Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Të përkujtosh Fan Nolin sot me një kartëmonedhë

Të përkujtosh Fan Nolin sot me një kartëmonedhë

11:13, 06/01/2024
A+ Aa A-

Fan Noli lindi më 6 janar 1882 dhe vdiq më 13 mars 1965. 

Banka e Shqipërisë ka vendosur që përmes kartëmonedhës 100 Lekë, emetim i vitit 1996, të përkujtojë një prej poliedrikëve të kulturës kombëtare, Fan Nolin (Theofan Stilian Nolin), në përvjetorin e 142 të lindjes.

Erudit, diplomat, historian, poliglot, përkthyes dhe shqipërues i kryeveprave të letërsisë botërore, Noli ka lënë gjurmë në historinë dhe kulturën shqiptare falë kontributit në një sërë fushash.

Ai i përket brezit të intelektualëve të shquar shqiptarë që kontribuan në njohjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe në rritjen e vetëdijes kombëtare. Së bashku me Faik Konicën themeloi shoqërinë panshqiptare të Amerikës “Vatra”, si dhe botoi e drejtoi organin e saj të shtypit “Dielli”.

Noli kryesoi delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku arriti ta anëtarësonte Shqipërinë më 17 dhjetor 1920. Pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Noli me të drejtë e konsideronte si arritjen e tij më të madhe politike.

Në zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, Noli u zgjodh deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë. Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore (e majta e kohës), kundrejt Partisë Përparimtare dhe ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare.

Më 17 qershor 1924, Fan Noli u shpall zyrtarisht kryeministër dhe më vonë regjent i Shqipërisë, deri në vigjiljen e Krishtlindjes së të njëjtit vit, kur u përmbys nga forcat zogiste dhe u largua përgjithmonë nga vendi.

Arkitekt dhe themelues i Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, Fan Noli ka shqipëruar mrekullisht shumë nga Librat e Shenjtë të Biblës. Më 22 mars 1908, Noli i ri mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në Knights of Honor Hall, në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Ëndrra e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare u plotësua më 12 prill 1937, me njohjen nga Patriarkana e Stambollit.
I lidhur me kulturën dhe jetën shoqërore të re shqiptare të fillimshekullit XX, ai krijoi vepra letrare madhështore që e lartësojnë kombin shqiptar.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco