Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë

Prifti i mallkuar dhe gjuha e shenjtë

18:48, 04/08/2019
A+ Aa A-

"Besoj në Zot, në abetaren e shenjtë dhe në komb. Kjo është për mua Trinia e Shenjtë. At Isaia*

Nga Mira Meksi – Jam në paradhomën e vdekjes. Në kampin nazist të shfarosjes në Zemun, pranë Beogradit. Janë ditët e para të prillit, por dëbora ende mban të mbërthyer natyrën dhe njerëzinë. Era e acartë e Danubit m’i shpon eshtrat me një mijë gjilpëra therëse dhe më mundon më shumë se torturat e mizorëve. Pas disa ditësh mbush 72 vjeç dhe mosha ka nisur të më rëndojë. Nuk di edhe sa kohë do të mund të rezistoj. Mishin e kam të sfilitur, por frika nuk ma ka zaptuar zemrën. Kam sigurinë e njëmendtë se e fshehta do të vdesë bashkë me mua. Nazistët nuk kanë asnjë mundësi për të ma mpakur shpirtin dhe aq më pak për ta bërë gojën time të rrëfejë

Torturat i kanë filluar që kur më arrestuan një natë dhjetori të vitit 1943, datën e saktë nuk e kam vendosur dot në kujtesë. Isha prifti i kishës së Shën Joanit të Vlorës. Më rrëmbyen një natë në godinën e Mitropolisë, ku isha vendosur së bashku me familjen time që kur gjermanët u dyndën në qytet, dhe më hodhën më pas në një burg të Elbasanit. Mëngjesin e së nesërmes, një ideolog i “Arianizmit”1, shoqëruar nga një SS, më mori në pyetje. Më goditën, më poshtëruan, më thyen, më ligën dhe më kërkuan t’u tregoja zbulimin tim. Gjasmova padijen e plotë. Më vunë përpara një pjesë të letërkëmbimit tim me një albanolog hebre të vrarë prej tyre një vit më parë, miku i mikut tim të vyer, Theofan Nolit. Kuptova se i drejtonte vetëm intuita. Pa dyshim njihnin disa punime të miat mbi gjenezën e gjuhës shqipe, por asgjë që t’i afrohej së vërtetës. Që atë mëngjes marrjet në pyetje nuk kanë rreshtur, torturat po ashtu.

Emri im është Irakli. Llagape kam disa: Pylli, sepse kam jetuar i fshehur në pyll, i përndjekur nga mohonjësit e abetares shqipe; Isaia, si emrin e Profetit; “prifti me kobure”, sepse zbraza armën mbi pushtuesin e vendit; “prifti i mallkuar”, sepse Patrikana greke më shkishëroi dhe më mallkoi, ngase meshova në shqip dhe luftova për autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare.

Jam mësonjës i gjuhës shqipe dhe klerik. Jam krijues i shkollës së fshehtë shqipe në Myzeqe. Në Shën Pjetër, ku u shugurova prift, krijova që më 1906 të parën klasë ku mësohej abetarja e gjuhës sonë.

Në ambjentet e kishës. Nxënësit e mi i pajisa me nga dy pllakëza grafiti, njëra legale në greqisht, dhe tjetra në shqip, e fshehur në gjirin e tyre. Kështu mësonin të shkruanin dhe të këndonin shqip pa u diktuar. Kohëra të liga për gjuhën tonë. Të gjithë ata që kanë dashur të zhbëjnë kombin e shqipes, janë vënë të zhbëjnë gjuhën e tij. Turqit e rinj, pasi dështuan në përpjekjen e tyre naive për të zëvendësuar germat latine të alfabetit tonë me ato arabe, iu vërsulën si bishat abetares. Në Shën Pjetër ia behën në mars të vitit 1910. I bënë copë e thërrime pllakëzat e shqipes, pasi ua zhvatën fëmijëve nga gjiri dhe mua, mësonjësin e abetares, më lidhën pas kalit dhe më tërhoqën zvarrë nëpër baltovinën e Semanit gjer në Fier. Aty më zhveshën, më varën një këmborë në qafë si bagëtia dhe më shëtitën rrugëve duke më turpëruar, duke më poshtëruar dhe duke më goditur rëndë. Nuk u ndala. Abetarja do të mbante gjallë dëshirën për të mbjetuar të një kombi të torturuar tragjikisht. Ironia e fatit bëri që vetë shqiptarët të ngriheshin kundër abetares shqipe. Ishte viti 1914 kur shpërtheu kryengritja anadollake e Qamil Babës. Haxhi Qamili një fshatar i pagdhëndur ishte. Gjithçka u orkestrua nga tre imamë. Rebelët turkomëdhenj donin ta zëvendësonin abetaren me kuranin dhe shkollën shqipe me xhamitë. Dogjën shkollat, shkatërruan abetaret, masakruan mësuesit. Më hodhën në qafë litarin kur ecja buzë Gjanicës me pllakëzat e abetares dhe kalemin prej guri në trastë. Më shqyen rasën, më lanë lakuriq, më vunë një thes në kokë, më tallën, më fshikulluan duke ulëritur si çakej “ Shkele abetaren të shpëtosh!”. Marrëzia njerëzore. Si mund të shkelen nga këmba e njeriut germat e gjuhës së shenjtë? Sa vlen jeta ime përpara një germe të vetme të alfabetit të shqipes? Sepse gjuha shqipe është gjuhë e shenjtë. Zanafilla e këtij përfundimi lidhet me studimet e mia të larta teologjike në kolegjin Zosimea të Janinës, me rishtimin tim në Artin hermetik, siç quhet Alkimia dhe që tani së fundmi ka marrë emrin Kimia spiritualiste dhe, pa dyshim, me studimet e mia mbi gjenezën e gjuhës shqipe.

 

Fillimi i shekullit të XX më gjeti të zhytyr edhe në studimin e veprës së Zosime Panopolitanit, emrin e të cilit mbante shkolla, e ngritur nga fryma e iluminizmit evropian që lartoi shpirtin grek. Ishte themeluesi kanonik i alkimisë greko-egjiptiane, jetoi në Aleksandri viteve 300, ishte gnostik dhe i pari që përdori simbolin e uroborit, gjarprit që kafshon bishtin e tij, – simboli i unitetit të lëndës parake.

Afria mes alkimisë dhe teologjisë nuk ishte e huaj për mua. Mësova për lidhjen mes alkimisë dhe kabbalas, çka shkëndijoi edhe kërkimet e mia në lidhje me natyrën e gjuhës shqipe. Ndër shekuj, për të gjetur çelësin e veprës së madhe, shndërrimit të metaleve në ar të pastër, alkimistët i janë drejtuar herë astrologjisë2 dhe herë kabbalas. Kjo e fundit është shkenca që merret me ndarjen e fjalëve, me shumën e vlerës numerike të germave si simbol, si lidhje midis shpirtit dhe lëndës, dhe nxjerrjen e deduksioneve të ndryshme në bazë të rregullave të saj specifike. Bota alkimike sot njeh si gjuhë të shenjta të spiritualitetit veç gjuhës aramene talmudike3, latinishten dhe greqishten. Po jap një shembull. Azoti si element kimik, i shkruar Azoth, është shumë i rëndësishëm për alkiminë.

Trinia e germës “A” i përgjigjet tri “A”-ve tek Azoth-i i Paracelsit4:

nga A te Z – alfabeti latin
nga A tek Omega – alfabeti grek
nga A te Thau – alfabeti aramen
Pra AZOTH, kompozuar nga germa e parë dhe e fundit e tri gjuhëve të shenjta.
Në një tekst shumë të vjetër alkimie, pothuaj me të njëjtën logjikë gjeta sërish trininë e germës “A”, por kësaj here në shkrimin e “Aliazhit” të dy metaleve të varfëra: zinkut dhe mërkurit, përkatësisht me simbolet kimike Zn (zinku) dhe Hg (mërkuri), të bashkuara në ZH. Në tekstin e vjetër shkruhej: “ …zinku duke ngarkuar mërkurin, së bashku kalohen përmbi bakrin e kuq duke e veshur në ar. Trinia e germës “A” i përgjigjet tri “A”-ve tek Aliazhi Zink Mërkur:
Nga A- Zh – alfabeti i ilirishtes
Pra Aliazhi ZH përfaqësuar nga germa e parë dhe e fundit e gjuhës së shenjtë…”
Më tej, teksti i shumëvjetër alkimik shpjegonte krijimin e alfabetit të gjuhës së shenjtë, gjuhës ilire:
“ … Zoti krijoi 12 qerthuj, i lagu në ujë, i kaliti në zjarr, u dha frymën e tij, i dogji 3 herë dhe i përzjeu me 12 yjësitë e qiellit – krijoi 36 germat e alfabetit të shenjtë.”

Gjithçka lexova tronditi nga themelet dijen time. Nga A-ja te Zh-ja, 36 germat e alfabetit të ilirishtes thoshte teksti i lashtë. Përkimi ishte i jashtëzakonshëm. Nuk po i besoja dot as syve dhe as gjykimit tim. Ishte gjuha shqipe, rrjedhëse prej një dialekti të ilirishtes, me një alphabet prej 36 germash që niste me zanoren A dhe mbaronte me bashkëtingëlloren paraqiellzore Zh, alfabet që përpara një viti e kishim përcaktuar dhe njohur. Nuk dija të kishte gjuhë tjetër me një të tillë alfabet. Nuk dija që gjuhët e lashta të ishin ndërtuar kësisoj. Por ndoshta kjo ishte dija ime e kufizuar, le të më drejtonte Zoti im paskëtaj. Më kapluan emocione të forta. M’u bë se isha kredhur në një vorbull kohërash dhe nuk dija në ç’breg do të më hidhte. Lashtësia ishte puqur me kohën e sotme. Çmenduria e krijimit të alfabetëve të shqipes vazhdoi gjatë gjersa u ndal përpara një viti. Të ketë qenë vallë Kongresi i Manastirit një përsëritje e kohës së shkuar? Të jetë vallë alfabeti prej 36 germash i krijuar prej tij veç një përsëritje në një tjetër kohë e asaj që ka ekzistuar në lashtësi? Apo thjesht një zbulim? Mendjen e kisha fort të turbulluar. Porse teksti alkimik qëndronte para meje. Dhe mund ta prekja me dorë dhe ta lexoja.

Sigurisht që njoha në atë tekst spekulimet e alkimisë. Latinishtja dhe greqishtja e vjetër janë gjuhë liturgjike, gjuhë të shërbesave fetare, sepse janë të ngurtësuara dhe në gjendje të mbajnë të papërlyer Dogmën. Njëlloj siç është shqipja e vjetër e Mesharit të Buzukët, gjuhë që e kam përdorur për meshimin dhe të tjera shërbesa fetare atje ku kam shërbyer si prift. Por shkrime të traditës, shkrime të shenjta nuk janë shkruar në këto gjuhë, çka do t’i ngrinte në rangun e gjuhëve të shenjta. Sa për aramishten semite, po, ishte gjuhë e shenjtë, Shkrimet e Shenjta janë shkruar në këtë gjuhë.
Ajo çka lexova në tekstin e vjetër alkimik për ilirishten apo një dialekt të ilirishtes, gjuhës me alphabet prej 36 germash që niste me gërmën “A” dhe përfundonte me gërmën Zh, më cyti ethet e forta të hulumtimit. Fjala është e gjithësishme, shkrimi jo. Nga ajo ç’ka dimë, nuk janë gjetur ende dëshmi të shkrimit të ilirishtes. Mjergullina e padijes për të është e padepërtueshme. Xixëllima që kisha pikasur mund të kthehej në rreze drite për ta shpërndarë sadopak këtë mjergullinë. Tërë jeta ime u përpi nga zhbirimi i qindra e qindra faqeve të shkruara, që nga traktatet e historisë, të filozofisë, përsiatjet e filozofëve të lashtë mbi linguistikën, traktatet teologjike dhe politike, hipotezat e filozofëve të lashtësisë mbi arkeologjinë dhe gjer te tekstet astrologjike, ezoterike, teurgjike, tekstet e filozofisë okulte dhe ato të besimeve ekstravagante dhe magjisë. I kisha fshirë sinoret e ditë-natës dhe ushqehesha sa për të mbajtur frymën gjallë nën një rregjim asketi. Kjo mënyrë jetese shumë pranë spiritualitetit, gjykoja se ishte më e përshtatshmja për punën time dhe meditimin që e shoqëronte shpesh. Kështu kaluan disa vjet në kërkim të gjuhës së shenjtë. Bëra dy udhëtime në Malin e Shenjtë5, në manastiret e të cilit gjeta dokumenta me vlerë mbi gjuhën dhe kulturën e popujve të pellgut të Mesdheut.

Vetë Zoti më drejtoi të gjeja studimin e papërfunduar, por shumë të çmuar, të një murgu të shekullit të VII që pat jetuar si eremit në guvat e Malit të Shenjtë. Murgu-eremit ia kish kushtuar gjalljen e tij deshifrimit të disa fletëzave prej plumbi të gdhendura nga fatthirrëset selloi6 të Dodonës, të cilat mbanin shkoqitjen e kumteve të Zeusit. M’u deshën shtatë ditë dhe shtatë netë për të deshifruar deshifrimet e pakta të murgut-eremit. Në të gdhirë të ditës së tetë zbërtheva çelësin e murgut-eremit për të hapur portat e kumteve të Zeusit të gdhendura nga selloi-t përmbi fletëzat prej plumbi: ishin mbishkrimet ilire të qëmtuara nëpër rrënojat e tempujve të tyre paganë. Priftëreshat pellazge të Dodonës paskëshin gdhendur kumtet e Zeusit në gjuhën ilire. Zoti është i madhërishëm! Lëvduar qoftë i madhi Zot! Portat e qiellit ishin hapur për mua dhe hulumtimet e mia.
Mendoja ngulshëm se rropullitë e dheut të viseve të arbrit mbanin mijëra thesare që duheshin nxjerrë në dritë, kur një muzg vere të përflakur, kur zjarri i tokës flatronte ende në ajër dhe kur mushkonjat hanin mish njeriu, në banesën time varfanjake që ishte edhe klasa ku mësohej shqip në pyllin e Janjit, në afërsi të fshatit Seman, u shfaq një murg endacak i Parnasit, gjysmë i verbuar dhe i rënuar nga lodhja dhe të pangrënët. Më la në dorë një deng me pergamenë të zverdhur nga koha, të lidhur me zorrë bagëtie të tharë në diell. Piu vetëm disa gllënjka ujë nga katruvja prej balte që mbaja pranë shkrimëtores, më tregoi që pergamenët zanafillorë ishin gjendur në tempullin e Sibilës7 së Delfit, dhe se ishin kopjuar shumë herë shekujve nga breznitë e murgjëve të Parnasit përmbi lëkurën e regjur të kecave të njomë. Ishte një pjesë e Librit të shtatë të Sibilave, profeteshave të lashtësisë.
Libri mbante urtësinë hyjnore, zbulesën primitive, ndërsa Sibilat profetesha janë flurime të urtësisë hyjnore, të lashta sa vetë bota dhe ruajtëse të zbulesës primitive. Murgu i Parnasit më siguroi se shumë pak gjëra mund të kishin ndryshuar apo humbur nga puna e murgjve-kopjistë ndër shekuj, dhe se thelbi ndodhej aty i paprekur.

U përshëndoshëm dhe u zhduk sa hap dhe mbyll sytë sikur të mos kish ekzistuar kurrë. Nuk u habita nga kjo ndodhi, madje pata ndjesinë sikur e prisja të ndodhte diçka e tillë: tani gjithçka më dukej si atribut i misionit tim dhe ndieja dorën e Zotit të më drejtonte. Bota e madhe dinte se pesë librat e parë të Sibilave i pat shkatërruar pa kthim zjarri dhe se tre të tjerët patën rënë në dorë të perandorëve të Romës, edhe ato më pas të shkatërruara po nga zjarri. Në duart e mia tani ishte një pjesë e rëndësishme e librit të shtatë të dhjetë Sibilave. Shifra shtatë m’u duk ogur i bardhë. Simbolika e saj është e fuqishme dhe e pafund, mes të tjerërash simbolizon shpirtin, absoluten, dijen, hulumtimin… Por mbi të gjitha është shifra e kërkimit të së vërtetës. Një energji jo njerëzore më kish mbushur shpirtin, mendjen, trupin. Shenjëzat e shkrimit të pergamenëve përmbi shkrimëtoren time drulisi në natën e thellë dhe me ufëm të verës, nën dritën e pakët të një kandili me vaj, kishin marrë një dritësim të veçantë. Betohem mbi kryq dhe mbi abetare se, pa zbardhur mirë agu, përpara syve të mi të lodhur nga nata pa gjumë dhe kërkimi, shenjëzat e shkrimit të Sibilave kishin marrë lëvizje dhe po krijonin botë, njëlloj si lënda parake e Krijimit…
Më duhej t’i çelja sa më parë ato botë të përkohshme që shpejt do të shuheshin dhe do të humbisnin në asgjë. Atëherë, i zbrazur nga fëlligësia njerëzore dhe i mbushur me energjinë hyjnore guxova: mora në dorë katër Shkrimet në shqipen e vjetër, në të dyja dialektet gegë dhe toskë, si katër çelësat e zbulimit tim të së vërtetës, Formulën e Pagëzimit të Pal Ëngjëllit, viti 1462, Perikopenë e Ungjillit të Pashkës të vitit 1500, Fjalorthin e Von Harf-it të vitit 1496 dhe Mesharin e Gjon Buzukut të vitit 1555.

U zhyta në zbërthimin e kuptimit të errët, enigmatik dhe njëkohshëm hyjnor të botëve… Pashë fatin e njerëzimit të përsëritur me qindra e mijëra herë; pashë forcën e së keqes, përherë të njëjtën, që rritej në infinit, duke u krijuar dhe ushqyer prej tij dhe që e godiste krijuesin me një tërbim të pashembullt duke pllakosur gjëma mbi të… Pashë shpresën që mëkohej prej energjisë hyjnore. Dhe dritë brenda errësirës.
Dhe i çela disa nga dyert e botëve të mistershme të urtësisë hyjnore, Brenda Kohës së njeriut. Me ndihmën e Zotit. Zbulesa kish ndodhur kur njerëzimin e kish përfshirë gjëma e madhe. Unë isha instrumenti i të Lartit. Në librin e shtatë të Sibilave shkruhej: … Moira që prêt fillin e jetës ka marrë formën e simbolit universal të përjetësisë, e zezë brenda një disku të bardhë në një det gjaku… Leximi nuk kish qenë i lehtë, zbërthimi i fjalëve profetike nuk ishte i vështirë për mendjen time tanimë të ndriçuar. Moira është vdekja, simboli universal është svastika, e zezë dhe e vendosur brenda një disku të bardhë në një det gjaku është flamuri nazist. “Vdekja merr formën e nazizmit” ishte profecia e Sibilave, por njerëzimi nuk kish mundur ta zbërthente në kohë profecinë, e kish patur përpara syve, por kish qenë i verbuar dhe nuk e kish parë. Madje pa dashur e kish ushqyer të rritej.
Zbulesa hyjnore ishte e shumfishtë. Krishtërimi e kishte gjuhën e tij të shenjtë, gjuhën e të paktën njërit prej librave profetik të Sibilave, shqipen e lashtë. Gjëma që kishte pllakosur njerëzimin, nazizmi, e kishte panacenë e tij, formulën shërimtare të shprehur nga urtësia hyjnore në librin e profecive. Mbetej që njerëzimi ta përdorte. Në kohën e duhur.
*
Sot më thanë që në të gdhirë të ditës që po vjen, do të nisë edhe udhëtimi im i mbramë përtej portave të Ferrit. Furrës së krematoriumit. Nuk më bëri asfare përshtypje. Do vdesë me mua edhe e fshehta e zbulimit tim. Në librin e profecive munda të deshifroj edhe vdekjen time. Njoh edhe formulën universale të shpëtimit tim nga duart e nazizmit. Mjafton ta përdor atë formulë, të nyjëtoj në gjuhën e shenjtë shqipe disa fjalë, që të zhduket nga faqja e dheut edhe furra e krematoriumit, edhe vetë kampi nazist i shfarosjes në Zemun. Por nuk do ta bëj. Nuk dëshiroj që të ndryshojë asgjë në rendin e librit të Profecive. Atij që ka qenë instrumenti i Zotit në zbulesën hyjnore, nuk i bën më përshtypje as jeta dhe as vdekja e tij. Ndiej se qepallat po më rëndohen nga gjumi. Nuk po i ndiej më as torturat e mishit. Lëvduar qoftë amshimi i përjetshëm!

Shënime
1- Ideologjia e “Arianizmit” – ( këtu) ideologjia naziste e racës së zgjedhur ariane 
2- Astrologjia- Një bashkësi traditash dhe besimesh që u japin një interpretim simbolik pozivioneve të planeteve dhe yjësive.
3- Aramenia talmudike – Gjuha e lashtë semite në të cilën janë shkruar Shkrimet e Shenjta
4- Paracelsi – Theophrastus Bombasttus Von Haohenheim (1493-1541) Një nga mjekët më të famshëm të të gjitha kohërave, filozof dhe alkimist zvicerian.
5- Mali i Shenjtë – Mali Athos në Greqi ku në 20 manastire ortodokse jeton një komunitet teokratik i organizuar në Republikën monastike të Malit Athos 
6- Selloi – (gr) priftëreshat e tempullit të Dodonës
7-Tempulli i Sibilës së Delfit – Një nga të dhjetë profeteshat që jetonte në Delfi, qyteza ku ngrihej tempulli panhelenik ne malin Parnas ku fliste orakulli i Apolonit.
8-Në nderim të At Isaisë, “Zjarrit të bardhë të abetares”. Stërgjyshit tim të paharruar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco