Gjyshja në kampin e Tepelenës, kafshimi i qenit

Gjyshja në kampin e Tepelenës, kafshimi i qenit

08:44, 10/04/2018
A+ Aa A-

Më kishte folur edhe gjyshja për vitet e internimit,për fëmijët e rritur pas telave me gjemba. Atë kohë kisha hyrë në gjimnaz.

Nga Albana Melyshi Lifschin. (Duke marrë shkas nga një diskutim për kampin e internimit në Tepelenë)

Një ditë, papritur, sytë më shkuan te një shenjë në ije të gjyshes.
– Çfarë është kjo, nana?
Ajo tërhoqi bluzën poshtë dhe e futi nën fund.
– Mua po më shikon ti?
– Çfarë e ke atë shenjë? – pyeta unë përsëri. – Je vrarë gjëkundi, nana?
– Eh, bijo… E kam kujtim nga internimi. Kemi qenë në Bënçë të Tepelenës atë kohë. Pranë kalasë. Ah! Çfarë kemi kalu në internim, mos e kaloftë kush! Na detyronin të banim punë të randa e nuk na mbushej barku kurrë me bukë. Na jepnin një supë, ashtu i thoshin, por zor se të zinte gja luga në të, veç krimbave. Shkonim në pyjoren pranë grykës së lumit,disa kilometra larg kampit.
Ishim rreth 100 gra që ngarkoheshim me dru në kurriz.
Një polic ishte në krye të kolonës e një në fund. Kisha kohë që e baja këtë punë, por fuqitë erdhën duke më lanë. Ishte një ditë shiu. Turra e druve erdhi duke m’u rëndu. Më mundi lodhja dhe e pangrëna. M’u veshën sytë. Nuk mbaj mend si u rrëzova në përrua dhe nuk kisha fuqi të ngrihesha, kur ndjeva kafshimin e një qeni këtu në ijë.
Mua më kishte ngrirë fytyra nga përfytyrimi i gjyshes së rrëzuar në përrua dhe e një qeni të zi mbi të.
– Që atë ditë rashë e sëmurë e nuk shkova ma për dru. Por kisha dy fëmijë të vegjël me vete dhe sido që të vinte puna, nuk duhej t’u dorëzohesha mundimeve. Ata s’kishin kërkend tjetër. Kemi kalu sëmundje të randa.
Askush nuk kujdesej për të sëmurët. Njerëzit i këpuste vdekja. Uria na mundonte përditë. Njëherë, Leka solli në kazermë një 20 lekëshe. Ishte e lagun. “Kush ta dha këtë?” e pyeta. “Askush. E gjeta rrugës. E ka lag shiu, por unë e fshiva pas pantallonave. Nanë, ne mund blejmë një racion bukë me te.” – “Shko vene në vendin ku e gjete. Dikujt i ka ranë nga xhepi dhe ai njeri ka dëshpërim sot. Do të kthehet ta kërkojë rrugës nga ka ecun”, i thashë, “dhe mos harro: veni një copë gur përsipër që të mos e marrë era.” Edhe në ato kushte me barkthatë, fëmijët doja t’i edukoja mirë. Ata do të rriteshin një ditë me vullnet të Zotit.
…….
Gjyshja vazhdoi:
– Një herë tjetër, im bir më tha se një shoku i tij i klasës kish nevojë për fanellë, por nana e vet nuk dinte të punonte me shtiza. Kështu, të nesërmen më sollën leshin dhe tanë natën kam punu me shtiza fanellën e atij djali. Të nesërmen, im bir e mori fanellën dhe ia çoi në shtëpi. U kthye prej andej me një bukë gruri të mbështjellë.
Ishte haku i punës.
Unë s’ia ndaja sytë gjyshes.
– Do prapë?
Unë kisha harruar të merrja frymë…
– S’janë për ty këto, bijo.
– Më thuaj edhe një histori vetëm, vetëm edhe një, iu luta unë dhe u ngjesha pas saj në divanin e kuzhinës.
– Mirë pra, kjo do të jetë e fundit, ë?
Tunda kokën në shenjë pohimi.
– Një pasdite na urdhnun të dilnim jashtë kazermave të tanë, pa përjashtim. Përpara nesh, disa metra më tutje, qe vendosur një mitraloz i mbështetun në dy kambë.
Fëmijët u trembën. Disa filluan të qanin. Çfarë do të banin me ne? Do të na vrisnin? U krijua panik. Komandanti i kampit doli përpara dhe foli me zë të rreptë:
“Mungon një kandil i kazermës. Kush e ka vjedhur, të dalë përpara!” Ra heshtje. Dikur, një djalë i ri bëri një hap para e tha: “E kam unë.” – “Pse e ke vjedhur kandilin? Ai është i komandës s’është i yti!” – “E pashë që ishte prishur dhe mora ta rregulloja.” Nuk u duk se komandanti i kampit e besoi. “Ju të tjerët shpërndahuni, ti dil mënjanë”, tha ai. Pranë zyrave ishe një dhomë izolimi për ata që dënoheshin. Atë djalin e futën atje. Mitralozi dykambësh në mes të kazermave dhe tmerri që u hyni të internuarve s’harrohen.
– Po sikur t’ju kishin vrarë? – e pyeta unë.
– Nuk kishim ba kurrgja që të na vrisnin.
Habitesha me gjyshen. As ajo s’kishte bërë asgjë që ta meritonte internimin, por i kishte duruar të gjitha dhimbje- dënimet në heshtje. Mos ishte pak dhimbja për burrin e djalin e arratisur? Apo për djalin e madh, Palin, që ishte vrarë si “tradhtar” e nuk i dihej varri? E kishin quajtur herë ‘nënë komunisti’ e herë ‘nënë tradhtari’. Më ishte rrënjosur që nga fëmijëria një çast kur e kam pyetur nënën time se sa vjet shkollë kishte gjyshja dhe ajo m’u përgjigj: “12 vjet”.
Nuk m’u besua. Më pas e pata pyetur edhe gjyshen dhe ajo më tha tekstualisht: “Kam 12 vjet shkollë e kurse”.
Vonë, ime ëmë më ka shpjeguar se gjyshja kishte parasysh 12 vitet e internimit. Ato ishin shkolla e saj, prej ku ajo kishte mësuar shumë. Shkollë jete. Vonë, kur dëgjoja të më thoshin se gjyshja jote flet me ‘proverba’, e dija që nënkuptonin mençurinë e saj. Besoja që më shumë se çdo gjë ishte përvoja e jetës si e internuar, që e bënte të fliste shkurt dhe thellë.

(Shkeputur nga libri ” Yjet nuk jane te kuq” , bot. ne 2013 nga “Dudaj”)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco