Lajmi i fundit

PIRANJAT/ Me Florian Binaj dhe Dojna Mema

Dy vjet pa gazetaren Arlinda Canaj, dedikimi prekës i së bijës për nënën

Dy vjet pa gazetaren Arlinda Canaj, dedikimi prekës i së bijës për nënën

13:04, 24/08/2019
A+ Aa A-

“Sot u bënë dy vite, dy vite që prej kur ti më mësove ç’është të ndihesh bosh. Nëpër fytyrat e çdo gruaje më vjen imazhi yt nënë, po ku ka dy si ty...

M’ka marrë malli të zgjohem përkrah teje në mëngjes, për dy sytë e tu të bukur, m’ka marrë malli kur më afroheshe të më merrje erë e më thoje se kishe gjithë botën.

U lodha nënë, që nuk të kam te të mbush kokën me fjalët dhe pasiguritë e mia, u lodha duke qeshur e për ty.

Jam mërzitur, ti e di sa shumë i dua fotot, kujtimet e shkrepura, po tonat u lodha duke i parë, kam nevojë për foto të reja me ty.

    U bënë plot dy vite qëkur nuk dëgjoj as zhurmen e tastierës së kompjuterit tënd që aq shumë më acaronte veshët, më mungon dhe ajo aroma e cigares së mallkuar që nuk e duroja dot kur e pije, kur të largonte prej meje.

    Sot kam arsye më shumë se çdo ditë të më mungosh o ma! O ma, sa shumë m’ka marrë malli ta them këtë emër.

    Edhe sot bën shumë vapë, m’duket sikur po m’del shpirti si atë ditë kur u ndave ti prej meje .. se unë prej teje nuk ndahem dot...

    U mbushen plot dy vite po loti im, plaga që kam për ty është gjithmonë e hapur, sikur ke ikur prej disa orësh prej meje e nuk e arrij dot fillin se ti s’do jesh më me mua.

    Jam përpjekur të sipërfaqësoj, por në thellësinë tënde vetëm mbytem, Arlinda ime.

    Ti ishe e vetmja që kundërshtoja dhe pse brenda meje e dija që kishe të drejtë, të doja shumë, akoma edhe më shumë të dua sot.

    Sot dy vite, shpirti im mban zi,  jam egoiste për dhembshurinë që kam humbur për veten time.. Shpesh më merr malli të kthehem disa ditë në atë vit të zi, sikur ta pije atë dreq cigareje afër meje dhe sot mos të isha duke të të kujtuar me rreshta vajtues..

    Mos t’ishe ti shkak i lotëve të mi e dhimbjes time, mos t’ishe ti arsyeja pse zemra ime shpesh gjendet si gur pa ndjenja, siç ike ti me vapën e mua gushti më mbyti.

    Mos t’më bëje ti o ma të njihja frikërat më të mëdha brenda vetes time e t’msohesha që sot mos t’më trembet syri për asgjë...

    Do doja t’gaboja më tepër, ndjenjat e mia mos t’i mbante një letër.

    Ti do jetosh në mua derisa unë të mbyll sytë, me shembullin më të bukur e të përkryer që një nënë mund të japë për bijën e saj, por unë për ty këtë 24 gusht nuk mund të shprehem gëzueshëm se ti nuk je dhe mosprezenca jote rreth meje sjell lot, për sytë e mi dhe dhimbje për shpirtin tim.

    Ndoshta nuk jam e sigurt nëse pas ikjes tënde ti ke qënë përherë pranë meje e nëse një ditë do të takohemi sërish por unë preferoj të mendoj se je me mua n’çdo hap të jetës e se nuk është nevoja më të flas fizikisht më ty që të ndjej se më kupton dhe se më jep mbështetje të eci përpara...

    Qofsh ëngjëlli më i bukur i parajsës, e shtrenjta Arlinda ime, mami im, dashuria ime...

    Për ty ishte fati të ndalonte trupi yt fizik së qënuri në një botë ku nuk përkisje e të jetosh çdo ditë të mbetur që prej 24 gushtit 2017 brenda meje.

    Ne të dyja ishim gjithmonë një.

    Thonë se vdekja nuk ekziston e se njerëzit vdesin vetëm atëherë kur nuk kujtohen e ti për mua je më e gjallë se kushdo.

    Ti je rrënjët e qenies time.Të dua ma!

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco