pengesë për zhvillimin ekonomik, por si faktor i zhvillimit ekonomik e social. Por për këtë te fundit, do te flas në shkrimin e rradhës!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco