Lajmi i fundit

LIVE/ Nis punimet Konventa Kombëtare e Partisë së Lirisë

Atë Anton Harapi e ideali që kishte: 'Vllaznimi njerzvet dhe ligja Unjillit'

Atë Anton Harapi e ideali që kishte: 'Vllaznimi njerzvet dhe ligja Unjillit'

13:33, 05/01/2024
A+ Aa A-

Kisha katolike shqiptare, në pritje të një të Lumi të ri: Atë Anton Harapit, Frat françeskan. Për të fjala e fundit që doli nga goja e tij, të cilën nuk mundi ta ndalojë as breshëria e plumbave, qe emni i Krishtit! Dashunia e pafundme për Të. “Krimi” i vetëm, për të cilin mund të akuzohej nga armiqtë e Zotit! Ky ishte Atë Anton Harapi, Njeriu pa vorr, po jo pa lavdi, shkruan Radio Vatikani.

Më 5 janar kujtojmë përvjetorin e lindjes së françeskanin të jashtëzakonshëm, Atë Anton Harapit ( lindi në Shirokë me 5 janar 1888 – pushkatue në Tiranë me 15 shkurt 1946), misionar i madh e fesë dhe i idealeve kombëtare e shpirtërnore. Si atdhetar, shpirti e tij i kulluet dhe autoriteti i tij moral, ndahet në shenj ndër figurat e shqueme të françeskanëve, bashkëudhtarë të tij. U diftue i ethshëm si puntor i çlirimit dhe i mbrojtjes së trojeve tona në agun e pamvarsisë, shfaqi matuní demokratike në fillimin e viteve ’20, kur me grupin “Ora e Maleve” çoi përpara nji ide të re në gjinin e kalbun të politikës shqiptare. Nuk ngurroi me e sakrifikue emnin e mirë të vetin, atëherë kur vendi po zhytej në anarkinë vllavrasëse që pasoi 8 shtatorin 1943.

Kryedioqeza metropolitane e Shkodër-Pultit, në marrëveshje me të gjithë ipeshkvijtë e Shqipërisë, dhjetorin e kaluar vendosi të mbledhë dëshmi e dokumente mbi jetën dhe martirizimin e meshtarit të shquar shqiptar, Át Anton Harapi, teolog, filozof, sociolog dhe prozator. Hapet kështu rruga drejt procesit të lumnimit të françeskanit, që nuk u përfshi në 38 martirët e parë shqiptarë të komunizmit, shpallur të lumë nga Kisha.

Kush ishte Atë Antoni?

Për Atë Anton Harapin (5 janar 1888 – 20 shkurt 1946) nuk duhen folur fjalë të bujshme: flet jeta e tij, vepra, martirizimi! Ishte Frat. Dimër e verë këmbëzbathur. Dimër e verë me zhgunin françeskan. Nuk mori kurrë rrogë, as kur ishte kryeministër. Rast i vetëm në historinë e Shqipërisë! Fjala e fundit që doli nga goja e tij, të cilën nuk mundi ta ndalojë as breshëria e plumbave, qe emni i Krishtit! Dashunia e pafundme për Të. “Krimi” i vetëm, për të cilin mund të akuzohej nga armiqtë e Zotit!

Ky ishte Atë Anton Harapi, ofm, njeriu pa vorr, po jo pa lavdi. E kujtojmë në atmosferën e entuziazmit, në valim ndër zemrat që e duan, nësa përhapet  lajmi i madh për nisjen e mbledhjes së dëshmive e të dokumentave për hapjen e procesit të lumnimit të tij.  Për t’i dhënë përgjigje pseve -  zgjodhëm një fragment nga vepra e Fratit  Martir, pa varr - por jo pa lavdi – që na flet për Krishtin, ashtu si e njohu, si e deshi, si e besoi, aq sa të jepte edhe jetën për Të. Fragmenti i zgjedhur nga vepra “Valë mbi valë”  nis  duke lypur leje për të folur…

“… kund gati 2000 vjet ma parë, duket nji nieri në botë e thotë: Un jam Zoti vetë! Qe, dueni me pa? Shihni vitytet e mija qi po ushtroj, veshtroni mrekullít qi po bâj, ndiqnje veprën tême qi po ndertoj në botë. Doni me sprovue e me prekë me dorë? Qe mësimi êm, venju ju e kush të mundet, po mujt me më gjetë në gabim: qe jeta e ême që un shkoj, provoni të gjith, si miq si anmiq, po mujtët me më gjetë në faj: qe ideali që unë kam, qe morali që mësoj e ndjek, edhe pirolla i kjoftë atij bír  nieri  qi mundet t’ia dalë me sajue  vetëm me mend nji madhní ideale e një moral, të cillin un jo vetëm e mësoj e e çfaqi, por e njipernjisoj me jeten qi shkoj e me vepren qi zhvilloj…

Atë herë e mbrapa nisi në botë nji epokë e ré, epoka e vllaznimit të njerzvet e e ligjës s’Unjillit. Atë herë e mbrapa nierzimi u dá dysh: n’ata qi e besuen Krishtin-Zot - e nder kundërshtarët e tij.

Rrokull XX shekujsh, mija e miliona njerzsh, burra e grá, filozofë e dijetarë, perandorë e vogjlí çë do rendi shoqnuer e çë do shkalle e naltësije mendore e ndien ketë typ të pakurrkund shoq në historín nierzore, u tërhoqën prej madhnís s’diellit, u prekën prej bukurís së moralit, u harlisën prej hijeshís së virtytetve të tij, edhe i u dhanë,  i u kushtuen, i u truen me gjith mend e me gjith zemër ….veç që t’a perjetsojshin në veti mirsín morale, bukurinë shpitnore  e shejtnín e jetës së tij”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco