104 vjetori i lindjes së aktorit të teatrit dhe kinematografisë, Sandër Prosi

104 vjetori i lindjes së aktorit të teatrit dhe kinematografisë, Sandër Prosi

22:16, 06/01/2024
A+ Aa A-

Aleksandër Prosi i njohur gjerësisht si Sandër Prosi lindi në Shkodër, më 6 janar 1920  dhe ndërroi jetë  në Durrës, në 25 mars të vitit 1985.

Sandër Prosi ishte një thesar i teatrit dhe kinematografisë shqiptare  ka qenë aktor i i rrallë me interpretime brilante.

Drama e parë në të cilën Prosi mori pjesë ishte "Vilhelm Teli". Me bursë shtetërore shkoi për studime në Austri për stomatologji, të cilat nuk i mbaroi.

Më 1947 u bë pjesë e konkursit pranë Teatrit Popullor dhe e fitoi atë. Që këtu fillon dhe veprimtaria e tij e gjerë dhe e larmishme artistike.

Ky aktor krijoi mbi 85 role në 75 vepra të autorëve tanë si Çajupi, K. Jakova, Besim Levonja, L. Papa, I. Kadare, T. Laço, R. Pulaha, D. Agolli, Dh. Xhuvani dhe të autorëve të huaj si Shekspiri, Shileri, Çehovi, Karaxhale, Gorki, Brehti etj.

Interpretoi në rreth 30 filma, ku rolet e tij mbetën si një thesar i teatrit dhe kinematografisë tonë.

Krijimet e Sandër Prosit zbulojnë jo vetëm vlerat e artit të aktorit në ekran, por edhe mjeshtërinë e tij të lartë skenike. Ato janë studiuar e do të vazhdojnë të zbërthehen më tej, pasi janë të pasura me vlera të mëdha kombëtare.

Sandër Prosi u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe urdhra e medalje të tjera. Në 25-vjetorin e vdekjes së aktorit Sandër Prosi, Presidenti i Republikës e nderoi me Urdhrin "Nderi i Kombit". Në 24 shkurt 2017, aktori Sandër Prosi u nderua me urdhërin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" pas vdekjes.

Për herë të parë interpretoi në vitin 1948 në komedinë "Prefekti" të Besim Levonjës në rolin e Shaqir Agës. Luajti përkrah Mihal Popit, Loro Kovaçit, Marie Logorecit. Më pas vazhdoi me role të tjera nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në teatër ka interpretuar tek "Cuca e maleve", "Orët e Kremlinit", "Hamleti", "Fytyra e dytë", "Doktori pacient", "Otello", "Makbethi", "Epoka para gjyqit", "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", "Familja e peshkatarit", "Çatia e të gjithëve", "Revizori", "14 vjeç dhëndër", "Gratë gazmore të Uindsorit", "Rrënjët e thella", "Xhaja Vanja" etj. Pas vitit 1961, rolet e tjera i takojnë kinematografisë në filmat "Debatik", "Detyrë e posaçme" (1963), "Vitet e para" (1965), "Horizonte të hapura" (1968), "Plagë të vjetra" (1968), "Guximtarët" (1970), "Gjurma" (1970), "I teti në Bronz" (1970), "Mëngjese lufte" (1971), "Yjet e netëve të gjata" (1972), "Shtigje lufte" (1973), "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" (1975), "Në fillim të verës" (1976), "Përballimi" (1976), "Fijet që priten" (1977), "Njeriu me top" (1977), "Gjeneral Gramafoni" (1978), "Udha e shkronjave" (1979), "Yje mbi Drin" (1979), "Vajzat me kordele të kuqe" (1980), "Plumba perandorit" (1980), "Plaku dhe hasmi" (1981), "Qortimet e vjeshtës" (1981), "Nëntori i dytë" (1982), "Dora e ngrohtë" (1983), "Kush vdes në këmbë" (1984) dhe "Pranverë e hidhur", filmi i regjisorit Muharrem Fejzo që ai la në mes.

Më 25 mars 1985, Sandër Prosi ndahet nga jeta ndërsa ishte me xhirimet e filmit "Pranverë e hidhur".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco