Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Tallavaja e Ramës me administratën në Athinë

Peticion i Intelektualëve hasjanë/ Të restaurohet godina e ish-internatit ‘Kosova’

Peticion i Intelektualëve hasjanë/ Të restaurohet godina e ish-internatit ‘Kosova’

14:28, 07/06/2022
A+ Aa A-

Një grup intelektualësh hasjanë kërkojnë restaurimin e goditës së ish internatit ‘Kosova’, e rrënuar pas djegies së para 2 vitesh.

Godina me histori të madhe, përdorej si muze nga Bashkia e Krumës.

‘Po ua drejtojmë këtë peticion për restaurimin e godinës së ish internatit ‘Kosova’ Krumë, godinë e cila u dogj më 27 mars 2020, dhe që në dekadat e fundit ka shërbyer si muze.

Kjo godinë dy-katëshe që ka qenë nën administrimin e Bashkisë Has, u la në degradim të vazhdueshëm që nga fillimi i viteve 90 e në vazhdim por përbën një pasuri kulturore për zonën e Hasit, qarkun e Kukësit dhe më gjerë’, shkruhet në peticionin e dërguar nga intelektualët hasjanë për Edi Ramën, ministren Elvi Margariti, kryebashkiakun e Hasit, Liman Morina dhe kreu Këshillit të Qarkut, Abdulla Domi.

Peticioni:

Lënda: Për restaurimin e godinës së ish internatit ‘Kosova’, Krumë, Has

Datë: 15.04.2022

Drejtuar:

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama,

Ministres së Kulturës, Znj. Elvi Margariti,

Drejtorit në detyrë të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Znj. Rudina Kule,

Kryetarit të Bashkisë Has, Z. Liman Morina,

Kryetarit të Këshillit të Qarkut Kukës, Z. Abdulla Domi

Të Nderuar,

Po ua drejtojmë këtë peticion për restaurimin e godinës së ish internatit ‘Kosova’ Krumë, godinë e cila u dogj më 27 mars 2020, dhe që në dekadat e fundit ka shërbyer si muze. Kjo godinë dy-katëshe që ka qenë nën administrimin e Bashkisë Has, u la në degradim të vazhdueshëm që nga fillimi i viteve 90 e në vazhdim por përbën një pasuri kulturore për zonën e Hasit, qarkun e Kukësit dhe më gjerë.

Internati ‘Kosova’ për herë të parë u hap, më 1 nëntor 1923 në Kolgecaj të Tropojës. Numri i nxënësve ishte 120 nga të cilët 80% ishin nga Kosova dhe pjesa tjetër nga Kukësi, Hasi, Tropoja, Mirdita, etj. Qendër e prefekturës ‘Kosova’ e cila përkon aktualisht me qarkun e Kukësit që nga janari 1922 deri në fillim të vitit 1925 ishte Kruma. Duke parë interesimin për arsim në Krumë, afërsinë me Kosovën dhe kërkesën më 1924 nga paria e Krumës që edhe në Krumë të hapej një internat si ata në Shkodër, Dibër dhe Kolgecaj, qeveria e atëhershme përkatësisht Ministria e Arsimit vendosi që më 21 tetor 1928, internati ‘Kosova’ të transferohej nga Kolgecaj në Krumë. Përgjatë gjithë viteve 30, ky internat (shkollë 7 vjeçare me konvikt) i hapur me nismën dhe mbështetjen e patriotëve të mëdhenj, Bajram Curri dhe Hasan Prishtina, u konsolidua më tej. Duhet të kujtojmë mësuesin atdhetar, hasianin Niman Ferizi, që ishte mësues në shkollën e Krumës në vitet 1922-1924, për të vijuar më drejtorë dhe mësues të tjerë të dalluar të këtij internati si Salih Morina (në Kolgecaj), Haki Sharofi (drejtor i parë i Internatit ‘Kosova’ në Krumë, Ibrahim Kolçi, Ibrahim Fehmiu, Beqir Kastrati, Beqir Spahia, Qazim Bakalli etj.

Godina e internatit – konviktit, për të cilën po flasim u ndërtua më 13.12.1932 dhe u bë përurimi i saj më 18.12.1932 me rastin e katër vjetorit të punës së këtij internati. Në këtë internat mësuan figura që do të bëheshin të njohura më tej në Kosovë si Fadil Hoxha, Xheladin Beqiri, Hajdar Dushi, Haki Taha, Xheladin Hana, Xhavit Nimani, Abdurrahman Shala, aktor etj. Nxënësit e këtij internati në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore i themeluan dhe i udhëhoqën shumë nga institucionet arsimore e administrative të Kosovës. Në këtë godinë, ka vazhduar punën edhe Shoqëria kulturo-arsimore ‘Shkëlzeni’, nga e cila dolën pastaj shoqëritë e para kulturore në Prizren, Gjakovë, Pejë e Prishtinë, për ta vazhduar aktivitetin kulturo –artistik në gjithë Kosovën.

Ky objekt vijoi të shërbejë deri para Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj derisa në vitin 1973, u shpall objekt i rëndësisë së veçantë si pjesë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Gjithashtu kujtojmë se më 1962 u rihap konvikti ‘Kosova’ në Krumë, fillimisht për nxënës të shkollës 8 vjeçare dhe më pas të shkollës së mesme.

Ky është një peticion i përbashkët nga intelektualë dhe nismëtarë nga të dy anët e kufirit të krahinës së Hasit meqë dihet se gjysma e kësaj krahine u la padrejtësisht jashtë territorit të shtetit shqiptar nga 1913, ndërsa tani është pjesë e Republikës së Kosovës. E gjithë krahina e Hasit me kufij të përcaktuar përbën një tërësi sa i përket zakoneve dhe traditave të njëjta.

Kujtojmë atë që është quajtur traditë ndër hasjanë për shkrimin e shqipes me kryemësuesin e shkrimtarëve të letërsisë së vjetër shqiptare Pal Hasin, për të vazhduar me dy dyert e mëdha hasjanë Bogdani-Mazreku, përkatësisht me Andrea, Pjetër Bogdanin e Lukë Bogdani nga Guri i Hasit, Pjetër Zarishin, Pjetër e Matej Mazrekun, Dervish Salihun etj.

Sa më sipër, do t’ju luteshim përfshirjen e godinës së ish internatit ‘Kosova’ Krumë në projektet e restaurimit. Mendojmë se ky është objekti më i vjetër publik dhe kulturor në qarkun e Kukësit. Besojmë se përveç fotove bashkëlidhur, gjenden edhe planimetri të këtij objekti. Ne jemi vetëm një grup nismëtarësh dhe nga opinionet që kemi marrë, kjo është një kërkesë e shumicës dërmuese të banorëve të Hasit për vlerësimin dhe rehabilitimin e objekteve të trashëgimisë kulturore. Rindërtimi i këtij objekti me vlera kulturore, do ta rikthente në vend historinë dhe kontributin e kësaj godine, e cila pati një rëndësi të veçantë edhe në luftën e UÇK-së, duke pritur me dhjetëra luftëtarë nga Kosova, sepse ajo godinë ishte ‘shpirti’ i Kosovës dhe rrezatonte idenë e bashkimit kombëtar.

Maxhun Peka, diplomat, ish ambasador       

Rovena Vata, pedagoge, studiuese

Hajdar Muneka, diplomat, ish ambasador                            

Sali Kadria, studiues, historian

Kujtim Morina, diplomat, ish ambasador

Muhamet Dauti, studiues, historian

Man Poga, jurist, studiues

Esat Bardhoshi, pedagog, kirurg oro-maxil.fac

Nexhat Çoçaj, studiues, shkrimtar

Fadil Gradica, pedagog, kirurg torakal

Besim Muhadri, studiues, shkrimtar

Halil Kamberi, inxhinier ndërtimi

Haziz Hodaj, drejtor i festivalit ‘Hasi jehon’, aktivist

Shaqir Lusha, ish n/drejtor i shkollës dhe konviktit ‘Kosova’ Krumë  

Flora Brovina, poete, aktiviste

Shpëtim Ngjeçi, inxhinier ndërtimi

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

kiku07/06/2022 16:34

Te mledhe parate vete krahina e banoret : se qen severia i do paret per vete

Shto koment

Denonco