Tefta Tashko, sopranoja që

Tefta Tashko, sopranoja që "lidhi" Shqipërinë me Europën.

09:55, 11/08/2022
A+ Aa A-

Tefta Tashko Koço, mbetet padyshim një prej artisteve më të talentuara dhe më të dashura për publikun shqiptar. Me zërin e bukur dhe autentik, gjatë karrierës së shkurtër ajo shpalosi një talent të jashtëzakonshëm të muzikës lirike qytetare shqiptare dhe një repertor të pasur të muzikës operistike klasike.

Tefta ishte vajza e patriotit të shquar shqiptar nga Frashëri i Përmetit, Thanas Tashkos i cili prej vitit 1910 qe vendosur familjarisht në Egjipt. Aktivizimet e para të Teftës si këngëtare lidhen me qytetin e Korçës dhe data 26 Qershor 1926 mbahet si koncerti i saj i parë në publik.

Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato më pas në Konservatorin Superior të Parisit me rezultate shumë premtuese. Në vitin 1930, Tefta bën inçizimet e para muzikore pranë shoqërisë diskografike “Pathe” – Paris, si pjesëmarrëse në grupin e këngëtarit të shquar të iso-polifonisë labe, Neço Mukon.

Me përfundimin e studimeve, Tefta kthehet në atdhe ku më 26 nëntor 1935 shënohet edhe koncerti i saj i parë si këngëtare profesioniste në Shqipëri koncerte të cilat ajo i dha në shumicën e qyteteve shqiptare. Pikërisht në këto vite, Tefta futi në programet e saj krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Moxart, Guno, Shubert, Verdi, Donixeti, Pergolezi, Belini, Puçini, Rosini, etj., dhe këngët popullore shqiptare, si pjesë integrale e kulturës muzikore popullore shqiptare.
Janë rreth 89 këngë popullore të të gjithë qyteteve të Shqipërisë që Tefta i kishte në repertor dhe rreth 36 prej tyre ajo i regjistroi në pllaka gramafoni në vitet 1930, 1937 dhe 1942 në Paris, Francë dhe Milano, Itali.

AQSH publikon sot disa dokumente të aktivitetit të bilbilit shqiptar Tefta Tashko Koço që i dhuroi emocione të papërshkrueshme publikut të epokës por që fatkeqësish u nda nga jeta në moshë shumë të re.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco