Tur 'kokëlopa' paguan që të mos i afrohen 'alabakët' - Nga Artan Fuga

Tur 'kokëlopa' paguan që të mos i afrohen 'alabakët' - Nga Artan Fuga

12:17, 26/06/2020
A+ Aa A-

Nga Artan Fuga.

Klevis Mehaj është një gazetar i ri, plot talent, vullnet, dhe me logjikë të fortë profesionale. Për të mos folur pastaj për etikën e tij! Bashkë me të rinj të tjerë, edhe si diplomant së shpejti në master në komunikimin masiv, ka konkurruar dhe merr pjesë në projektin e MediaLook Albania i titulluar "TikTok Corruption - Albania", mbështetur me shumë përkushtim dhe dashamirësi nga AGJENCIA ZVICERIANE PËR ZHVILLIM DHE BASHKËPUNIM në Tiranë!

Në videon e tij TikTok si një analist i hollë brenda 15 sekondash na jep një dramë të madhe të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare. Cmimet tepër tepër të larta që ruhen në hapësira tregtare dhe restorante apo resorte luksoze dhe të shërbimeve turistike, kulinare, etj.

Këto çmime tmerrësisht të larta shpesh kthehen në barriera sociale, në distanca kilometrike sociale, jo kundër Covid19, por që ndajnë në dy botë të ndryshme shtresat elitare të shoqërisë, xhepfryrët, dhe popullsinë masive, 95 përqind të kombit, që shkon pi ndonjë kafe të thjeshtë 60 lekshe në trotuar, ha ndonjë sufllaq me patatina artificiale, ose blen rroba te tregu i Gabit.

Një minoritet parellish, midis tyre edhe ndonjë biznesmen ose tregtar i ndershëm, por pa fund edhe persona që e kanë bërë parà me trafiqe, me tenderime korruptive, si edhe persona që trajtohen në mënyrë shumë të privilegjuar nga shteti, politikanë, deputetë, ministra, funksionarë, si edhe të huaj apo ndonjë emigrant i kthyer, diplomatë parellinj, me fuqinë e tyre blerëse, ngrenë çmimet në treg.

Nga kjo përfitojnë edhe tregtarë ose pronarë restorantesh apo hotelesh që mbajnë çmime që shqiptari mestar as i afrohet dot.

Lind ndarja e turpshme: Qytetarë të rangut të parë dhe rajatë periferikë!

Shpesh cmimet nuk shërbejnë si shpërblim për cilësinë e produktit të marketuar, ajo mund të jetë krejt mediokre, por shërbejnë si mure sociale për të ndarë shtresat e shoqërisë me mure kinezë.

Nuk pushon dot zotëria, nuk ha dot, nuk pi dot nëse afër tij janë edhe ata që ai i quan "alabakët", "pabuksat", "katunarët", "çeçenët", "zhulsat", "të pakulturuarit".

Turi paguan kështu jo shërbimin, por pikërisht përjashtimin nga perimetri i vëzhgimit të tij, i bashkëqytetarë të tij që nuk i duron dot dhe i përbuz.

Shiheni videon e Klevis Mehaj dhe do të kuptoni se syri i tij dhe videoja e tij është një analizë e mirëfilltë, me gjuhën e mediave të reja që do rinia, e realitetit.

Të rinj e të reja, dërgoni edhe ju videon tuaj!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco