Primabalerina rrëfen si është të punosh me Angjelin Preljocajn

Primabalerina rrëfen si është të punosh me Angjelin Preljocajn

12:20, 22/04/2018
A+ Aa A-

Artistët shqiptarë të Teatrit dhe Operës do të kapërcejnë kufijtë nëpërmjet baletit. Kësaj here ata do të zhvillojnë një tur me shfaqje në Itali. Edhe për këtë kanë zgjedhur dy baletet, “Dasma” & La stravaganza, të koreografit të njohur me origjinë shqiptare Angjelin Preljocaj. Për këtë tur për “Shekulli”-n rrëfehet primabalerina e TKOB-së Ledia Sulaj. Ajo tregon eksperiencën e saj, për punën që ka bërë për këto dy pjesë, por edhe për rëndësinë, që kanë për të. Ledia e sheh këtë udhëtim një shkëmbim eksperiencash dhe emocionesh. Sipas saj, arti bashkon njerëzit dhe komunikon në të njëjtën gjuhë kudo. Ajo ndjen përgjegjësi të madhe mbi supet, sepse, si primabalerinë e “kombëtares së baletit, ka peshën e të përfaqësuarit të Shqipërisë jashtë vendit. Nga bashkëpunimi me Preljocaj, Ledia rrëfen se ka mësuar shumë, sidomos për konceptin e koreografisë dhe atë të libretit, duke iu hapur një botë e re! Serioziteti edhe disiplina në punë, janë dy karakteristikat, që kanë bërë, që Preljocaj të jetë aty ku është sot, në skenat më të mira ndërkombëtare mendon Ledia. Ky tur do të jetë në teatrot e Italisë, si “Teatro Giordano”, Foggia,  “Teatro Garibaldi”, Bisceglie, “Teatro Abeliano”, Bari, “Teatro Apollo”, Leçe.

Ledia, çfarë rëndësie ka për ty pjesëmarrja në këto turne jashtë vendit, veçmas si balerinë te “La stravaganca”?

Turnet jashtë shtetit sigurisht që janë mënyrë vlerësimi për artin tonë të baletit. Sepse, japim dhe marrim eksperiencë dhe përvojën tonë. Larmishmëri emocionesh dhe përvojash! Marrim një vërtetim se jemi ambasadorët më të mirë të vendit, si dhe arti bashkon dhe komunikon në çdo gjë dhe kudo! “La stravaganca” tregon më së miri bashkimin e së vjetrës dhe të resë, e klasikes dhe modernes e botëve të ndryshme, por që në fund kanë nevojë dhe plotësojnë njëra-tjetrën! Personalisht ndjej një përgjegjësi të madhe, sepse përfaqësojmë “kombëtaren e baletit” nëpër botë! Jemi me fat dhe të lumtur sigurisht dhe e meritojmë këtë mundësi, sepse kemi punuar fort.

Për eksperiencën tënde, në këtë balet, çfarë mund të na thuash?

Mund të them se: Ëndrra bëhet realitet! Pra të kërcesh në një vepër të një koreografi me nivel botëror me origjinë shqiptare, si Preljocaj është kënaqësi pa fund! Dua të them se kemi punuar shumë me detajet dhe me përsosmërinë e çdo lëvizjeje! Kemi punuar deri në një mënyrë pak “maniake” për çdo detaj. Eksperienca është unike dhe uroj shumë që të vazhdoj. Kam mësuar shumë në çdo aspekt të fushës së koreografisë, së konceptit, të libretit dhe na është hapur një botë e re për të punuar në balet të këtij kalibri, edhe të këtij stili.

Si ishte për ty të punoje me Preljocajn? Çfarë do të veçoje nga ky bashkëpunim?

Në fillim kisha pak frikë apo ndrojtje! Nuk doja të gaboja në asgjë! Por, aty qëndronte e bukura të gabosh dhe mësosh dhe në fund secili të ketë individualitetin e vet, si balerinë. Do të veçoja seriozitetin dhe disiplinën në punën e përditshme! Pra në fund të fundit Preljocaj është i gjithi i veçantë dhe prandaj është ai që është!

Po “Open tour”, çfarë ndjesish të ka përcjellë në qytetet e tjera të vendit tonë?

Ka qenë një surprizë opera tour sinqerisht! Kam venë re se njerëzit mezi në presin, janë të etur dhe shumë artdashës! Kanë një ngrohtësi dhe lexohet në duartrokitjet e tyre…, them me vete ku kemi qenë më parë! Sepse, arti nuk duhet të jetë me kufij, por i hapur për të gjithë dhe sigurisht kështu fitojmë dhe audienca të reja, dhe kjo na bën të ndihemi të përkëdhelur.

Dhe së fundmi, cilat janë angazhimet aktuale të Ledias?   

Angazhimet e mia fatmirësisht janë të mëdha! Dua të veçoj një video-klip të parin timin, që po punohet dhe del së shpejti, është një formë e re për të ardhur te publiku me një video me koncept të thellë dhe përcillet me gjuhën e trupit. Kalendari i TKOB-së është i ngjeshur dhe unë jam pjesë e saj e pa ndarë pa dyshim! Sikurse, jam pjesë e “Dancing with the start 7”. Dhe punoj me të rritur dhe fëmijë në palestrën time personale. Pra le te them se dita ime është plot e mbushur vetëm me balet.

“La Stravaganza”

La Stravaganza” (1997) e koreografit Angelin Preljocaj dhe me muzikë nga Antonio Vivaldi. “Duke qenë fëmijë prindërish emigrantë, ky qytet ka qenë gjithnjë një mit për mua. Simbol i emigrimit për ata që largohen dhe udhëtojnë për të ndërtuar diçka tjetër, kjo ide e një kontinenti të ri më është shfaqur me forcë gjatë këtij krijimi. Nga njëra anë, ishte dikush që vinte nga Lindja me kulturën e tij të lashtë, traditat e tij, dhe nga ana tjetër, ishte Amerika, Broduej, Balanshina. Kam dashur të tregoj një histori të së shkuarës, e cila rikthehet si një bumerang. Njerëz të dalë nga balta që sjellin diçka të re.

Në fillim të pjesës dëgjohet një vajzë  e re që thotë: Me kujtohet. Ka një vërshim të së shkuarës në të ardhmen, njësoj sikur koha të ishte një rreth pa mbarim, një përjetësi.  Zgjedhja e pjesëve muzikore është bërë në këtë kuptim. Partiturat e Vivaldit, një muzikë shumë e pasur, shumë e ndërtuar, vjen dhe përballet me tinguj më organikë. “Stravaganza” më sjell ndërmend historinë time personale, rrugën që unë kam ndjekur. Unë jam shumë i prekur që kjo pjesë do të vihet në skenë sot nga Trupa e Baletit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. E krijuar që prej 17 vitesh, është njësoj sikur të kisha rigjetur një fëmijë që ishte rritur tashmë. Unë kam qenë gjithnjë i lidhur me shënimin e repertorit. Veprat kanë nevojë të rilexohen, të riinterpretohen. Pres me padurim të shoh balerinët t’i japin jetë këtij spektakli me identitetin e tyre”.

Interpretojnë balërinët shqiptarë: Ledia Sulaj, Loreta Bala, Odeta Dishnica, Elda Logo, Adela Muçollar, Rovena Shqevi, Gerd  Vaso, Fation Lito, Anxhelo Muçollari,  Eltjon Merja, Andi Vrapi dhe Kristi Dushmani. Muzika: Antonio Vivaldi. As/Koreograf: Noémie Ëov. Asitente në prova Alisa Gjoni. Skenografia Maya Schëeizer. Kostumet nga Hervé Pierre dhe ndriçimi Marc Stanley. Regjia e ndriçimit nga Julien Guérut dhe koreologeNoémie Ëov, Dany Lévêque.

    Dasma”, balet nga Angelin Preljocaj 

    “Dasma” është krijim i vitit 1989. Koreografia: Angelin Preljocaj dhe muzika: Igor Stravinski,  Les Noces. “Gjithmonë dasmat më janë dukur si tragjedi të çuditshme. Ndoshta, nisur nga tradita ballkanase apo thjesht prej fantazisë së gjallë të një fëmije, instinktivisht e kam ditur që kishte një mister që shoqëronte figurën e nuses, e cila asnjëherë nuk shfaqej gjatë festimeve të dasmës së saj. Si një lloj monedhe që kalon nga një familje në një tjetër, shfaqet nusja në momentin e fundit, kur euforia e një dite të kaluar mes zhurmës dhe festimeve shuhet. Të gjithë i kanë sytë nga ajo, një pasqyrim i mbuluar me vello i dramës që nuk mund të injorohet më. Dhe ashtu si në vargun e një marshi funebër, ajo do të ecë ngadalë, me sytë plot lot, drejt përdhunimit të ligjëruar… “, thotë Preljocaj.

    As/Koreograf: Noémie Wov, Claudia De Smet. Asistente në prova: Alisa Gjoni. Kostumet: Caroline Anteski. Ndriçimi:  Jacques Chatelet. Regjia e Ndriçimit: Julien Guerut. Koreologe: Noémie Ëov, Dany Lévêque. Interpretojnë: Loreta Bala, Odeta Dishnica, Rovena Shqevi, Adela Muçollari, Elda Logo, Gerd Vaso, Eltjon Merja, Kristi Dushmani, Besi Skura dhe Andi Vrapi.

    Angelin Preljocaj

    I lindur në vitin 1957 nga prindër shqiptar, Angeli“n Preljocaj fillon të studiojë balet klasik para se t’i dedikohet baletit kontemporan me Karin Ëaehner. Në vitin 1980 transferohet në Neë York për të punuar me Zena Rommett dhe Merce Cunningham për të vazhduar më pas studimet në Francë me koreografen amerikane Viola Farber  dhe me francezin Quentin Rouillier. Punon me Dominique Bagouet para se të themelojë kompaninë e tij në dhjetor të vitit 1984. Që prej asaj kohe ka krijuar 45 koreografi. Angelin Preljocaj ka bashkëpunuar rregullisht me artistë të tjerë mes të cilëve mund të përmendim Enki Bilal, Goran Vejvoda, Fabrice Hyber, Karlheinz Stockhausen, Jean Paul Gaultier, Constance Guisset, Claude Lévêque. Krijimet e tij janë tashmë pjesë e repertorit të kompanive të ndryshme si: “La Scala”, “Neë York City Ballet”  “Ballet de l’Opéra National de Paris”. Ka realizuar disa filma me metrazh të shkurtër ( Poastieri, Ide të errëta  1991) dhe shumë filma të  tjerë për  të cilët  është vlerësuar me çmimin  “Çmim e madh të filmit Artistik” në vitin 2003 dhe “Çmimin e parë për video-dance” në vitin 1992.

    Disa libra janë shkruar për aktivitetin e tij artistik si Angelin Preljocaj ( 2003), Flamuri i Zi ( 2006)  dhe Topologjia e të padukshmit (2008). Në rrugën e gjatë të karrierës, Preljocaj është vlerësuar me çmime të ndryshme si  “Çmimi kombëtar i vallëzimit” dhënë nga Ministria e Kulturës në Francë (1992), “Beniamini i baletit”  për  Le Parc  në 1995, “ Cmimin Bessie”  për Annonciation në 1997, “Fitoret e muzikës” për “Romeo e Giulietta”  në 1997 dhe “Globin e Kristaltë”” për  “Borëbardha” në vitin 2009.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco