Po Veliera 10 mln euro, pse nuk hetohet nga SPAK?

Po Veliera 10 mln euro, pse nuk hetohet nga SPAK?

21:28, 06/06/2023
A+ Aa A-

Nga Julian Hoxhaj

Ende nuk e kemi të qartë pse u arrestua Vangjush Dako! E sigurtë është që nuk u arrestua për përgjimet "339-s", ku fliste për votat. Me siguri, Dako nuk ka ndonjë akuzë që i rëndon pozitat për çështjen e tërmetit të vitit 2019, sikundër në fakt ka një kallëzim nga banorët e një pallati, i cili dyshohet se pati kate pa leje me lejen e Dakos.

Me siguri, këto punët e shpërdorimit të detyrës me një tender pastrimi, në një kohë që vetë qeveria i ka hapur thesin inceneratorëve, prapë duken grotekse. Ndoshta mund të jetë dhe kështu, Dako mund të përfundojë në qeli edhe për këto, por prapë nuk bind. Së paku mua si gazetar, që prej kohësh ndjek me vëmendje prokurimet publike dhe tenderat e zhvilluar kryesisht nga bashkitë dhe institucionet qeveritare, më duket për të qeshur që sot pas kaq vitesh, Dakos i presin biletën me shpërdorim detyre 18 mln lekë. WTF do thoshte ndonjë i huaj, po ai skeleti i hekurit 10 milionë euro përballë shtëpisë së Dakos, që ende s`ka mbaruar, dhe mbi të gjitha betonizoi një lagje të tërë romake aty, si dreqin ia hodhi në Gjykatën e Durrësit? Mos vallë SPAK duhet ta kishte nisur me kolegët e Durrësit punën, që certifikuan një nga masakrat më të mëdha urbane të atij qyteti, Velierën, që i ka kushtuar deri më sot 10 milionë euro shqiptarëve dhe ende nuk ka mbaruar? Ndoshta, do thoshte përsëri ndonjë i huaj, aty korrupsioni bërtet, të thotë ja ku jam (jo si kënga e Arditit), por ta thotë ama. Të thotë Landfilli i Plehrave në Porto Romano, plotë 13 milionë euro kushtoi mbyllja e tij me dhe e beton, ndërsa çdo vit 10 milionë euro çon bashkia Durrës te llogaria e inceneratorëve (që deri më tani në fakt prapë kanë shkuar deri te pjata e dytë, se ëmbëlësirën këtej nga Tirana, nuk e arrijnë dot). Pra, kjo që shkruaj, nuk amniston aspak Vangjush Dakon dhe këdo kryebashkiak që abuzon me detyrën.

Nuk amniston asnjë zyrtarë publikë që paratë e taksapaguesve i ka kthyer në asete private dhe i përdor ato si të tilla pa iu dridhur qerpiku fare. Por, sot, SPAK po dëshmon dita ditës se është kthyer në kamzhik politik. Pse SPAK thotë për inceneratorin e Tiranës është çështje komplekse dhe nuk gjenden pronarët? Kur SPAK mjafton të lexojë kontratën e inceneratorit e të shkojë të verifikojë nëse ajo kontratë është përmbushur, për të thjeshtuar punën e tij. Pse SPAK nuk guxon të hetojë tenderat miliona eurosh të asfaltit elektoral, që u tenderuan po s`dihet ku përfunduan, apo nëse përfunduan për asfalt, si u bë ky asfalt? Këto janë ca nga ato gjërat që çdo ditë kërcasin, por SPAK nuk i dëgjon.

Ndaj, arrestimi i Vangjush Dakos, është një tjetër përdorim politikë i institucionit më të kushtueshëm dhe më të investuar në vend nga ndërkombëtarët, që sot fatkeqësisht ka përfunduar si kamzhik qeveritar, që përdoret për të ndëshkuar sa herë kryeministri mbaron punë dhe do thjeshtë të dërgojë ca mesazhe. Pasi, rezultatet e hetimeve i dimë, SPAK të arreston kur do, por gjykatat të lirojnë kur duan

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco