Fejton/ Festë e madhe në fshat... Erdhi kryeqeverriu

Fejton/ Festë e madhe në fshat... Erdhi kryeqeverriu

20:51, 25/04/2023
A+ Aa A-

Dr. Engjëllushe Zenelaj

Që ta dini ju kemi disa ditë që e gjithë Ndërmarrja e pastrim gjelbërimit në shesh, pune angari,

pastrim, prashitje, ujitje etj...Madje-madje, dje në mes të qytetit u zunë e grinë disa prej punëtorëve më të dalluar se kush do të hapte më të thellë gropën për Edi Ramën... d.m.th., që të mos keqkuptohemi, gropën për të mbjellë pemët e famshme.

Se sa për ri-fresh memorie, në fillim kishim pemë qendrën e qytetit, pastaj e prishëm me rilindje e bëmë beton, i vumë edhe disa gurë përsipër, dhe sërish po e rilindim po e bëjmë me pemë( na u deshëm të dëgjonim dje 6 orë trapanët që prishnin betonin dhe gurët për të hapur gropat e edi ramës, dhe natyrisht pamja klasike ku 3-4 punojnë dhe 20 vetë kuadro partie si deputet, kryetar, drejtora, prefekti, nënprefekti etj, mbikëqyrin hapjen e gropave)... Natyrisht qendra e restauruar ka edhe një Rregullore e cila është miratuar bashkë me projektin në Këshillin Bashkiak. Natyrisht më lind pyetja: ‘Dëmtimi i sheshit dje për të hapur gropat për kryeqeverriun si justifikohet de juro nga ana e Bashkisë Mallakastër? Sipas kësaj politike i bie që kujtdo që i teket mund të hapi gropa sa të dojë në qendrën e qytetit...

Eh ç ‘gëzim mallëngjyes sot në kryefshatin tonë...

Ziente qyteti si asnjëherë më parë, se kishte ofertë, sot kishte transport falas për besnikët e partisë nga fshati për në Ballsh...përveç ekipit të kryeqeverriut muskuloz, cupka me veshje që ne këtej nga fshati na dukeshin sikur vinin nga një planet tjetër( dhe teksa ishikoja mendoja për veten për rezultatin kisha arritur në renditjen e 1000 kërkuesve shkencor në Shqipëri, po nejse ky është muabet tjetër,

Ngjarje interesante është se gjithë administratën e bashkisë e kishim në shesh, edhe më mirë akoma sollëm edhe nga Fieri që ta mbushnim pak sheshin. Dikush ta zgjoj nga gjumi Komisionarin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, që mbikëqyr, se me demek për atë punë i merr paratë nga buxheti i shtetit. Dikur kutjotët thoshin ‘ Vemi nga vemi Fratarin e kemi’ sot me këtë boshatisjen si shkak i hapjes së vendeve të punës nga qeveria në Gjermani e Angli, duhet të themi ‘Vemi nga vemi Fierin e kemi’.. miku i mirë në ditë vështira...

Për të mos folur pastaj për prezencën e atyre që kanë kandiduar dikur me PS, pastaj që janë me çdo parti është në pushtet, dhe gjithmonë qëndrojnë aty tek sofra e qeverisë, kush e di se çfarë aftësish të veçanta kanë...

Një detaj interesant, më shumë nxënës shkolle, se sa votues...përfshirja e fëmijëve në fushatë sikur ndalohet me ligj, apo emocionet dhe kërshëria e të zotëruarit gjithçka na i vesh sytë, dhe s’na bën përshtypje asnjë ligj sepse të gjitha pushtet i kemi ne dhe s’ka kush na kontrollon...

Po mirë që erdhi kryeqeverriu, mirë se erdhi...Po nuk e di për cilin prej problemeve shqetësuese të mallakastriotëve foli?

Cilin prej banorëve dëgjoi?

A mos përmendi dikush mungesën e azhurnimit të tokës bujqësore në Kutë apo fshatra të tjerë të Mallakastrës?

A përmendi njeri që rrugët rurale pa u bërë u prishën( siç rasti i rrugës së Kutës)?

E përmenda pak më shumë fshatin Kutës se kur ngec keq ky kandidati i majtë i pëlqen të thotë që është nga Kuta, (ndoshta mos i kujtohen drejtues nga Çorrushi kanë pasur fund të hidhur)...

Po fakti që rrugët ruale i kemi si korsi biçikletash, pa kanalizime anësore, me asfalto beton(që në fakt është përzierje granil- solar dhe pakëz zift), etj., ?

A foli dikush për tenderët disa miliona euro por që s’jua kemi parë hairin ende as 5 % të vlerës së tyre?(fjala bie ujësjellësin etj, etj ...)

Po Vjosa, ajo Vjosa e famshme, mos harroni kalon edhe në Mallakastër, kemi ndonjë projekt ide apo hiç... si ka dalë ende inati qeverisë që ia prishi planet populli për tenderët e HEC-ve që zor se do ndizeshin ndonjëherë...

Meqë ra fjala tek tenderët, kryeqeverriu njeh si kundërshtar koalicioni ‘Berisha-Meta’ se vetëm këta përmendi në shesh, po këta opozitarët e tjerë me vulë? Apo këta gjynah, aq pak sa janë katandisur nuk i prishin punë, dhe kryeqeverriu vazhdon misionin e asimilimit nëpërmjet joshjes dhe ngopjes me tender Fier, Tiranë, Roskovec, Patos, Mallakastër, Vlorë, etj ...

Për ju besnikët e partisë anembanë mos kini merak, pemët i gjeti gati të mbjella, vetëm sa i thanë preke lopatën të bësh foto...Po natyrisht unë kam pyetje(ah unë dhe këto pyetjet e mia) kush i ka blerë pemët? Po punëtorët e bashkisë pse duhet të hapin gropat për tekat dhe kapriçot e Partisë?

Po Bylisi? Mos ndoshta kishin ndonjë plan për të? Flas për Bylisin, parkun arkeologjik, kulturën ilire, jo për fonde qindra milionëshe për restorante pa plane biznesi të cilat s’kanë asnjë koordinim me zonën për të gjeneruar zhvillim...

Jemi në zgjedhje lokale, do preferoja të dëgjoja kryetar partie, kandidatë për kryetar bashkie që flasin me ide, me alternativa, e jo të merren ende me Berishën....Një armatë e tërë qeverie merret me një njeri të vetëm... kaq më mjafton për të kuptuar shterpësinë dhe fasadën e kostumeve dhe buzëqeshjeve sa për sy e faqe...

Dialogu i famshëm:

-’Sulooo, ka bukë populli për të ngrënë mo?

-’Ka plotë shoku...

-’E mirë mo, të rroj Partia me mua në krie’...

Qershia mbi tortë sikur të na kishte thënë ndonjë fjalë se si është tjetërsuar statusi i pronësisë nga ndërtesë në truall i territorit të ish KPTHN-së...

Në mbyllje, përpara drejt gropës, në vend numëro, për aq kohë sa nuk ndajmë dot shtetin nga Pushteti...

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco