Kriza e universiteteve dhe zgjidhja

Kriza e universiteteve dhe zgjidhja

18:04, 26/06/2023
A+ Aa A-

Nga Julian Hoxhaj

Në vitin 2012 kandidova në Senatin Akademik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” dhe u zgjodha anëtar i tij me votë të studentëve. Në atë periudhë, ishte kulmi i pranimit të studentëve në universitetet shqiptare. Kishte padyshim një masivitet studentësh për shkak të politikave liberale të ndjekura nga qeverisja e Partisë Demokratike pas vitit 2005. Personalisht, kam qenë njeri që e kam mbështetur liberalizimin e universiteteve, dhe kam kundërshtuar reformat e pas vitit 2013-2015, që çuan në mbyllje të universiteteve private dhe disa filialeve publike. Kjo masë për mua (në atë kohë) ishte një lloj justifikimi i qeverisë për të hequr përgjegjësinë mbi të fluksin e lartë të të diplomuarëve që kërkonin punë, por e justifikuar me cilësinë akademike.

Në fakt, kjo e fundit u rrëzua shpejt, pasi largimi masiv i të diplomuarëve shqiptarë në atë kohë drejt vendeve të BE, tregoi që nuk kishte aspak problem me cilësinë e universiteteve (sigurisht, kishte mjaftueshëm vend për përmirësim dhe orientim tregu). Për t`u rikthyer ku e nisa më sipër, në katër vitetet e mija të angazhimit në Senatin Akademik të Universitetit të Elbasanit, kam punuar dhe kërkuar gjithmonë që programet e studimit të ishin në interes të studentëve. Sa herë kishte miratime për hapje apo mbyllje programesh studimi, kishte debate dhe diskutime mbi studimet ose jo tregut dhe orientimit efektiv të studentëve drejt punësimit të sigurt pas studimeve.

Me një mik biznesmen në atë kohë, (pronar i një agjencie udhëtimesh) dhe një mik pedagog të degës së Gjermanishtes, tentuam të fusnim konceptin e studimit të lartë profesional me programe studimi dy vjeçare, me një numër të lartë orësh praktike në biznese. Ky koncept, i mbështetur nga unë dhe miq të tjerë, nuk gjeti hapësirë në atë kohë në Universitetin e Elbasanit, pavarësisht se kishte një lloj përpjekje për të kuptuar rëndësinë e programit. Megjithatë, në atë kohë ende nuk kishte nisur kriza e mungesës së studentëve, madje, për të përballuar fluksin, më kujtohet mirë se në Elbasan u shpikën binome degësh me orientime të ndryshme, që në fund të programit Bachelor nuk e merrje vesh çfarë kishe studiuar.

Të tilla programe si Gjeografi-Gjermanisht apo Gazetari-Anglisht e shumë të tjera në pothuajse çdo fakultet, në atë kohë qëllimin e parë e kishin përballimin e fluksit të studentëve, por jo pak qëllim kishin dhe qokat për të plotësuar orët e pedagogëve. Shumë shpejtë këto degë ranë si kala rëre, madje dhe degët tradicionale, si Gjuhë-Letërsia, Histori-Gjeografia, që kishin flukse me më shumë se 100 studentë në vit, sot janë me zero student. Të gjitha këto ranë si kala rëre, pasi shumë shpejtë fakultetet tradicionale të Elbasanit, si: Shkencat Humane, Edukimi apo dhe Shkencat e Natyrës, humbën nga intersi i lartë që studentët kishin për degët e mjekësisë.

Sot, Fakulteti i Shkencave Mjekëore Teknike në Elbasan, është më i madhi dhe me interesin më të madh të studentëve, për shkak se ky fakultet shërben si pasaportë për largimin e studentëve nga Shqipëria. Si Elbasani, janë sot shumë Universitete në rrethe, të cilat në mungesë të vizionit dhe strategjisë, po kërkojnë të shpëtojnë logon dhe emrin duke u kthyer në filiale të Universitetit të Tiranës. Hapin e parë po e merr Korça. Mirë apo keq, duan apo nuk duan, drejtuesit e këtij universiteti duken se të vetme zgjidhje kanë sot të bëhen filial. Kjo padyshim edhe për faj të qeverisë dhe mungesës së mbështetjes. Mirëpo a është zgjidhje kthimi në filial?

Për mua, jo, nuk është zgjidhje!

Të kthehesh në filial nuk je më as më pak e as më shumë por një fakultet, në mos më keq, në department i Universitetit të Tiranës. Madje, kthimi në filial, as nuk do të shërbejë më për joshje studentësh që të ndjekin programet universitare në Korçë. Kjo do ta zhbëjë përfundimisht arsimin e lartë në Shqipëri duke e futur në një spirale të rrezikshme të zhdukjes së shumë universiteteve të traditës. Ndaj, zgjidhja më e mirë, që kërkon gjithëpërfshirje, politika kombëtare patriotike, është mbajtja hapur e universiteteve dhe orientimi i studentëve drejt tyre. Ajo që pritet të ndodh me kthimin e universiteteve të rretheve në filiale, do të jetë as më shumë e as më pak, por një valë e re e shpopullimit të këtyre qyteteve.

Mirë apo keq, fakti që këto universitete janë ende të hapura janë një mundësi më shumë që në qytete tona të ketë ende të rinj. Të ketë të rinj, që pasi mbarojnë studimet në Korçë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Gjirokastër etj, të mbeten aty, apo të kthehen në qytetezat apo fshatrat e tyre për të punuar. Kjo është një nga arsyet pse sot këto universitete duhet të mbeten të hapura. Dhe si mund të mbijetojnë këto universitete? Kjo është pyetja e vështirë! Por ka disa zgjidhje. Së pari, sot duhet që universitetet të orientohen sipas bazës edukative të tyre.

Pra nëse në Elbasan, Universiteti është krijuar si rrjedhojë e vijimit të “Shkollës Normale”, pra e përgatitjes së mësuesve, ky universitet sot (edhe për nevojë kombëtare) duhet të orientohet në programet e mësimdhënies. Nuk ka asnjë arsye në botë që do të pengonte kthimin e “Aleksandër Xhuvanit” në qendër të madhe akademike në prodhimin e mësuesve dhe arsimtarëve jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për trojet shqipfolëse. Janë të gjitha mundësitë për ta bërë këtë, janë kapacitetet njerëzore dhe infrastrukturore.

Nëse Korça, përsëri ka si bazë të saj Edukimin, ky universitet mund të kthehet përsëri në një qendër të shkencave të edukimit në profile sociale (jo domosdoshmërisht mësues), por profile që lidhen me nevojat e tregut për: punonjës social, psikolog, etj. Nëse Vlora dhe Durrësi janë kryeqendra të zhvillimit të turizmit dhe inxhinierisë navale, pse jo këto universitete të kthehen në pararojë të përgatitjes së specialistëve të tillë. Ashtu dhe në Shkodër, ka mundësi për të hapur universitetin duke e orientuar atë fjala vjen në shkencat mjekësore.

Tani, problemi këtu kthehet në Tiranë, ku padyshim kjo nuk do t`i shkonte përshtat Universitetit të Tiranës, por është e vetmja zgjidhje për të mbajtur të shpërndarë të rinjtë në qytetet e tjera të vendit dhe pse jo, për ti kthyer universitetet në pole të rëndësishme ekonomike. Nuk ka asnjë arsye, edhe pse Tirana është kryeqendër e vendit, të ketë një përqëndrim kaq të madh institucional, arsimor dhe ekonomik, çka në optikën time është një nga faktorët kyç të disbalancave ekonomike dhe sociale me rajone të tjera të vendit. Ndaj, pa u zgjatur më shumë, dua të shpreh qëndrimin se nuk është koha të mbyllen universitetet, por të shpërndahet përqëndrimi i madh i Tiranës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco