FOTO/ Të gjithë ikin, ai kthehet në vendlindje, historia e 79 vjeçarit nga Surroj i Kukësit

FOTO/ Të gjithë ikin, ai kthehet në vendlindje, historia e 79 vjeçarit nga Surroj i Kukësit

15:01, 12/11/2019
A+ Aa A-

Nëse flitet për Kukësin, ajo që të shkon menjëherë në mendje, është se nga kjo zonë e varfër ‘exportohen’ vetëm emigrantë drejt Anglisë dhe vendeve të tjera të Europës. Dhe në fakt, emigrimi masiv (brenda e jashtë vendit), është një realitet i dhimbshëm për këtë rajon, prej 2-3 dekadash.

Por, 79 vjeçari Enver Vata nga Surroj dhe familja e tij, kanë vendosur të bëjnë të kundërtën; të kthehen nga Bathorja në vendlindje. Qysh prej vitit 2014 ( kur filloi edhe largimi masiv i kuksianëve drejt Europës), kjo familje u zhvendos në kullën ku patën jetuar për 20 vjet. ‘U ktheva, thotë Enveri, pasi pavarësisht dëmtimeve të mëdha, muret e shtëpisë vazhdonin të qëndronin në këmbë, si një apel, thirrje për të mos i braktisur trojet e baballarëve, tokën ku kemi lindur, unë dhe 14 vëllezër e motra të tjerë si dhe dhjetra nipa e mbesa’.

Kur bën krahasimin e shtëpisë që kjo familje e la për një jetë më të mirë në Durrës e më pas në Tiranë, diferenca është domethënëse dhe fotot flasin vetë.

Gjatë këtyre 5 viteve, Enveri, bashkëshortja, fëmijët e tyre, nipërit e mbesat, kanë punuar dhe investuar shumë për restaurimin e shtëpisë dhe për të krijuar një ambient të mrekullueshëm dhe bashkëkohor, jo vetëm në mjediset e brendshme, por edhe në ato të jashtme të kësaj kulle, tashmë moderne. Gjatë verës, fëmijët pas punës në arë e bahçe lahen në pishinë, ndërkohë që pasditet e nxehta apo një drekë e përbashkët familjare konsumohet nën hijen e 10 blirëve. Enveri, një usta i njohur në zonë në rininë e tij, u ka dhënë forma të bukura jo vetëm pemëve, por gjithçkaje aty rrotull. Gjatë verës kulla e re e tij ka vizitorë të përhershëm vëllezërit dhe motrat e Enverit, të cilët kalojnë bashkërisht ditë të këndshme, duke kujtuar momente të ndryshme që nga fëmijëria e tyre.

    Ai thotë se në tokën prej 1 dynym ka mbjellur pjepër e shalqinj, si dhe arra e rrush, dhe prodhimi është aq i madh sa nuk e konsumon dot vetë as familja e tij. ‘Në këto kushte, thotë ai, nuk është me leverdi që ta shesësh prodhimin në qytet, pasi rruga prej 21 km deri në Kukës, është e shkatërruar pasi asnjë qeveri komuniste apo pas demokracisë nuk ka vënë dorë për asfaltimin e saj’. Kurse prodhimin tjetër të përditshëm me fruta perime e zarzavate, kjo familje e siguron vetë. Në fshat nuk ka mungesë të ujit të pijshëm dhe atij për vaditje dhe kjo bën që Enveri të jetë banor i përhershëm i Surrojt çdo vit, që nga fillimi marsit deri në fund të tetorit. Më pas fillon moti keq me reshje dhe rruga e shkatërruar ua vështirëson jetën banorëve të paktë të këtij fshati.

    Dikur me 250 familje, sot në Surroj kanë mbetur vetëm rreth 50, ndërsa lagja e Vatëve, ka tani vetëm 12 familje, shumica pleq.

    Por nuk është vetëm kjo familje që po i rikthehet vendlindjes në këtë fshat. Vitet e fundit edhe dy familje të tjera kanë restauruar kullat e tyre, duke dhënë mesazhin se njeriu nuk duhet ta braktisë tokën e vet, pavarësisht rrethanave të ndryshme.

    ‘Nuk duhet të humbim lidhjet me rrënjët tona, me të parët tanë. Surroj e ka pas siguruar bukën e vet edhe në komunizëm dhe është një fshat me bukuri të rrallë natyrore që shtrihet përmbi Drin e përballë maleve. Këtu të mbushet shpirti me ajër, ka oksigjen dhe çdo gjë tjetër për një jetë të qetë’, thotë Enver Vata, duke shtuar se sigurisht që nuk është kundër lëvizjes së lirë të njerëzve dhe gjetjes së mundësive alternative për një jetë më të mirë, sidomos për brezin e ri.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco