Ndahet nga jeta prof. Faik Kasollja, një ndër mjeshtrat e 'Dritës islame'

Ndahet nga jeta prof. Faik Kasollja, një ndër mjeshtrat e 'Dritës islame'

13:45, 12/02/2019
A+ Aa A-

Më datë 12 shkurt 2019 u nda nga jeta materiale prof. Faik Kasollja. Lajmi ishte i dhimbshëm për të gjithë myslimanët shqiptarë, në veçanti ata të kryeqytetit, pasi jeta e tij është e lidhur me historinë e gazetarisë dhe publicistikën islame në Shqipëri, dhe njëherësh është monument në çdo fushë të aktivitetit dhe dinjitetit njerëzor të një njeriu që lindi, u rrit, punoi, kërkoi dhe jetoi vetëm për të mirën dhe sakrifikoi shumë për të.

Vitet e jetës së tij ecnin dhe kaluan, bardhësia i mbuloi kokën, pleqëria i erdhi, por nuk e mposhtën dot, sepse Fuqia e Allahut xh.sh. e rinonte gjithmonë që të ecte përpara në rrugën e shenjtë të shërbimit ndaj fesë, kombit dhe shoqërisë. Zoti i dhuroi virtytet më të larta, cilësi këto që do të dëshironte t’i kishte çdo njeri. Veprimtaria e tij është shumëplanëshe. Ajo nuk është veprimtari e thjeshtë e një gazetari që shkroi e kontribuoi në organet islame të kohës, si “Drita islame”, “Drita e Kur’anit”, “Univers” etj., e një publicisti kalimtar, por e një përfaqësuesi të denjë i fushave arsimore e kulturore, e një njeriu besnik ndaj atdheut, kombit e shoqërisë, që foli çdo rast me krenari. 
Kujtimi i tij qoftë i paharrueshëm. Allahu xh.sh. e shpërbleftë me Xhenetin Firdeus!

Kush ishte Faik Kasollja?

Faik Ali Kasollja lindi në Petrelë më 21 dhjetor 1930. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa njohuritë e para të leximit të arabishtes i mori nga i ati në shtëpi. Më pas ishte dëshira e të atit për ta dërguar në Medrese, të cilën e mbaroi në qershor të vitit 1951 dhe mori maturën shtetërore me një diplomë, ku dolën njëmbëdhjetë maturantë. Pa vonesë u emërua imam i xhamisë së Mulletit me emrin e Sulltan Fatihut.
Pas një viti rekrutohet ushtar. Pas shërbimit ushtarak, akoma pa u kthyer në shtëpi, e kishin emëruar arsimtar, mësues në shkollën fillore të fshatit Pashkashesh pa asnjë lloj kërkese, të cilën nuk e kundërshtoi edhe për shkaqe ekonomike.

Me qëllim për të vazhduar studimet e larta, u regjistrua në Shkollën Pedagogjike të Tiranës dhe brenda vitit mori maturën. Më pas regjistrohet për studimet e larta në degën Histori-Filologji me korrespondencë. Gjatë kësaj kohe kaloi sa në një shkollë të zonës së Petrelës në tjetrën nëpër fshatrat: Mihajas, Mushqeta, Shënkoll, pastaj shkon në shkollën tetëvjeçare të Mulletit ku vijoi
dhjetë vjet e më në fund përfundoi në Petrelë, ku doli në pension.

Si mësues dallohet për një menaxhim efektiv dhe në mënyrë të organizuar të orëve mësimore, të një
niveli të lartë të mësimdhënies. Gjatë tërë punës në arsim u identifikua si personalitet i përsosur i njeriut të ndershëm, të ditur dhe të ngritur, me imagjinatë, ndjeshmëri, intuitë dhe vizion. Punoi vazhdimisht për ngritjen e tij profesionale, shkencore, pedagogjike, të strategjisë së mësimdhënies, planifikimit dhe zhvillimit të mësimit, në lëndën e tij të letërsisë ku arriti rezultate të larta.

Pas rënies së komunizmit dhe shpalljes së demokracisë në vendin tonë, nga fillimi i vitit 1991 nisi takime së bashku me të tjerë, për hapjen e xhamisë së Haxhi Et’hem Beut, ku përmenden emra të personave pjesëmarrës në këtë veprimtari. Ngjarjet rrodhën në favor të aktiviteteve të tjera.
U hodhën hapat e para përgatitore për nisjen dhe botimin e gazetës «Drita islame». Kryeredaktor i gazetës u vendos Ismail Muçej dhe numri i parë i saj doli në janar 1992. Në redaksinë e gazetës Faiku punonte së bashku me shokë të tjerë.

Ka botuar shkrime në shtypin islam, «Drita islame»,“Drita e Ehlibejtit”, “Këshilla”, “Drita e Kur’anit”, si dhe në organet e shtypit publik si te «Mësuesi», «Republika» etj. Është botues i disa librave si:

1. Hafiz Ali Korça Poet e atdhetar, Botuar nga Albanian Islamic Center Harper Woods Mich. U.S.A, 1995
2. Në pragun e misticizmit, Tiranë, 2002
3. Bibliografia e revistave ZANI I NALTË, KULTURA ISLAME NJERIU, Botimet ALSAR, Istanbul, 2007
Botime në shtypin publik:
Misticizmi në Islam dhe disa përfaqësues (Revista Universi, nr. 8, viti 2006).
Hafiz Ismet Dibra – teologu, atdhetari, mësuesi («A ka dyshim në qenien e Zotit?» Fondacioni i Kur’anit T. 2007).
Hafiz Ibrahim Dalliu – figurë poliedrike kombëtare (Ajka e kuptimeve të Kur’anit, T. 2005).
Në shoqëri me vargjet e Sheh Ahmed Shkodrës (Gazeta Drita e dijes, Shkodër, gusht 2002).
Hafiz Ibrahim Dalliu, përfaqësuesi i brezit të fundit të rilindësve (Gazeta «Republika», T. 18 gusht 2010).
Shtypi patriotik i pavarur në Tiranën e viteve 1924-1926 nën emrin e gazetës «Dajti» (Gazeta « Republika », e enjte, 16 dhjetor 2010).

Banorët e Petrelës nuk e harrojnë mësuesen e tyre, Zybejte Qereshniku (Gazeta «Mësuesi», 1 mars 2006).
Imazhe shqiptare përtej oqeanit (kushtuar 50-vjetorit të veprimtarisë së Vehbi Ismailit, në Qendrën Islame shqiptare të Detroitit, të Sh.B.A., gazeta «Republika», 17 maj 2009).

Për pesë vite me radhë ka qenë dhe kryeredaktor i gazetës “Drita e Ehlibejtit” ku ka shkruar vetë dhe është autor i mbi 125 shkrimeve. Ka punuar edhe në Medresenë e Tiranës si sekretar i kësaj shkolle ku dallohet për korrektësinë e tij në zbatimin e rregullores së shkollës. 
Faiku është bërë i njohur në masën e besimtarëve për kontributin me shkrime në drejtim të Islamit. Është figurë e pastër morale, i nderuar e i respektuar dhe shumë i dashur e i komunikueshëm në shoqëri.

Faik Kasollja përbënte një pasuri intelektuale./Nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco