'Ernest Koliqi, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve '30'

'Ernest Koliqi, klasiku i fundit i brezit letrar të viteve '30'

12:42, 15/01/2020
A+ Aa A-

Më 15 janar 1975 nd?rroi jet? Ernest Koliqi, shkrimtar, studiues, publicist, njëri nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave, që dha një kontribut të shquar për letërsinë, arsimin e kulturën shqipe në Shqipëri, ku qe ministër arsimi dhe në diasporën shqiptare, duke themeluar Institutin e Studimeve Shqiptare pranë Universitetit romak "La Sapienza” e shumë e shumë veprimtari e vepra monumentale.

Prof. Ernest Koliqi lindi në Shkodër me 20 Maj 1903, në një familje te njohur patriotike. Shkollën e filloi në vendlindje, për ta përfunduar më 1921 në Bergamo dhe në Milano të Italisë, ku kreu studimet e mesme. I përgatitur me njohuritë më të përparuara të kohës, u kthye menjëherë në Shqipëri ku, dy vjet me pas, së bashku me Atë Anton Harapin dhe Nush Topallin, themeloi gazetën "Ora e Maleve". Bashkëpunoi me revistat më të rëndësishme të kohës, e themeloi njërën ndër revistat më interesante të letërsisë shqipe “Shkëndija” të Tiranës. 

Në vitin 1924 mori pjesë në shoqërinë patriotike "Bashkimi", themeluar nga Avni Rustemi. Për t'i shpëtuar forcave zogiste, emigroi pesë vjet në Jugosllavi. U rikthye në Shqipëri më 1929 dhe filloi punën si mësues në Vlorë e në Shkodër. Më 1937 u diplomua në universitetin e Padovës me tezën "Epika popullore shqiptare". Më 1939 u emërua ministër i arsimit. Mblodhi në kabinetin e tij studiuesit dhe shkrimtarët më të spikatur, me të cilët zhvilloi një veprimtari mjaft të dendur. Më 1944 u largua në Itali, ku u emërua drejtues i Institutit të Studimeve Shqiptare, krijuar më 1957 nga vetë Koliqi, në vend të katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës. Pra nga viti 1939 qe profesor Ordinar i Gjuhës e letërsisë shqipe pikërisht pranë këtij Universiteti romak.

I nderuar nga e gjithë bashkësia shqiptare në mërgim, por i mohuar nga vendi i tij, prof. Ernest Koliqi klasiku i fundit i brezit letrar të viteve '30, mbylli sytë përgjithmonë, si sot, më 15 janar 1975, në shtëpinë e tij të thjeshtë, në Fiano Romano (afër Romës), i dënuar të rrinte larg Shqipërisë me akuzën si bashkëpunëtor i fashizmit. U varros në Romë. Vdiq me dëshirën e zjarrtë, të paplotësuar, të kthehej rishtas në Shkodër, të dëgjonte prapë kambanat e Kishave, të shkelte përsëri në pragun e shtëpisë së moçme të Koliqëve në lagjen Gjuhadol. Të gjitha këto dëshira i shprehu me frymëzim të jashtëzakonshëm në poezinë "Bijës sime", botuar në ‘Shêjzat’, që tingëllon si Testament poetik.

Krahas ndihmesës së tij në fushën e publicistikës e të arsimit, prof. Ernest Koliqi njihet si prozator, poet, përkthyes, kritik, studiues i letërsisë. Revista “Shêjzat”, rreth së cilës mblodhi emrat më të shquar të diasporës, mbetet një monument i vërtetë i publicistikës shqipe. 

E nisi krijimtarinë me vjersha, të cilat i botoi në gjuhën italiane, në të përjavshmen studenteske "Noi giovani" të Bergamos. Nga veprat e tij kujtojmë poemthin dramatik "Kushtrimi i Skanderbeut" me përmbajtje patriotike (1924); "Hija e Maleve" (1929) e "Tregtar flamujsh" (1935), novela kushtuar jetës në Shkodër. ”Symfonia e Shqypeve” (1936), që përkujton lavditë dhe fatkeqësitë e përjetuara nga Shqipëria e mes paqartësive të kohës Koliqi paralajmëronte një të ardhme të lumtur për Vendlindjen; “Gjurmat e Stinve” (1933), “Pasqyra e Narçizit” (1936). Me vlerë të madhe është edhe përkthimi i: "Poetët e mëdhej t’ Italis" I (1932) Dante, Petrarka, Ariosto, Tasso, Parini, Manzoni e tjerë. Më pas botoi "Kangjellat e Rilindjes" (1959) dhe romanin "Shija e bukës së brume” (1960), ku ndjehet fuqimisht malli i mërgimtarit për tokën e vet. “Epika popullore shqiptare” (1937), që ishte temë e doktoraturës së tij. 

Meritoi medaljen e artë të Shoqërisë "Dante Aligheri"; “Yllin e artë për merita të shkollës"; ishte anëtar efektiv i Akademisë së Mesdheut", Anëtar nderi i qendrës ndërkombëtare për studimet shqiptare në Palermo etj. Vjet më parë arbëreshët e Frashinetos, duke dashur të nderojnë kujtimin e Ernest Koliqit dhe të vënë në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që dha në studimin e traditave arbëreshe, i vunë emrin e tij Shkollës së tyre të mesme shtetërore.

Vepra e tij, e ribotuar disa herë në Shqipëri dha jashtë saj, vijon të ndiqet me interesim të madh nga lexuesi. A mund t'i mohohet Prof. Ernest Koliqit të madh kryevendi që zë në letërsinë shqipe? Në përvjetorin e vdekjes, Ernest Koliqi riduket në kujtesën e atdheut të vet me atributet e shkrimtarit, themeluesit të tregimit modern shqiptar, poetit, romancierit, eseistit, përkthyesit, gazetarit, dramaturgut, mbledhësit dhe studiuesit të palodhur të folklorit, veprimtarit të shquar në fushën e politikës e të kulturës së shekullit XX brenda e jashtë Atdheut. Do të duhej, prandaj, shumë hapësirë dhe kohë për të ndriçuar plotësisht figurën e tij vigane, pa harruar se është edhe vëllai i kardinalit të parë shqiptar, dom Mikel Koliqit. 

Po mjaftohemi, përfundon Vatikan News, për shkak të mungesës së kohës, të kujtojmë vetëm një nga poezitë e Koliqit, në të cilën ndjehet fuqimisht gjithë malli për vendlindjen, që nuk mundi ta shihte sa qe gjallë e nuk po e shikon as për së vdekuri, në sa trupi i tij do të mund të pushojë në paqe vetëm kur të rikthehet në Shkodrën, mëngjeset e së së cilës i kujton kështu:

Shkodra në mëngjese 

Kendojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:
mbi Maranaj qet vetllen kureshtare
agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë
të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,
e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare
Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija
udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,
tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë
në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë
kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco