Qershor 1949: Gjyqi Ushtarak i Zhapokikës në Tepelenë, kryengritje së fundit antikomuniste

Qershor 1949: Gjyqi Ushtarak i Zhapokikës në Tepelenë, kryengritje së fundit antikomuniste

08:30, 05/06/2022
A+ Aa A-

Më 4 qershor përkujtohet  Gjyqi Ushtarak i Zhapokikës në Tepelenë i vitit 1949.

Gjyqi Ushtarak i Zhapokikës u zhvillua në datën 4 qershor 1949, tetë muaj pas kryengritjes antikomuniste të armatosur në muajt shtator-tetor të vitit 1948.

Kjo lëvizje ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të fshatit të Zhapokikës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe një përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial. Ishte një revoltë me armë e mirë organizuar dhe e mirë menduar, me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara.

Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, , i ri 30-vjeçar, ish partizan, me arsim fillor dhe i martuar me dy fëmijë.

Të mbi 20 burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë.

Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës e nëpunës të administratës lokale.

Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vinte në fuqi një qeveri demokratike.

Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-xhandari 59 vjeçar, Bajram Kamberi.

Çeta do të rezistonte për rreth një javë e ndjekur nga forcat e shumta qeveritare.

Më 10 tetor në qafën e Gllavës u bë beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës.

Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin; 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria.

Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA.

Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4 qershor 1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor.

Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim e u ekzekutua në Gjirokastër, më 21 korrik 1949.

Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arriti në nëntë.

Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i Kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991.

Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe e humbën të drejtën elektorale.

Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri por edhe në jug.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco