Lamtumirë Prof. Dr. Agron Fico: albanologu, studiuesi, gjuhëtari, specialisti i shqipes...

Lamtumirë Prof. Dr. Agron Fico: albanologu, studiuesi, gjuhëtari, specialisti i shqipes...

09:12, 02/06/2020
A+ Aa A-

Nga Ruben Avxhiu

Prof. Dr. Agron Fico, u nda nga jeta, në 1 qershor, në Tiranë. Ai ishte albanolog, studiues i etnokulturës, gjuhëtar, specialist i shqipes për të huaj; autor botimesh të shumta etj.

Aktiviteti i tij intelektual e akademik, në më shumë se gjysëm shekulli, është përshkruar më poshtë, por për ne, në veçanti, ka qenë një fat dhe një nder që e patëm për më shumë se dy dekada një bashkëpunëtor të përkushtuar të gazetës sonë shqiptaro-amerikane, “Illyria”. Në ditët e ardhshme do të ribotojmë disa prej shkrimeve të tij, në vite, për ta kujtuar dhe nderuar.

“Profesor Agron Fico qe një njeri i jashtëzakonshëm me të cilin pata bashkëpunim të gjatë kur jetonte në New York”, u shpreh botuesi Vehbi Bajrami. “Ai ishte një studiues dhe albanolog i shquar, po për mua dhe familjen time ishte një mik i mirë, një njeri që nuk do të harrohet”.

Familjes së profesorit i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e njeriut të shtrenjtë.

Një biografi e studiuesit Prof. Dr. Agron Fico

Prof. Dr. Agron Fico ishte albanolog: studiues i etnokulturës, gjuhëtar, specialist i shqipes për të huaj; autor botimesh të shumta, figurë e njohur publike në Shqipëri, diasporën në Amerikë e më gjerë jeton në Tiranë.

Lindi në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku mbaroi gjimnazin “Asim Zeneli”, me medalje ari, dhe në Tiranë kreu universitetin, me diplomën “shkëlqyeshëm.
Ishte profesori që ngriti dy katedra të gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë: në kryeqytetin kinez, Pekin, (1961-1965) dhe në Michigan – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1996-2000). Eksperti i rrallë, krijues dhe hartues metodash, që mbi 40 vjet u mësoi shqip dhjetëra të huajve: studiues, diplomatë, pedagogë e qeveritarë.

Agron Fico ishte folkloristi dhe studiuesi i njohur i etnokulturës, që e nisi udhën me ekipin themelues të Institutit të Folklorit, 1958. Fare i ri u ngjit në aulat e të parit universitet shqiptar si profesor dhe si i pari Sekretar Shkencor i Institutit të Gjuhës dhe Historisë, 1958-62; lektor i Folkloristikës edhe në Akademinë e Arteve. Ishte anëtar jurish, në shumicën e Festivaleve Folklorike Kombëtare në Gjirokastër dhe Berat; President nderi i “Aulona Interfolk Festival” 2013, dhe anëtar jurish ndërkombëtare të folklorit si në Minsk, Moldavi, etj.
Ndër arritjet më të shquara përbën fakti se Profesor Ficos ishte i pari studiues që zbuloi, në Bibliotekën e Harvardit (në mars 1996) dhe e bëri të njohur, fondin e Epikës Heroike shqiptare, mbledhur më 1937 në Shqipërinë e Veriut nga shkencëtari amerikan Albert B. Lordi, themelues i Teorisë moderne të Letërsisë Gojore.
Dijetari që përfaqësoi shkencën dhe kulturën në një varg konferencash shkencore, kombëtare dhe botërore si, në Amerikë, Kinë, Greqi, Rumani, Turqi, etj. dhe në vitin 2000 në Finlandë në Kongresin e VI-të botëror për çështje të post-komunizmit në Europë.

Mbante tituj nderi: nga Çmimi i Republikës në Shqipëri, gjer te çmimi më i lartë universitar kinez për arritje akademike; si dhe përfshirja mes profesorëve më të shquar universitarë amerikanë, me “Who’s Who Among American’s Teachers, 2000”; më 1972 u bë Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; Nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Nju Jork, nga viti 2004; dhe anëtar/ kryeredaktor redaksish në revista studimore-akademike si, “Studime Filologjike”, “Pedagogu i ri”, “Dituria”, etj.

Prof. Agron Fico është autor i Metodës dhe Antologjisë 4 vëllimesh “Gjuha shqipe për studentët kinezë, i metodës “Unë flas shqip” për studentët e huaj. Ai është autor e bashkautor i tekseve shkollorë :”Folklori për shkiollat e mesme, Folklorsitika shqiptare për Fakultetin e Filologjisë dhe për degën e Kulturës së Akademisë së Arteve.
Zoti Fico ka shkruar me dhjetra e dhjetra artikuj ne shtypin e Shqipërisë, në Kosovë dhe Diasporën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Prof. Agron Fico ka dhënë gjuhën angleze, në Institutin e i Lartë “Vojo Kushi”, e deri vonë në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës
Botimet më të vlerësuara janë “Profesor në tre kontinente”, SHBA 2004; “Diaspora e Rilindur”, Tiranë 2006; “Rilindja e Shqipërisë Etnike”, Tiranë 2009.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco