E pacensuruara Keti Bashhysa, kjo ‘e çmendur’ që s’di veç të rikthehet!

E pacensuruara Keti Bashhysa, kjo ‘e çmendur’ që s’di veç të rikthehet!

23:14, 26/10/2018
A+ Aa A-

Nga Albina Gjergji

Është i çuditshëm – ndoshta edhe subjektiv – fakti sesi deri më sot pak artistë kanë arritur të më “çojnë” në Durrës me kaq dëshirë sa ç’shkoj për të ndjekur shfaqjet e Keti Bashhysës. Një vajzë “e egër” në pamje të parë, por tejet e brishtë nëse shkon përtej dukjes, e cila jo pak herë gënjen.

Duke iu rikthyer asaj çka më lart thashë, mbase ndonjë prej jush mund edhe të ngrejë vetullën për vlerësimin e shprehur, kjo edhe për faktin se Durrësi ka përplot artistë të tjerë në zë.

Po e vërtetë. Durrësi ka edhe artistë të tjerë në zë (ka patur gjithmonë fundja dhe kjo nuk është diçka e re). Por ajo çka e bën më të veçantë në optikën time Keti Bashhysën është këmbëngulja dhe vullneti për ta çuar deri në fund punën që e vetme merr përsipër të bëjë. Ani pse nuk mbështetet nga sponsorë pompozë, apo nga mediat më të lakuara në vend. Ani pse rrezikon që edhe t’ia sabotojnë punën, edhe ta përlyejnë me dekurajime primitivësh, edhe ta paragjykojnë mbi tematikat që zgjedh… ajo prapë nuk ndalet, se bash rrotat nën këmbë duket sikur e inkurajojnë edhe më fort atë.

Pikërisht ky rebelim i saj, që unë si gazetare kam gjithë të drejtën e botës ta përkthej si tiparin më të bukur të karakterit të një artisti më ka grishur vazhdimisht që të mos humb asnjë shfaqje të saj, por të rend drejt qytetit bregdetar sa herë ajo njofton “çmendurinë” e radhës.

Dhe çmenduria e saj e radhës titullohet “E pacensuruar”.

Kjo shfaqje, për të cilën provat kanë nisur prej disa javësh do të jepet për publikun më datë 3 nëntor në Teatrin “Aleksandër Moisiu” – Durrës, ora 18:00 dhe duke qenë se nuk do të rishfaqet, por do të jepet në një natë të vetme sugjerohet që të mos humbisni shansin për ta shijuar.

Aktrim, kërcim, këngë, lojë me violinçel… për të gjithë këto zhanre, Bashhysa ka zgjedhur si bashkëpunëtorë skenografin, Bardh Kalvari; konsulentin artistik Bashkim Hoxha, kostumografin Joni Peçi, formuluesin muzikor Julian Shyti, Koreografin dhe balerinin, Ari Metani, fotografin Edison Balla, si dhe të ftuar të veçantë si Besmir veshti, Ambra Marjanaku, Ergi Hasani dhe Marvin Tafaj.

Me një repertor artistik tejet të veçantë, pjesë e rëndësishme e shfaqjes së Keti Bashhysës do të jetë edhe Olti Curri një emër mjaft i njohur ky në botën e medias dhe artit; Mariola Poro me monologun “I dashur ish i dashur”, Nino Rota, Y. Skënderi, Senneville dhe pjesë nga Einaudi.

“E pacensuruara”, fton që t’i largohemi klisheve dhe rutinës qoftë edhe për disa orëtë vetme, prandaj për të gjithë ata që nuk do ta konsiderojnë të zakonshme këtë shfaqje, biletat mund t’i gjejnë pranë Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

*Keti Bashhysa, përveçse aktore dhe violinçeliste është edhe mësimdhënëse muzike, gazetare dhe moderatore e njohur në vend. Shfaqja e saj  fundit me titull “Pa kthim” u mbaj në muajin maj dhe rezultoi një sukses në CV-në e saj si artiste dhe eksperimentuese e disa zhanreve.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco