Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ RAI 3 dhe skandalet e zbuluara të 'Organizatës Rama'

Engjëlli i rremë në Emerald

Engjëlli i rremë në Emerald

12:01, 11/05/2019
A+ Aa A-

Ata vijnë si aktorë në një film mafioz të prodhuar me pak para. Një kolonë veturash ndalet me saktësi zvicerane fiks në orën 14:00 para hotelit Emerald në periferi të Prishtinës, së pari zbret një tip me mjekër, fillon menjëherë t’u bërtas gazetarëve, «s’ka incizime, as fotografi», thotë ai.

Nga Enver Robelli

Kameramanët e fotografët vazhdojnë punën e tyre. Pastaj në hotel marshon Loredana Zefi, reperja nga Emmenbrücke afër Luzernit në Zvicër. Ajo është e veshur krejt në të bardha, në dukje një pafajësi prej engjulli, mbi sy mban syze të zeza sa një tigan. Bashkë me të ecin avokatët e saj – njëri nga Prishtina, tjetra nga Luzerni. Dhe gjithë këtë skenë e përcjellin gazetarë, fotoreporterë e kameramanë jo vetëm të mediave lokale, por edhe atyre ndërkombëtare. «Përse është kjo kaq interesante? Me gjasë Zvicra nuk ka gajle të tjera», thotë dikush.

Vërtet përse duhet dhënë hapësirë mediale dikujt që kërkon me çdo kusht vëmendjen e opinionit për muzikën e saj, për aq sa mund të konsiderohet muzikë oferta kulturore e Loredanës. Sidoqoftë, ka disa arsye që e bëjnë të domosdoshëm raportimin (edhe kritik) për një repere 24-vjeçare, të cilën para dy-tri vitesh nuk e njihte askush përtej familjes së saj. Për këtë më vonë në këtë tekst.

Konferencën për shtyp e hapi avokati Tomë Gashi, për të cilin nuk mund të thuhet se nuk i pëlqen të jetë i pranishëm në media. Gashi gjatë gjithë kësaj konference për media do të luajë pingpong me gazetarë, herë duke i qortuar, herë duke ua korrigjuar pyetjet apo duke i refuzuar tërësisht, herë duke debatuar pafund me ta. Me gjasë edhe kjo ishte pjesë e shout në një sallë të hotelit Emerald.

Burri i Loredanës, i njohur me emrin artistik Mozzik, edhe ky një tip i suksesshëm në skenën e muzikës rep veçanërisht në Gjermani, tha se ishte i lumtur që gazetarët po merrnin pjesë në këtë konferencë për media në këtë ditë ramazani.

Mozzik myslimani u uron të gjithëve agjërim të lehtë!

Pastaj merr fjalën Loredana, shqiptare, e lindur në një familje katolike nga Ferizaj. Gjatë gjithë konferencës për media ajo do të flasë disa herë për familjen e saj, «kur bëhet fjalë për familjen time unë nuk njoh askënd», pastaj ajo nënvizon se për familjen bën gjithçka, e ndihmon në çdo situatë.

Kjo konferencë për media u mbajt në fund të një jave, gjatë së cilës Loredana u bë edhe më e njohur në Zvicër. Të hënën vajza kosovare u ndalua nga policia në Luzern, banesa e saj u bastis. Dyshimi: Loredana dhe vëllai i saj Bekimi i kanë marrë një çifti zviceran nga kantoni i Wallisit 900 mijë franga. Kështu ka njoftuar gazeta «20 Minuten». Paratë, sipas këtij versioni, Loredana dhe vëllai i saj i kishin marrë në disa zarfe gjatë takimeve në stacionin e trenit në Zürich dhe në limuzina luksoze. Si në çdo rast që nuk ka marrë epilog gjyqësor, edhe për Loredanën dhe vëllain e saj vlen parimi i pafajësisë.

Si filloi krejt ky muhabet?

Vëllai i Loredanës ishte njohur në vitin 2016 me një grua nga Wallisi në një platformë në internet. Platforma nuk ka imazh aq të mirë. Le të themi kështu: në këtë platformë vegjetojnë ata që duan të flirtojnë dhe ata që kërkojnë shanse për aktivitete horizontale.

Gjithnjë sipas versioneve të botuara në mediat zvicerane, Bekimi i kërkoi gruas nga Wallisi 200 mijë franga – për të financuar operacionin e veshkave të nënës së tij. Këto para ai i kishte marrë nga gruaja zvicerane.

Në vitin 2018 në këtë rast ishte përzier edhe Loredana. Ajo ishte prezantuar si Anna Landmann – kinse vajza e Valentin Landmannit, një avokati të njohur të Zürichut. Loredana i kishte premtuar gruas nga Wallisi se do t’ia kthejë paratë, por me një kusht: nëse ajo i jepte para të tjera Loredanës.

Çifti nga Wallisi vazhdon të paguajë – dhe ky është njëri nga absurditetet më të mëdha në këtë rrëfim aspak të varfër me zhvillime absurde. Naivitet? Budallallëk? Shantazh? Mashtrim? Çfarë mashtrimi? Ndoshta një ditë drejtësia zvicerane do të gjejë përgjigje se si ndodhi kjo. Sidoqoftë, çifti nga Wallisi hyn në borxhe te miqtë dhe farefisi për të paguar edhe më shumë. Brenda pak muajsh thuhet se ky çift ia dha Loredanës 700 mijë franga.

Loredana e zgjodhi Prishtinën për të folur mbi akuzat ndaj saj dhe klanit të saj familjar. Përse e bëri këtë? Me gjasë ishte një kalkulim i menduar mirë: në Prishtinë ajo nuk do të ballafaqohej me pyetje të vështira, sepse gazetarët lokalë nuk i kanë ato informata që mund t’i kenë kolegët e tyre zviceranë. Kjo është krejt normale. Në raste të tjera janë gazetarët e Kosovës që kanë shumë njohuri për zhvillime të caktuara dhe gazetarët perëndimorë janë shpeshherë vetëm përfitues.

Loredana tha se në të vërtetë kishte ardhur në Kosovë për të xhiruar një spot. Por tani ajo do të tregonte edhe «të vërtetën» e saj për këtë rast, për këtë farë pune për të cilën po flet krejt Zvicra. Loredana foli së pari në shqip, ishte një shqipe e fëmijëve të diasporës, e konservuar nga kujtimet e fëmijërisë. Pastaj foli në gjermanisht, por jo në dialektin zviceran, por në gjermanishte letrare, me gjasë mendjen e kishte te fansat e saj në Gjermani. Loredana nuk e përmendi vëllain e saj, tha vetëm se një pjesë e familjes së saj është e përzier në këtë rast dhe se ajo për këtë ka dëgjuar në vitin 2018. Loredana tregoi se vetëm kishte dashur të ndihmonte për të zgjidhur këtë rast, por menjëherë e pranoi se paratë janë dhënë nga çifti zviceran, por pa dhunë, pa mashtrim, pa kërcënim, gjithçka me vullnet.

Avokati i saj zviceran me origjinë shqiptare Artan Sadiku tha se klientja e tij nuk ka qenë në paraburgim, ajo vetëm është marrë në pyetje, më shumë, shtoi ai, nuk mund të thuhet për këtë ngjarje, sepse «ende nuk i kam parë dokumentet e autoriteteve». Ai e quajti gruan nga Wallisi viktimë, kjo tingëlloi si pranim i fajit. Kolegu i tij kosovar ndërhyri shpejt dhe tha: jo, nuk është viktimë, ndoshta palë e dëmtuar, sepse viktimë mund të thuhet nëse do ta kishte shkelur treni. Kështu vazhdonte shou në hotelin Emerald.

Avokatët thonë se nuk është e vërtetë se Loredana dhe vëllai i saj i kanë marrë çiftit zviceran 700 mijë franga. Kjo shumë, tha Tomë Gashi, tingëllon e lartë, por për standardin e Zvicrës është e vogël. Në dokumentet e hetuesisë bëhet fjalë për 350 mijë franga. Një gazetare që me të drejtë pyet nëse Loredana ka vjedhur para, qortohet menjëherë nga avokati Gashi.

Reperja tashmë është rehatuar në kolltukun e saj, ajo qesh, ngërdheshet, bën gjeste me duar, duket se ndihet mirë kur burri i saj Mozzik e ledhaton. Nuk përgjigjet në gati asnjë pyetje. A ka pasur probleme me ligjin vëllai i saj Bekimi? Loredana nuk përgjigjet.

Përse është prezantuar te viktima si avokatja Anna Landmann? Loredana nuk përgjigjet.

A është shtetase e Zvicrës dhe a ka pasur probleme me marrjen e shtetësisë? Loredana nuk përgjigjet. «Punë private», thotë ajo.

Pasi gruaja nga Wallisi ka bërë publik hallin e saj, në opinion janë lajmëruar edhe persona të tjerë që e akuzojnë Loredanën se i ka mashtruar. «Ku ishin më herët?», pyet ajo me ironi. Shou vazhdon. Loredana është e bindur se ky skandal nuk do të dëmtojë karrierën e saj. Avokati Tomë Gashi përpiqet të krijojë përshtypjen se Loredana dhe vëllai i saj vetëm kanë marrë borxh te çifti zviceran.

Në këngët e saj Loredana përmend shpesh paratë. «Do t’i marrë krejt paratë e thata», bërtet ajo në një diçka si këngë – e këngët e saj në Spotify i ndjekin 1,5 milionë njerëz. Kush prej gazetarëve që po thonë se nuk duhet të shkruhet për të, mund të krenohet me një publik të tillë? Cilësia e publikut është punë tjetër, por publikun nuk mund ta zgjedhin as gazetarët kur shkruajnë. «I kam duart plot me para, as mobilin s’mund ta hapë». Ose: «Syzat e diellit ruajnë identitetin tim».

Cili është identiteti i Loredanës? Një grumbull me franga, zinxhirë të rëndë ari, vetura luksoze, rrobe markash të njohura me logo gjigante. Një vajzë 24-vjeçare të cilës i bien paratë mbi trup si shiu në pranverë?

Loredana është rritur në një familje shqiptare në Zvicër, tri motra, shtatë vëllezër. Para dy vitesh ajo u shfaq në opinion si e dashura e reperit Mozzik, tani ajo është gruaja e tij, ky çift ka një vajzë. Videoklipet e Mozzik dhe Loredanës janë më të klikuarat në hapësirën gjermane. E hapësira gjermane i ka rreth 100 milionë banorë.

Në Youtube Loredana ka 100 milionë shikime. Çka shpërndan Loredana shitet si buka e sapo dalë nga furra e bukëpjekësit Mikel Lumezi në Ferizaj. Në mediat sociale Loredana ka mbi një milion ndjekës. Rruga e suksesit e Loredanës është tregues se si falë internetit e mediave sociale një çikë rebele e diasporës shqiptare fluturon në sfera të paparashikueshme. Suksesi nganjëherë të verbon. Ndoshta ky verbim e ka futur Loredanën udhëve pa krye. «Një rast i çmendur ku përplasen dy botë, të cilat s’ka se si të jenë më larg. Megjithatë, të dyja këto botë përshkruajnë shekullin ’21: këtu çifti nga një katund i Wallisit, ajo hyzmeqare në restorant, ai shofer kamioni, mendjelehtë dhe, me sa duket, aq të pasur sa të jenë në gjendje t’i japin qindra-mijëra franga një personi që e njohin nga interneti, pa e verifikuar atë person, pa ngritur dyshim se paratë nuk do të kthehen. Atje reperja dhe influencuesja me origjinë kosovare, një yll i internetit dhe, nëse janë të vërteta akuzat, një vajzë tamam gangstere». Kështu shkruan sot gazeta «Tages Anzeiger», e cila e ka rezervuar faqen e tretë, zemrën e gazetës, për të përshkruar Loredanën, karrierën dhe dyshimet ndaj saj për mashtrim.

Loredana nuk dëshiron të perceptohet si vajzë gangstere, ndonëse luan me këtë klishe. Në pyetjen nëse me sjelljen e saj ka njollosur imazhin e shqiptarëve në Zvicër, ajo shpejt i humb nervat, çohet në këmbë, ankohet se mediat në Zvicër nuk i kanë kushtuar rëndësinë që meriton. Fundja, as Loredana nuk do të dëshironte të krahasohej me Azem Sylën.

Në hotelin Emerald zakonisht organizohen konferenca për ndërtimin e shtetit juridik, për dhunën familjare dhe çështje gjinore. Gjatë verës disa salla të hotelit okupohen nga shqiptarët e diasporës për dasmat e tyre përrallore, të cilat jo rrallë përfundojnë me kolaps financiar në Zvicër. Të premten një pjesë e madhe e opinionit kosovar shikoi një vajzë me prirje narcisoide, e cila fliste për familjen e shenjtë. Por ka edhe anë të tjera të klanit të saj që lidhen me veprime të paligjshme.

Në opinionin kosovar paraqitja e Loredanës shkakton habi e neveri, disa turpërohen që sërish dikush nga diaspora u bë temë negative nacionale në Zvicër. Ka edhe të tillë që krejt këtë show e shohin me humor të zi: «Loredana është kundërpërgjigjja jonë ndaj ambasadorit të Zvicrës, i cili së fundi na i kritikoi politikanët e korruptuar».

Nga fundi i konferencës për shtyp avokati i Loredanës premton se do të gjendet një rrugë për t’ia kthyer paratë çiftit zviceran. Pastaj në këtë spektakël bizar fjalën e merr një reper nga Zvicra, kosovar edhe ky, i cili thotë: «Çdokush është i pafajshëm derisa t’i dëshmohet fajësia». Ai fillon të duartrokasë dhe atij i bashkohen edhe disa gazetarë, me gjasë të gëzuar që po merrte fund kjo konferencë për media.

Loredana braktisi skenën siç erdhi – si aktore e një filmi të keq mafioz. Do të ishte befasi nëse nga kjo paraqitje do t’i binte popullariteti. E kundërta mund të bëjë vaki. Sepse bota e shoubizit kështu funksionon. Dhe këtë e ka kuptuar Loredana Zefi. Për këtë ajo meriton edhe pak respekt. E nëse del e pafajshme suksesi i saj vetëm do të rritet.

*Titulli origjinal "Engjëlli i rrejshëm në Emerald", Dialogplus 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Albani11/05/2019 13:00

Drejtesia e k... e europes. Ne amerike 60 vjec e shihte prap diten e diellit kjo virane.

Shto koment

Denonco