Meta dekoron 3 emblema të polifonisë shqiptare

Meta dekoron 3 emblema të polifonisë shqiptare

20:48, 16/08/2020
A+ Aa A-

Presidenti Meta ka vlerësuar sot tre nga emblemat e polifonisë shqiptare.

‘I kanë kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë’, tha presidenti Meta.

Në ceremoninë solemne të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, ku merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Himarës, Gjergji Goro, Kryeplaku i fshatit Pilur, z.Dritan Bala, autoritete vendore dhe dhjetra qytetarëve, Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin e lartë, ‘Mjeshtër i Madh’ , Kristo Çipa me motivacionin: ‘Për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit.

Si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës’.

Gjithashtu, Presidenti Meta vlerësoi me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, znj.Ermioni Mërkuri, me motivacionin: ‘Si një nga interpretueset më të talentuara të këngës polifonike piluriote. Me pasionin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit te saj ajo ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit të zonës’.

Ndërsa me Titullin ‘Naim Frashëri’, Kreu i Shtetit çmoi z.Dhimitraq Bala me motivacionin: ‘Si një prej këngëtarëve më të shquar të këngës polifonike. Me talentin e tij, si kthyes klasik e tradicional, i ka dhënë  frymë dhe timbër kësaj kënge, duke fituar admirimin e publikut të gjerë të isopolifonisë’.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh:

Të dashur vëllezër e motra,

Mesazhet e Luftës së Vlorës duhet të jenë udhërrëfyes edhe në ditët tona!  Historia tragjike, por heroike e këtij fshati ngjan si dy pika uji me historinë e gjithë kombit tonë. Gjuha, kultura, zakonet, doket, këngët, vallet, karakteri pilurjotëve janë pjesë e ndritur e identitetit tonë kombëtar.

Piluri ka qenë përherë burim force, urtësie dhe patriotizmi  Në këtë shesh e në këto rrapa ka ndjerë ngrohtësinë e gurit shumë kapedanë e burra  të shquar duke përmendur mes tyre edhe plakun e mençur të Pavarësisë dhe të shtetit tonë, Ismail Qemali. 

Ndaj janë domethënëse vargjet e këngës tuaj:

Në këto vendet e mia

Ku dhe Zoti vjen i ftuar

Mbretëron vetëm liria

Flamur tjetër s’ka pranuar

Piluri nuk mund të perceptohet pa këngën e tij magjike. Kënga frymëzon luftën dhe zbukuron jetën. Breza të tërë në kushtet e një jete tejet të vështirë, janë frymëzuar dhe argëtuar nga kënga juaj perlë ‘Tundu Bejkë e bardhë tundu’.

Ju i keni kënduar bukurive të bregut, dëshmorëve, betejave për liri, heronjve, lirisë së Kosovës dhe atdhedashurisë! Lirikat e Pilurit janë disa prej perlave në fondin e artë të iso-polifonisë dhe krejt kulturës sonë kombëtare. 

Ky fshat ka pasur me dhjetëra vjershëtorë popullorë të cilët kanë krijuar një traditë krejt origjinale për të mbërritur tek poeti juaj i madh popullor e legjendar Lefter Çipa i cili me dy vargjet e tij thoshte një mrekulli:

Këngët e atdheut tim

Janë ilaç dhe janë shërim

Zërat virtuozë të këngëtarëve u kanë dhënë frymë e emocion ngjarjeve që kanë ndodhur, gëzimit dhe halleve të këtij vendi. 

Ju e shkruat historinë në vargjet dhe këngë popullore duke e transmetuar atë gojë më gojë e brez pas brezi për të ngelur e paharruar, e lavdishme dhe e përjetshme

Ndaj tek kënga juaj vargjet thonë: 

Kënga blu në buzët tona

U bë shkrim kur s’kishte shkronja

Këngëtarët e ‘Bejkës së bardhë’ e përcollën në mënyrën më të lartë artistike dhe në çdo skenë të vendit e të botës mesazhin e jetës dhe shpirtin e pilurjotit.

Ndaj sot në shenjë nderimi, bashkë me kapedanët e Luftës së Vlorës kam kënaqësinë të vlerësoj edhe disa prej polifonistëve të shquar të këtij grupi. Edhe njëherë ju falenderoj për ftesën dhe për mikpritjen e përzemërt dhe vëllazore. 

Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës, lavdi kapedanëve dhe popullit të Himarës. Ju këndoftë zemra përherë. Urime dhe lumturi në familjet tuaj!’, - u shpreh Presidenti Meta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco