Si sot, 32 vjet më parë, Nënë Tereza mori nënshtetësinë shqiptare

Si sot, 32 vjet më parë, Nënë Tereza mori nënshtetësinë shqiptare

07:06, 14/02/2022
A+ Aa A-

Më datë 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare Shenjtorja Nënë Tereza.

“Tereza”, siç e njohi bota mbarë Anjezë Gonxhe Bojaxhiun pasi iu kushtua murgërisë në moshën 18-vjeçare, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Gonxhja ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut nga Mirdita dhe Drane Barnajt nga Gjakova.

Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika, të cilat të marra në asambël pasqyrojnë ndijimet e thekshme që e prinë drejt vokacionit sipëror, fesë.

Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza do ta linte Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte hershëm. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së atyshme të vajzave.

Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951). Për këtë përulësi të pashembullt, do të vlerësohej në vitin 1979 me çmimin Nobel për Paqe, prej nga ku u mësua faqe globit kombësia e saj shqiptare.

Në pasqyrën përmbledhëse të veprimtarisë së “shqiptares trupvogël” në Kalkutë në mesin e viteve ‘80, përmblidheshin: kujdestaria e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i 960,000 të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47,000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, përkujdesja ndaj 3,400 të moshuarëve të braktisur dhe birësimi i 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.

Nënë Tereza mbylli sytë përgjithmonë më 5 shtator 1997. U shpall “E Lume” nga Papa Shën Gjon Pali II më 19 tetor 2003, ndërsa shenjtëria e saj u përjetësua edhe me titull nga Papa Françesku më 4 shtator 2016.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco