Simbole të vjedhura: Notre Dame, Big Ben e Shën Marku u kopjuan nga Lindja e Mesme

Simbole të vjedhura: Notre Dame, Big Ben e Shën Marku u kopjuan nga Lindja e Mesme

15:53, 18/08/2020
A+ Aa A-

Nga Oliver Wainwright

Teksa katedralja e Notre Dame gllabërohej nga flakët vitin e kaluar, mijëra njerëz qanin humbjen e këtij fari të famshëm të qytetërimit perëndimor. Simboli kulmor i identiteti kulturor francez, vetë zemra e kombit, po bëhej shkrumb e hi. Por Diana Darke, eksperte për Lindjen e Mesme, mendonte ndryshe. Ajo e dinte që origjina e kësaj vepre madhështore gotike nuk ishte në analet e historisë kristiane të Evropës, siç mund ta kenë menduar shumë njerëz, por në shkretëtirat malore të Sirisë, në një fshat paksa në perëndim të Alepos, për të qenë më të saktë.

‘Dizenjoja arkitekturore e Notre Dame, si e të gjitha katedraleve gotike në Evropë, vjen direkt nga Qalb Lozeh, kishë e shekullit të pestë në Siri’, Darke postoi në Twitter në mëngjesin e 16 prillit, ndërsa hiri ende ishte në ajrin e Parisit. ‘Kalorësit e kryqëzatave e sollën konceptin e kullave binjake me dritaret e zbukuruara në Evropë në shekullin e 12-të’.

Nuk janë vetëm kullat binjake dhe dritaret me zbukurime trëndafili që e kanë origjinën nga Lindja e Mesme, vë në dukje Darke, por edhe sallonet me kubé, harqet me majë e madje edhe formulat për xhamin me ngjyrë. Arkitektura gotike që njohim i detyrohet shumë më tepër trashëgimisë arabe dhe islamike se sa Gotëve. ‘Mbeta pa mend nga reagimet’, thotë Darke. ‘Mendoja se shumë njerëz do ta dinin, por duket se ka një gropë të madhe injorance për historinë e përkatësisë kulturore. Midis islamofobisë në rritje, mendoja se ishte momenti për të treguar gjërat siç janë’.

Dhe kështu ka vepruar, me ‘Vjedhje nga Saraçinët’, një libër mahnitës me fakte të mbledhura me kujdes, i cili hedh dritë mbi shekujt e huazimir, duke ndjekur gjurmët e ndërtesave më të famshme të Evropës – nga godina e Parlimantit dhe (katedralja) Westminster Abbey në Londër, deri në katedralen e Shartrit në Francë e bazilika e Shën Markut në Venecia – deri te paraprijësit e tyre në Lindjen e Mesme. Është po aq një histori pushteti politike, pasurie e mode sa ç’është besimi fetar, me histori plaçkitjesh nga Kryqëzatat, peshkopë të dhënë pas modës e tregtarë që bridhnin botën në kërkim të stileve e teknikave të reja, të cilat i sillnin në shtëpi.

‘Tani ne kemi këtë nocionin e lindjes e perëndimit’, thotë Darke. ‘Por atëherë nuk ishte kështu. Ka pasur shkëmbime të mëdha kulturore, dhe shumica vinte nga lindja në perëndim. Shumë pak bënte rrugën e kundërt’.

Duke parë mbizotërimin në katedralet e mëdha të Evropës, është normale të imagjinosh se harqet e gurta me majë dhe sallonet me kubé janë me origjinë kristiane. Por të parat datojnë në shekullin e shtatë në një varr të shenjtë islamik në Jerusalem, ndërsa të dytat në shekullin e dhjetë, në një xhami në Andaluzi, Spanjë. Në fakt, shembulli i parë i njohur i salloneve me kubé ende është në këmbë. Vizitorët në Cordoba Mezquita mahniten me harqet e shumtë që ndërthuren në një kryevepër gjeometrie praktike dhe strukturë dekorative, pa pasur kurrë nevojë riparimi në ekzistencën e saj mijëvjeçare. Maksura, pjesa e xhamisë e rezervuar për kalifin sundues, u dizenjua për të hedhur një ndriçim të shenjtë mbi liderin. Megjithatë, fletëpalosja zyrtare pak ju thotë për origjinën islame të ndërtesës, ndoshta ngaqë ka qenë kishë katolike që më 1236.

Ndërkohë, harku me majë ishte zgjidhje pragmatike për një problem të ndeshur nga masonët që punonin në Kubenë e Shkëmbit në Jerusalem. Një nga vendet më të shenjtë të botës islame, ajo u ndërtua më 691 nga sundimtari i perandorisë së parë islame. Sfida ishte si të rreshtoheshin një pasazh i jashtëm me harqe rrethorë me një pasazh më të vogël të brendshëm, duke ruajtur një tavan horizontal midis tyre. Që hapjet të ishin në një linjë, masonëve iu desh t’i vinin pasazhit të brendshëm harqe më të shtrënguar, duke i detyruar të bëheshin me majë. Një tjetër precedent botëror mund të vihet re më sipër varr, ku përreth kubesë është një pasazh harqesh të trefishtë, stili i harkut në formë tërfili që më pas mbizotëroi praktikisht në çdo katedrale evropiane, i adoptuar gjerësisht si simbol i Trinisë së Shenjtë.

‘Përherë e më tepër tronditem kur shoh se besimi që këto gjëra janë kristiane dhe evropiane në thelb bazohej te injoranca dhe keqinterpretimi i formave shumë më të hershme islamike’, vazhdon Darke. Për sa i përket ndikimit të madh të Kubesë së Shkëmbit, ajo vë në dukje se kryqtarët e Mesjetës mendonin gabimisht se ajo ishte Tempulli i Solomonit.

Ata e përdorën strukturën rrethore me kube të këtij varri të shenjtë që e mendonin si të krishterë si model për kishat e tyre tempullore (si kisha tempullore rrethore e Londërs), madje kopjuan edhe shkrimet dekorative arabike, të cilat qortojnë hapur të krishterët për besimin te Trinia në vend që të besojnë vetëm te Zoti. Modelet kaligrafike pseudo-kufike (stil i hershëm arab alfabeti me simbole këndore) zbukuruan gurët e katedraleve franceze  pa e ditur se çfarë thoshin vërtet.

Konfuzioni u rrit edhe më tepër pas printimit të parë të hartës së Jerusalemit, më 1486, në Mainz, Gjermani. Ajo jo vetëm që etiketon gabimisht Kubenë e Shkëmbit si Tempullin e Solomit, por e pikturon ndërtesën me një kubé në formë qepe, një fantazi e pastër orientaliste nga mendja e një drugdhendësi holandez të quajtur Erhard Reeuwich. Libri që përmban hartën u shndërrua në bestseller, u ribotua 13 herë e u përkthye në shumë gjuhë, duke ndikuar në përhapjen e kishave me kubé si qepë nëpër Evropën e shekullit të 16-të. Një histori identiteti të gabuar dhe konsekuencash të paparashikuara, të denja për komedi.

Transferimi i motiveve islame në perëndim nuk ishte i thjeshtë, gjithsesi. Harku me majë mori një rrugë më rrethore. Darke ka zbuluar se si harqet fillimisht u përhapën në Kajro, duke u bërë më të mprehtë e më tepër me majë nën perandorinë e Abazit (pasardhës i xhaxhait të Muhamedit). Ato u admiruan nga tregtarët që vinin nga parti italian i Amalfit, të cilët i përcollën zbulimet e bëra gjatë udhëtimeve në bazilikën e tyre eklektike të shekullit të dhjetë. Kjo ndërtesë ekzotike tërhoqi vëmendjen e Abatit Desiderius, i cili vizitoi Amalfin më 1065 për të blerë sende luksi dhe vendosi të përdorte stilin e dritareve me majë në manastirin e tij në Monte Cassino.

Ato dritare më pas u kopjuan për abacinë benediktine në Cluny të Francës, në atë kohë kisha më e madhe e botës. Abatit Suger, këshilltar i mbretërve Louis VI e VII, i pëlqeu që dritaret lejonin më tepër dritë dhe menjëherë aplikoi modelin në bazilikën e tij në Saint Denis në Paris. E konsideruar si struktura më e hershme gotike, bazilika përfundoi më 1144 dhe arkitekti i saj më pasi shkoi për të ndërtuar Notre Dame. ‘Që të gjithë thjesht kopjuan’, Darke. ‘Këto ishin kishat më të fuqishme në Evropë, ndaj stili u përqafua plotësisht, ashtu si moda. Kur të fuqishmit adoptojnë diçka, të gjithë duan t’i ndjekin’.

Lista vazhdon. Janë minaretë e hershme këndore, të para në ndërtesa të tilla si Xhamia e Madhe e Damaskut, që duken më të holla e kurorëzohen me një kubé si flluskë. Ato kanë frymëzuar kulla të famshme italiane si ato të bashkisë së Firences dhe Kambanoren e Shën Markut në Venecia, duke iu paraprirëve shekujve me kisha me kulla kambanash.

Mbështetur në kërkimin e historianes arkitekturore Deborah Howard, Darke tregon se Venecia është më tepër arabe se evropiane, nga pasazhet e ngushtë te shtëpitë me tarraca, e deri te ornamentet islamike të Pallatit të Doxhit (i modeluar sipas xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem) dhe kubetë në formë qepe të Shën Markut. Të gjitha janë frut i udhëtimeve të tregtarëve venedikas në Egjipt, Siri, Palestinë e Persi, duke krijuar një nivel influence që u shtri edhe në modë: gratë në Venecia mbanin vello në publik dhe visheshin me të zeza nga koka te këmbët. ‘Askush nuk mund t’i shohë fytyrat e tyre’, thotë një burim i shekullit të 15-të. ‘Ato janë komplet të mbuluara saqë nuk e marr vesh se si ecin në rrugë’.

Libri vjen në një kohë të ngarkuar emocionalisht, kur arkitektura e supozuar perëndimore po përdoret nga liderët nacionalistë të krahut të djathtë për të fuqizuar vizionin e idealizuar në një identiteti ‘të pastër’ evropian. Ka llogari të panumërta në median sociale që promovojnë mesazhe të supremacisë së bardhë të maskuar si vlerësim trashëgimie, ndërkohë që edhe prononcime qeveritare për traditat përmbajnë tone të tilla. Puna e Darkes është një varé elokuente mbi një propagandë të tillë injorante, duke zbuluar se si monumentet e idealizuar i kanë rrënjët pikërisht në kulturën që përpiqen të denigrojnë.

Injoranca është e shumëpërhapur dhe ndoshta gjëja më befasuese në ‘Vjedhje nga Saraçinët’ është se ndoshta shumë nga kjo nuk duhet të jetë ndonjë habi e madhe për lexuesin modern. Në fund të fundit, në libër Darke përmend fjalët e Christopher Wren, i cili ishte i vetëdijshëm për origjinën nga Lindja e Mesme të arkitekturës gotike dhe të teknikave strukturale që ai përdorte për Katedralen e Shën Palit.

‘Gotikja moderne’, shkruante ai në vitet 1700, ‘dallohet nga lehtësia e punës së saj, nga guximi i tepruar i lartësimit, nga delikatesa, bollëku dhe ekstravaganca e ornamenteve. Prodhime të tilla, kaq të ajrishme, nuk mund të pranojnë gotët e rëndë si autorë të tyre’. Ai konkludonte se ‘nga të gjitha shenjat e arkitekturës së re, mund t’u atribuohet vetëm Maorëve, apo, që është e njëjta gjë, arabëve apo saraçinëve’.

Ironia qëndron te vetë emri: në kohën e Wrenit, Saraçin ishte termi përbuzës për myslimanët arabë, kundër të cilëve kalorësit e Kryqëzatave luftuan ‘luftën e shenjtë’. Fjala e ka origjinën nga fjala arabe ‘saraqa’, që do të thotë ‘vjedh’, pasi Saraçinët shiheshin si hajdutë e plaçkitës. S’ka rëndësi se kryqtarët çanë përmes Evropës, Jerusalemit e Kostandinopojës duke plaçkitur mrekullitë e arkitekturës islame gjatë rrugës.

/The Guardian-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco