Pesë veprat që zgjodhi Berisha për t'ia dhuruar të rinjve elitë

Pesë veprat që zgjodhi Berisha për t'ia dhuruar të rinjve elitë

12:34, 25/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka përzgjedhur sot pesë vepra të çmuara për t’ia dhuruar të rinjve ekselentë, anëtarë të departamentit “Brain Gain”  pranë Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Berisha tregoi rëndësinë dhe kuptimin e thellë që mbartnin ato dhe vlerat që përcillnin tek rinia elitë e vendit.

“Keni filluar të bëheni një nga departamentet siç u takon, më vibrante në jetën e PD-së, në ndryshimin e pritshëm nga mbarë shqiptarët të kësaj partie, - tha Berisha. -  Prania e këtij departamenti është shumë shpresëndjellëse, sepse elitat e reja të kombit do ti përkushtohen shoqërisë shqiptare, do t’i përkushtohen Shqipërisë.

Ndër nismat që keni marrë është kjo e librit, e dhurimit të librit, i cili për fat të keq sot përjeton një krizë të thellë dhe me pasoja serioze për shoqërinë tonë.

Asgjë nuk e ka ndryshuar dhe e ndryshon botën më shumë sesa libri.  Asgjë nuk ka asnjë asgjë tjetër nuk ka njeriu më të dobishëm , mik më të çmuar se libri. Por libri këtu përballet me dy problematika serioze:

Njëra është universale: teknologjia. E vërteta është se krijon te fëmijët një lloj shkëputjeje, gjë që është për mua shumë e padëshirueshme. Libri është i pazëvendësueshëm, me rol përcaktues në imagjinatën njeriut. Në fund të fundit, njeriu, ëndrrat, projektet , i ka në imagjinatën e tij dhe kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Së dyti, në pasurimin e kulturës gjuhësore. Edhe këtu libri ka një rol të pazëvendësueshëm.

Por në Shqipëri këto vitet e fundit ka një politikë pothuajse shteruese të librit. E vërteta, me terma të tjerë, shteruese, ka përpjekje të mëdha që Kryeministri të diktojë, të diktojë panairet, të diktojë panairet ndërkombëtare, të marrë kompetencat e Shoqatës së Botuesve, e cila kudo ka një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e librit dhe të letrave dhe qoftë edhe rregullimin e këtij tregu, por këto tani janë të përqendruara në duart e një njeriu që në rrafshin artistik, që pavarësisht se çfarë e imagjinon veten,  unë do të përsëris këtu fjalët e dy kritikëve të mirënjohur italianë, sepse bëri gafën e tmerrshme dhe shkoi në Bienale si kryeministër, turpëroi veten dhe vendin, se një kryeministër nuk mund të shkonte, Bienale është hapësira e artistëve, nuk është hapësira e zyrtarëve të korruptuar - dhe aty dy kritikë arti i cilësuan shkarravinat e tij si “shkarravina të një adulti të droguar”!

Mirëpo ky formim i tij po pasqyrohet tani edhe në politikën e librit, një politikë shtrënguese, një politikë me taksa të rënda, një politikë diktuese etj.

Image

Unë kam zgjedhur për nismë tuaj t’u dhuroj dy vepra, dy vëllime të veprës së Martin Camajt, një zheni të cilin për gjysmë shekulli e përjashtoi regjimi dhe tani e përjashton drejtshkrimi dhe e bën këtë kolos të letrave shqipe, një zheni, gjysmë të ndaluar pasi ai që u quajt drejtshkrim, ai u bë shtrati i prokustit të gjuhës shqipe ku diktatori diktoi rregulla vetëm e vetëm që të zhvishte shqipen nga shqipja liturgjishtja dhe të ndëshkonte dialektin gegë meqenëse ai atë zonë e konsideronte jomiqësore. Sidoqoftë. Martin Camaj mbetet në nga kolosët e letrave shqiptare.

Teodor Keko është një tjetër poet, shkrimtar, i talentuar por që jeta e tij, ishte e shkurtër, relativisht e shkurtër. Teodori ishte një shpirt i lirë dhe në diktaturë, Teodori u përpoq të mos akomodohej, të mos përshtatej, por përkundrazi të shprehë mendimet e tij dhe vepra e Teodorit është më të vertetë një perlë, një bizhu në letërsinë shqiptare. Ai që e lexon do të njihet me një poet të madh, një poet klasi.

Noel Malcolm - Kosova. Kombi shqiptar i detyrohet pafundësisht këtij studiuesi të shquar. Ndofta një nga kontributorët kryesorë në tërë historinë tonë kombëtare përsa i përket studimeve të historisë së shqiptarëve. Kjo vepër është lexuar dhe Presidenti Bill Clinton në vendimet e tij për të udhëhequr NATO-n në çlirimin e Kosovës ka pasur parasysh edhe afirmimet e origjinës autoktonisë së shqiptarëve në Kosovë, për çlirimin e tyre.

Noel ka dhe vepra të tjera kushtuar shqiptarëve të cilat janë të pakrahasueshme në fondin e historisë dhe të shkencave historike. Profesori i Oksfordit, një kapacitet i jashtëzakonshëm sot në këtë fushë.

Një vepër tjetër me studime, kushtuar prijësit tonë të përjetshëm Skënderbeut. Sa më shumë të shkruajnë, sa më shumë të lexojnë shqiptarët për heroin e tyre, aq më i madh bëhet frymëzimi dhe administrimi, mirënjohja për atë çka ai ka bërë. Nuk di të ketë ndonjë udhëheqës tjetër real si Skënderbeu që me luftërat dhe kontributin e tij të jetë shndërruar në një element parësor i identitetit kombëtar të shqiptarëve.  Skënderbeu më shumë se çdo gjë tjetër frymëzon shpirtin e pamposhtur të tyre drejt fitores.

“Historia e popullit shqiptar” është vepër e Akademisë së Shkencave, e cila në të vërtetë nuk është se është e çliruar nga historiografia e shkuar , por megjithatë materialet e këtyre dy vëllimeve qëndrojnë dhe sa më shumë të mësojmë historinë e vendit tonë, aq më shumë do ta kuptojmë dhe do ta duam Shqipërinë.

Dhe ju garantoj edhe një gjë, që nesër Partia Demokratike në pushtet do të ketë dhe një politikë mbështetjeje  të fuqishme për librin. Në fakt ne e nisëm dhe ecëm në hapat të rëndësishme, si me politikat fiskale, ashtu dhe me financimin e librave të të gjitha shkollave, por tani çdo gjë është në regres dhe priten zgjedhjet e ardhshme, që të marre edhe libri vendin e nderit që i përket në një shoqëri, në një vend.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco