Arkivat thyejnë barrierat/ salla studimi në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj

Arkivat thyejnë barrierat/ salla studimi në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj

16:19, 15/11/2020
A+ Aa A-

Në Bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës u krijua këndi arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, për të qenë më afër qytetarëve dhe studiuesve. Kjo do të mundësojë që elita intelektuale e qytetit, përmes sistemeve elektronike të vendosura në dispozicion, të mund të ketë qasje në dokumentin arkivor, si të ishte në Tiranë, pa pasur nevojën e udhëtimit drejt kryeqytetit.

Për të përuruar këtë shërbim të ri të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i DPA, Ardit Bido, deputeti i zonës Bledi Çuçi, i cili po ashtu mban postin e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Prefekti i qarkut Gjirokastër Odise Kote, kryebashkiaku Flamur Golemi, përgjegjësja e Bibliotekës Arminda Mevlani dhe pedagogu Shyqyri Hysi.

Ata panë nga afër se si do të funksionojë kjo risi e sjellë për Gjirokastrën në Bibliotekën ‘Apostol Meksi’, e që i mundëson komunitetit shkencor të qytetit dhe rrethinave të kenë qasje të plotë dhe të njëllojtë me sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Qëllimi i kësaj është që të nxitet kërkimi shkencor në Gjirokastër dhe të rrisë frekuentimin në bibliotekën e vet. Shërbimi për studiuesit do të ofrohet me të njëjtat rregulla, të njëjtat procedura, të njëjtën shpejtësi dhe të njëjtën formë siç ofrohet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Regjistrimi në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, jashtë këtij Këndi Arkivor, në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Pas aprovimit, që zgjat një ditë pune, aplikuesi përmes e-mailit do të pajiset me fjalëkalimin për të hyrë në Sallën e Studimit. Pasi të jetë bërë ky regjistrim, qytetari dhe studiuesi mund të porosisë dosjet që dëshiron, ta konsultojë, si në këtë Kënd Arkivor, po ashtu edhe në adresën katalogu.arkiva.gov.al. Dosjet e porositura do të shërbehen ditën që është përzgjedhur nga aplikuesi në sistem dhe do të qëndrojnë të qasshme për pesë ditë pune.

E nisëm këtë risi të DPA-së në qytetin e Gjirokastrës për të vazhduar shumë shpejt dhe në të gjitha qytetet e tjera të Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

bubureci17/11/2020 14:55

Vulehumburi i arkivave mburret se hapi kendin arkivor ne gjirokaster!!!! pse nuk jep arsyen e vertete te mbylljes se arkivit te qarkut gjirokaster, por edhe te beratit, vlores, korces, shkodres, kukesit, dibres,? pse nuk na rrefen gjendjen e tyre tani qe jane te shperndara e te nakatosura ne ndertesat e arkivave ne lushnje, durres, elbasan e rreshen? pse nuk u deften gjirokastriteve se ndertesen e arkivit te tyre e ka mbushur me dokumente te ministrive te viteve te para 90? se cfare pune ben ai ishpolici qe ka zgjedhur te jete punonjes i tij ne gjirokaster, pasi u larguan specialistet e vertete qe kishte aty? pse nuk doli ne publik te na rrefente kush e vodhi, si e gjeti , a ishte vula origjinale dhe me kryesorja pse nuk beri te pamunduren te zbulonte personin qe kreu kete veper penale, pasi u demtua nje dokument shume i vjeter pikerisht i qarkut gjirokaster, qe ishte i manastirit te kamenes? ka shume pikepyetje per bemat e ketij drejtori cunak tipik RILINDAS, qe perdridhet ne te gjitha krahet, por pa e nxjerre koken se kujt po i sherben me veprimet e tij arbitrare e antiligjore. ka kaq shume pune, sa nuk i del koha as per te firmosur, por ja ka deleguar te besuarve te tij, Armand Boce, e sidomos Elsa Saka!!!!! e perditshmja e tij eshte ulerima, hakerima, sharje e ofendime, heqje te diteve te punes punonjesve dhe ndeshkime me vend e pavend te vartesve te tij. valle mos mendon se eshte ne pronen e babait, qe nuk merr parasysh as konstatimet e Kontrollit te Larte te Shtetit, i cili e urdheroi te ndalonte urgjentisht zbrazjen e arkivave te qarqeve dhe ti rikthente ne vend ato qe tashme i kishte hequr? "kendi arkivor" eshte tallje per gjirokastritet, te cilet ja dolen qe ta kene qytetin e tyre nen mbrojtjen e unesko-s, eshte tallje poashtu per beratin, per shkodren mijravjecare, per korcen e shkolles se pare shqipe, per vloren e flamurit etj.

Shto koment

Denonco