Martirët shqiptarë - Nga Arqipeshkvi George Frendo

Martirët shqiptarë - Nga Arqipeshkvi George Frendo

11:09, 06/11/2019
A+ Aa A-

Nga Mons. George Frendo, Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë - Durrësit

Fjala “martir” do të thotë dëshmitar, kështu që martir është ai që mbart dëshminë për besimin e tij dhe fjalët e Jezusit: “Nuk ka dashuri më të madhe se kjo, që një njeri të japë jetën për miqtë e tij” na bën të konsiderojmë martirizimin si shprehjen më supreme të dashurisë për Krishtin. Kështu që ndërsa e konsiderojmë martirizimin si një akt qëndrese, Akuini e lidh gjithashtu edhe me besimin dhe dashurinë. Sepse është “i lidhur me besimin deri në fund, në të cilin martirët forcohen” dhe “bamirësia priret të jetë shkaku i parë dhe kryesor i martirizimit”. Prandaj “nga të gjitha aktet e virtytshme, martirizimi është prova më e madhe e përsosmërisë së bamirësisë”.


Në Shqipëri katolikët dhe ortodoksët nderojnë të parin martir shqiptar, Shën Astin, i cili ishte ipeshkvi i Durrësit që u torturua për vdekje në fund të shekullit të parë ose në fillim të shekullit të dytë. Gjithsesi në këtë kontekst do t’u referohem atyre që kanë vuajtur martirizimin gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës. Enver Hoxha ishte një stalinist paranojak që imponoi një formë të veçantë komunizmi, që nuk ishte një komunizëm ateist por në fakt një komunizëm anti-fetar.

Një libër shumë interesant në frëngjisht rreth persekutimit të kishës katolike nën rregjimin e tij është titulluar Ils ont voulu tuer Dieu, që u përkthye në italisht me titullin Hanno volute uccidere Dio, që do të thotë “Ata donin të vrisnin Zotin”. Që nga titulli na tregohet shumë rreth komunizmit anti-fetar të Hoxhës.

Hoxha shfaqi një urrejtje të veçantë ndaj katolikëve. Për ta ilustruar armiqësinë e tij kundër katolikëve mendoi se është e përshtatshme t’ju lexoj një fragment nga një fjalim që mbajti në vitin 1984: “Priftërinjtë katolikë... janë njerëz pa atdhe, që varen nga Vatikani qoftë edhe për gjërat më minimale...

Të ardhurat e tyre, rrogat e tyre dhe gjithçka tjetër vijnë nga grabitja e besimtarëve në formën e dhurimeve ose edhe përmes detyrimit të besimtarëve të tyre që të lënë pasuritë e tyre për kishën. I gjithë kleri i kishës katolike janë njerëz të arsimuar që kanë ndjekur shkolla teologjike me një disiplinë të hekurt dhe kanë mësuar metodat dhe dredhitë që të shtypin vullnetin e njerëzve përmes frikës së Zotit.

    Kisha katolike dhe kleri i saj ishin ekstremisht të fshehtë dhe të matur... gjithmonë në aleancë... me çdo pushtues të huaj të Shqipërisë, duke përfshirë austro-hungarezët, fashistët italianë dhe nazistët gjermanë. Priftërinjtë më të vjetër ishin agjentë të dyfishtë të Vatikanit dhe pushtuesve italianë”.

    Tridhjetë e tetë martirë katolikë të vrarë nga regjimi komunist janë shpallur “Të Lumtë” nga Kisha. Të gjithë ishin priftërinj (ose kler katolik), me përjashtim të 22 vjeçares Maria Tuci e cila u vra barbarisht sepse ishte katekiste, dhe tre laikë.

    Në fakt katolikët e vrarë gjatë rregjimit ishin shumë më shumë se 38 por Konferenca Ipeshkvore donte që të ishte e sigurt që viktimat ishin martirë të vërtetë, të vrarë “për hir të Krishtit”. Për këtë arsye nga lista e martirëve u hoqën ata që u ekzekutuan për shkak të bindjeve politike, për shembull nga simpatia e tyre për fashismin.

    I listuari i parë ndërmjet martirëve është Vinçenc Prendushi, ipeshkvi i fundit i Durrësit. Ai vdiq në burg por që nuk u vra direkt. Kam cituar më parë Shën Tomën që ka thënë: “nocioni perfekt i martirizimit kërkon që një njeri të vuajë vdekjen për hir të Krishtit”. Gjithsesi duke iu referuar Papa Shën Marçelit që vdiq në burg, ai thotë: “Një person nuk quhet martir thjesht sepse ka vuajtur burgimin, mërgimin ose ka humbur pasurinë përveçse kur këto rezultojnë me vdekje”. Dhe kështu ishte dhe rasti i Vinçenc Prendushit. Ai ishte akuzuar si armik i popullit , reaksionar dhe spiun i Vatikanit duke u dënuar me njëzet vite burgim , ku u torturua , u tall dhe u poshtërua në mënyrat nga më të ndryshmet derisa ai vdiq. Për këtë arsye ai u rreshtua përkrah martirëve të tjerë.

    Do të doja ta përmbyll këtë fjalim duke cituar përsëri Papa Gjon Palin e II : “Besnikëria ndaj ligjit të shenjtë të Zotit, e dëshmuar me anë të vdekjes është një shpallje solemne dhe një angazhim misionar usque ad sanguinem (deri në gjakun), kështu që shkëlqimi i së vërtetës morale të mos zhvlersohet në sjelljen dhe të menduarit e individëve dhe shoqërisë.

    Kjo dëshmi jep një kontribut jashtëzakonisht të vlefshëm për t’u ndaluar tek shoqëria civile madje dhe brenda komuniteteve kishtare në vetvete, një zhytje të thellë në krizën më të rrezikshme që mund të prekë njeriun: ngatërrimi ndërmjet të mirës dhe të keqes, që e bën të pamundur të ndërtojë dhe të ruajë rregullin moral të individëve dhe komuniteteve.

    Nga shembulli i tyre elokuent dhe tërheqës i një jete të ndryshuar plotësisht nga shkëlqimi i së vërtetës morale, martirët dhe në përgjithësi të gjithë shenjtërit e kishës, kanë ndriçuar çdo periudhë të historisë duke rizgjuar sensin moral. Duke dëshmuar plotësisht të mirën, ata janë një qortim i gjallë për ata që shkelin ligjin”./Marrë me shkurtime nga "Martirizimi"


     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco