Lajmi i fundit

Analiza e institutit të njohur amerikan: Rama është Erdogani i ri, po përdor drejtësinë për të goditur opozitën

Njihini me zhgunat e përbaltur, shpuar nga plumbat: 75 vjet nga martirizimi i At Harapit dhe At Shllakut

Njihini me zhgunat e përbaltur, shpuar nga plumbat: 75 vjet nga martirizimi i At Harapit dhe At Shllakut

09:29, 24/11/2021
A+ Aa A-

Françeskanët shqiptarë përkujtojnë 75-vjetorin e martirizimit të Atë Anton Harapit e të Atë Gjon Shllakut, sot me 24 nëntor 2021, pranë Katedrales së Shën Palit, në Tiranë, në orën 10.15. Gjatë kremtimit do të paraqitet edhe vepra e plotë e tyre,  që janë një tjetër rast i mirë për t'u njohur nga afër edhe nga ata që ende nuk i kanë njohuri mbi këto dy figura të mëdha të fraçeskanëve  e të Kishës në Shqipëri, të cilët në periudhën e tmerrshme të regjimit komunist, jetuan duke dëshmuar Krishtin, Ungjillin dhe vlerat kombëtare deri në dhurimin e jetës, njofton Vatican News.

“Si mjerë lisat gjatë motit të lig! - shkruan Aurel Plasari në veprën “Anton Harapi Redimensus”. Mbi ta, e jo mbi fijet e barit, godasin rrufetë, derdhen rrebeshet. Dhe në ndërkohën kur moti kthjellohet, ti pret krejt pikëllim  të shohësh shtatet e zhuritura, trungjet e përmbysura, kërçepët mbetur pa rrënjë! Me At Anton Harapin nuk ndodh kështu. Edhe mbas ngritjes së mjegullës e davaritjes së tymit, figura e tij shfaqet fill në këmbë, e hajthme, ngjeshur me zhgunin e panjollë të françeskanit, me konopin në përmjet, thua se ngre lart krahun e rreshkur dhe na thërret me zërin gjithë kumb:

“Ndalnju! Ku veni burra?”.

Kur çastet e vegimit treten e ti mbetesh vetëm me veprën e tij në dorë... nuk mund të mos e pyesësh veten në është e denjë penda jote të shkruajë për një personalitet të tillë”. Cituam një fragment nga parathënia e veprës së Aurel Plasarit “Anton Harapi redimensus”, për ta kujtuar një çast Fratin e Madh.

Por kështu ndodh edhe me personalitetin tjetër, filozofin e fretërve, që sivëllezërit e ringjallën sot, përmes veprës së tij të plotë, nga e cila  shkëputëm fragmentin e mëposhtëm, titulluar “Shqyptari - Frati - Shqypnija”:   

… Në crescendo-n e këtij epos të madhënueshëm të fisit t’ynë, frati na del para gjithkund. Në daç me butsin e shêjtit, në daç me urtín e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit t’eger e fatos. P. Pál Matja hidhet në luftë, e, tu u perleshun fyta-fyt me turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atê të Lirís. Frati matjanë del prej qytetit të dorzuem me flamur nen sjetull e zhduket. Por ká lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mësŷ kurdoherë qi flamuri të jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shperblimi i dêjë qi presin prej anmikut. Konopi, hûni e skreditimet janë nderimi qi u bân vllau i çoroditun. Nder stuhi të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mâ të parët. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françiskan Shqypnín “edhè në vorr do t’a permendin.” Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun”.

Pikërisht këtij kontributi i shtohet rëndësishëm takimi përkujtimor që organizon Provinca Françeskane e Zojës Nunciatë në Shqipëri e Mal të Zi më 24. 11. 2021, pranë Katedrales së Shën Palit, në Tiranë, në orën 10.15, për të përkujtuar 75-vjetorin e martirizimit të dy korifejve të saj. Jo me fjalë. Po me vepra.

Gjatë kremtimit do të paraqitet edhe vepra e plotë e tyre, në praninë e Ipeshkvit-ndihmës të Arkidioqezës së Tiranës, Imzot Arjan Dodaj; të Nuncit Apostolik në Shqipëri, imzot Luigi Bonazzi; Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra dhe autoriteteve të tjera të Kishës katolike e të kulturës. Kështu dy françeskanët martirë, të cilët “duke u ridukur në faqet e librave të tyre” të posabotuar nga sivëllezërit, me zhgunat e tyre të përbaltur, ku mund të dallosh vrimat e plumbave”, ju kërkojnë vetëm një gjë: t’i njihni, duke i lexuar!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco