Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Asociacion apo Kosova në KE

Fitorja e 14 majit po troket, të bëhemi pjesë e saj me votat tona - Nga Ibrahim Morina

Fitorja e 14 majit po troket, të bëhemi pjesë e saj me votat tona - Nga Ibrahim Morina

14:11, 06/05/2023
A+ Aa A-

Nga Ibrahim Morina.

Katër vjet më parë, Lulzim Basha i fali Edi Ramës edhe pushtetin vendor. Duke zgjedhur të mos përfaqësohej në zgjedhjet vendore të vitit 2019, ish-kreu i PD-së ndërsa i bëri dhuratën më të çmuar atij që duhet të ishte kundërshtari kryesor, i bëri një dëm të pallogaritshëm partisë që kishte marrë përsipër të drejtonte drejt fitores...

Sot, katër vjet më pas, opozita duhet të fillojë gjithçka nga zeroja, në raport me pushtetin vendor.

Sigurisht, situata megjithëse jo e lehtë, nuk është e pashpresë. Më shumë se çdo gjë të bind për një rezultat optimist të opozitës, sjellja e kryeministrit dhe e kandidatëve të tij.

Edi Rama i cili sa pa filluar fushata “nuk e llogariste” opozitën e Sali Berishës në Kuvend, tani zgjedh të “thërrasë” për ndihmë edhe “gjyshërit e vdekur” për të penguar fitoren e opozitës.

Por, në situatën që ndodhet, Edi Ramën nuk e shpëtojnë, jo “gjyshërit e vdekur”, por as “të gjallët” e vulës, ndaj edhe ka zgjedhur të kërcejë si prifti nga belaja.

Nga ana tjetër, shpirti i një populli për të arritur atë që do, është shumë më i fuqishëm se makineria shtetërore e administrative, apo edhe nga shfaqja teatrale e kryeministrit...

* * *

Për opozitën, zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 janë jo vetëm të një rëndësie kapitale, por edhe të një përgjegjësie kombëtare. Për opozitën këto zgjedhje nuk janë një garë, por është një betejë për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Këtë e kupton edhe Edi Rama vetë, për aq sa ka zgjedhur “Përpara” dhe të mos guxojë as të krahasohet me pararendësin e tij, por as me veten. Nuk guxon ta kthejë kokën mbrapa, sepse i shfaqet një ministër, i cili është duke pritur t’i lirojë qelinë e burgut një tjetër ministër; i shfaqen deputetë që të vetmen vlerë kanë pasur horrllëkun e tyre, për aq kohë sa në Parlament “flisnin” duke fshikulluar kundërshtarët me rripin e pantallonave...

Edi Rama nuk guxon të kthejë kokën mbrapa sepse do të përballet me shpopullimin. Shpopullimi me ritme të shpejta dhe shqetësuese i vendit, prej vitesh ka filluar të japë efektet e tij, dukshëm sidomos te bizneset, që vuajnë pasojat e mungesës së krahut të punës.

Prag - sezoni turistik ka rikthyer edhe më fuqishëm alarmin e operatorëve turistikë, të cilët kanë paralajmëruar dështimin, vetëm për shkak të mungesës së punëtorëve në këtë sektor.

Krimi dhe korrupsioni deri edhe me plehrat, vazhdojnë të mbeten kambana alarmi, të cilat vetëm qeveria nuk i dëgjon. Sigurisht, as edhe drejtësia.

Kasaforta me euro e dollarë zbulohen vetëm aksidentalisht në shtëpi zyrtarësh, por organet “e reformuara” të drejtësisë duken si “tigra prej letre” përballë “tigrit të qeverisë”.

Ndërsa krimi i ulur këmbëkryq merr jetë banakieresh të pafajshme, apo biznesmenë të ndryshëm, drejtësia “e reformuar” shijon nga TV, telenovelat “fiction” që thuren për këto ngjarje të rënda kriminale. Për këtë ka edhe bekimin e qeverisë dhe të Edi Ramës që as me gojë nuk i përmend.

Po të ndalemi te mashtrimet e qeverisë me pagat e pensionet, më e fundmja rritje page ka mbetur ende në letër, sepse deputetët e ministrat kërkojnë përparësi, rritjen e pagave fillimisht për ata vetë. Dhe këtë Edi Rama” ia ka lënë në dorë” të ardhmes, ndërkohë që efektet e rritjes së pagave e pensioneve, duhet të kishin filluar...

* * *

Kusuret e qeverisë dhe të kryeministrit të saj, nuk janë të shkëputura nga kusuret e kryebashkiakëve aktualë. Të urdhëruar nga Edi Rama, ata jo vetëm që nuk guxojnë të përballen me kandidatët kundërshtarë në ballafaqime publike, por as nuk guxojnë të kthejnë kokën mbrapa dhe të na tregojnë çfarë kanë bërë.

Kush nga kryebashkiakët aktualë ka bërë publike sa tendera ka dhënë, sa ka qenë fondi limit, me çfarë vlere është fituar secili prej tyre?

Kush nga kryebashkiakët aktualë ka prezantuar punën e tyre, kush ka risjellë në vëmendje, premtimet që ka bërë katër vjet më parë dhe çfarë ka realizuar prej tyre sot, kush nga ata mund të thotë se nëpër çezmat e shtëpive, rrjedh uji në 24 orë dhe se ai është i pijshëm?

Askush!

Tre inceneratorë, të pretenduar se do të ndërtoheshin nga qeveria, vazhdojnë “të djegin” miliona euro të shqiptarëve, por asnjëri prej tyre ende nuk ka djegur koshin e parë me mbeturina. Ndërsa kryebashkiakët e këtyre incineratorëve, as nuk guxojnë t’i kujtojnë e t’i përmendin.

Por kjo fshehja e kokës në rërë si puna e strucit, do të ketë një fund në 14 maj 2023. Janë zgjedhësit shqiptarë që do të dinë të pengojnë sundimin nga disa njerëz të korruptuar, të cilët qëllim kanë vjedhjen dhe korrupsionin.

Do të ishte ndër nderin e kandidatëve të vulës, kapërcimi i gjërave të vogla, në funksion të asaj që sot merr më shumë vlerë, fitorja e opozitës.

Sigurisht, “kjo nuk është me të thënë, por është me të bërë...”.

Dhe çfarë është për të bërë do ta bëjnë zgjedhësit në 14 maj, të cilët me pjesëmarrjen e tyre masive do t’i japin jo vetëm votës së tyre vlerë, por do t’i hapin rrugë një ndryshimi më të madhe dhe më të shumëpritur.

Fitorja është shumë pranë, na takon ne të gjithëve të bëhemi pjesë e saj me votat tona!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco