Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Tallavaja e Ramës me administratën në Athinë

'Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes ndër shekuj'/ Gjovalin Shkurtaj: Shqipja të ruhet si gjedhe

17:47, 29/10/2022
A+ Aa A-

Me një histori mbi 5 shekullore, gjuha shqipe në rrafshin historik ka kaluar etapa të ndryshme zhvillimi për të mbërritur deri në ditët e sotme. Gjuha, është parë gjithmonë si e bashkëlidhur me identitetin e një kombi. Me hershshmërinë e saj, ajo plotëson tablonë e plotë e prejardhjes së një populli. Për të rrokur të shkuarën e për të kapërcyer në të sotmen, përmes një studimi etnolinguistik, akademiku Gjovalin Shkurtaj sjell për lexuesit "Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes ndër shekuj". Kjo vepër që sapo ka njohur dritën e botimit, e fton lexuesin në një udhëtim nëpër kohë, për të shijuar këngët e malcisë, eposin e kreshnikëve, që tingëllojnë si kang, kur lexohen me zë. Në një intervistë për Syri Tv, Shkurtaj tregon për përmbajtjen e librit të fundit studimor, ndërsa thekson për nevojën e ruajtjes së shqipes edhe nëpër tekstet e këngëve.

"Është e lidhur me rolin që ka gjuha në jetën e kombit, në jetën e njerëzve. Njeriu kur lind fillon të qajë pastaj të dëgjojë këngë. Kënga është ushqim shpirtëror por dhe mjet për të ruajtur gjuhën."-tha Shkurtaj.

Në vepër, studiuesi ka përfshirë rrugëtimin e këngës shqiptare deri në vitet e fundit. Në syrin e gjuhëtarit vlerësohen dy nga tekstshkruesit shqiptarë, me sugjerimin që ata t'u drejtohen njohësve të fushës, me qëllimin e vetëm: Tekstet të shkruhen e këndohen në gjuhën e bukur shqipe. Shkurtaj ndalet edhe te tradita e këngët arbëreshe.

"Në libër kam futur disa vlerësime për këngë të reja, të Alban Skënderajt apo Rozana Radit. Vlerësime për këngët e Silvana Lëkursit, këngëtare arbëreshe që jeton në Romë por që ka sjellë hijeshinë e këngëve arbëreshe të kësaj zone."-tha Shkurtaj.

Përpjekja për të qenë modern është e rëndëishme dhe e pamohueshme, megjithatë sipas profesorit, ajo nuk duhet të shprehet vetëm duke marrë borxh nga gjuhët e huaja. Në tekstet e këngëve shqiptare, veçanërisht në vitet e fundit vihet re, përdorimi i shpeshtë i fjalëve të huaja apo i shprehjeve të ndryshme, që kanë zënë vend lehtësisht në to, ndaj akademiku thekson se është shumë i rëndësishëm komunikim përmes shqipes mes njerëzve.

Një pjesë e të rinjëve, rrokin më së tepërmi muzikën ritmike, pa i kushtuar rëndësi tekstit të këngës. Gjuhëtari thotë se në materiale të tilla, dëgjuesi duhet t'i mbetet diçka, në këtë rast, fjala është ajo që mbart bukurinë, tingëllimën dhe në fund, edhe mesazhin.

Nga rreziqet e mundshme që i kanosen gjuhës shqipe, akademiku veçon përdorimin e fjalëve të huaja në reklama, emërtimet e rrugëve dhe sheshve.

"Kënga si mjet për ruajtjen e shqipes ndër shekuj", ju shërben mbi të gjitha të rinjëve që të hyjnë në brendësinë e gjuhës shqipe përmes vargjeve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco